Bazuar në të dhënat e bankës qendrore ruse, ai vlerëson se ngarkesa e borxhit të korporatave të vendit u rrit me 36.6 trilion rubla (446 miliardë dollarë) që nga viti 2022, ose më shumë se 70 për qind...
Prej të paktën një viti, Kremlini ka qenë i bindur - dhe ka bindur shumë të tjerë - se zotëron të gjitha kartat e duhura në luftën e Ukrainës, duke pasur më shumë fuqi punëtore dhe municione, një industri më të madhe armësh dhe rrjedhimisht një avantazh në produktin më të rëndësishëm nga të gjithë në një luftë rrënuese:kohën.
Ky supozim, u provua të ishte i gabuar që nga dita e parë e luftës, kur trupat ruse marshuan në Ukrainë duke pritur një fitore të menjëhershme, me uniformat e paradës në çantat e tyre, por me karburant dhe furnizime për vetëm disa ditë.
Dhe ai mbetet i rreme edhe sot, me një pozitë po aq të vështirë sa pozicioni i Ukrainës në vijën e frontit. Kjo sepse ekonomia e Rusisë po e humbet mburojën e saj të fortë. Ky është një moment i rëndësishëm për t’u kuptuar, teksa administrata e re amerikane përgatitet të shpallë planin e saj mbi bisedimet e paqes.
Nëse presidenti Vladimir Putin ka kohë për të humbur, ai mund të bëjë pazare nga një pozicion i fortë, duke e ditur se Ukraina duhet t’i përmbushë përfundimisht kërkesat e tij. Por realiteti është se dora e Putinit është më e dobët, se sa ai do të donte që ne ta besonim.
Dhe është presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ai që mund të ketë luksin të diktojë termat e kushteve të paqes në tryezën e negociatave. Për shkak se disa nga kartat e forta që pretendohet shpesh se ka Kremlini, janë ose të kushtëzuara nga zgjedhjet e bëra në Perëndim (me potencialin e tij shumë më të madh ekonomik dhe ushtarak), të kontestuara nga Ukraina (mendoni pak për aftësinë në rritje të Kievit për goditje me rreze të gjatë, apo territorin që mban ende të pushtuar në rajonin rus Kursk) ose iluzore.
Kërcënimet e Putinit për një sulm bërthamor, klasifikohen në kategorinë e fundit dhe shërbejnë si një shembull i përsosur se sa efektiv mund të jetë një bllof (në këtë rast duke e kufizuar rrjedhën e armëve në Ukrainë) kur besohet.
Ekonomia e Rusisë po shkon gjithashtu drejt këtij të fundit, në mos është tashmë atje. Qëndrueshmëria e Rusisë përballë sanksioneve të paprecedentë perëndimore dhe sekuestrimit të aseteve, ka qenë një surprizë e ngjashme me aftësinë e Ukrainës për të rezistuar në fushën e betejës.
Në vend se të shembet, siç besonin se do të ndodhte shumë njerëz, ekonomia ruse u rrit. Kjo falë jo vetëm shmangies së sanksioneve, por edhe Guvernatores së Bankës Qendrore të një kalibri botëror dhe një stimulit masiv fiskal zyrtar dhe jozyrtar për luftën.
Edhe tani nuk ka ndonjë shenjë krize serioze. Megjithatë ka pasur një kthesë të mprehtë negative, e cila krijon mundësi për të grumbulluar presion dhe për të ndryshuar llogaritjet e rrezikut nga Putin gjatë bisedimeve.
Ky shans duhet shfrytëzuar, jo si një alternativë ndaj një zgjidhje paqësore të konfliktit, por për ta bërë të mundur atë. Po si mund ta dimë, që ky nuk është vetëm një mendim i dëshiruar? Në një raport të botuar më 23 janar, Qendra për Analizën Makroekonomike dhe Parashikimin Afatshkurtër, CMASF, një organizatë jofitimprurëse në Moskë që e këshillon qeverinë ruse, tha se pavarësisht shifrave të forta të rritjes së përgjithshme, ekonomia ruse, përveç sektorit të mbrojtjes është në stanjacion që nga mesi i vitit 2023.
Kohët e fundit, ndaluan së rrituri edhe investimet dhe konsumi i familjeve, teksa Banka Qendrore e çoi normën bazë të interesit deri në 21 për qind, për të luftuar inflacionin kokëfortë. Deri më tani i menaxhueshëm për një ekonomi të kohës së luftës.
Rreziku qëndron tek sasia e kredisë që është investuar në industrinë e mbrojtjes për të financuar rritjen e saj të jashtëzakonshme, shumica e të cilave është marrë me norma të ndryshueshme. Sipas të njëjtit raport, një krizë kredie nisi në muajt nëntor-dhjetor 2024.
Përmasat e plota të problemit mbeten të fshehur, thotë CMASF, pasi bankat zgjedhin të ristrukturojnë borxhin e keq në mënyrë të fshehtë në vend se ta raportojnë atë, duke e zbutur kështu rrezikun e dështimit të kërkesave për kapital.
Craig Kennedy, ish-bankier amerikan që ka punuar në sektorin energjetik të Rusisë dhe tani është lektor në Universitetin e Harvardit dhe po shkruan një libër mbi historinë e industrisë ruse të naftës, mendon se situata është më e keqe nga sa pranohet.
Bazuar në të dhënat e bankës qendrore ruse, ai vlerëson se ngarkesa e borxhit të korporatave të vendit u rrit me 36.6 trilion rubla (446 miliardë dollarë) që nga viti 2022, ose më shumë se 70 për qind.
Një pjesë e madhe e këtij borxhi, është rezultat i huave preferenciale, të cilat shteti i orientoi bankat ruse për t’ua dhënë kompanive të mbrojtjes. Është e vërtetë që bankat mund të vazhdojnë ta zgjasin afatin e shlyerjes së kredive dhe të pretendojnë se ato janë të mira.
Por tani banka qendrore është e shqetësuar, pasi ajo po e dëmton mekanizmin e transmetimit tek i cili mbështetet për të frenuar inflacionin, aktualisht 9.5 për qind, ose dyfishi i normës së synuar nga banka.
Kompanitë e detyruara me ligj që të japin hua të papërballueshme për prodhuesit e armëve, nuk janë të ndjeshme ndaj rritjes së normave të interesit. Ato kanë besim se shteti do t’i shpëtojë nëse kjo do të jetë e nevojshme.
Nuk është se ekonomia ruse është gati të shembet nga momenti në moment, më tha Kennedy, por sa më gjatë që Rusia të vazhdojë të mbështetet kaq shumë në huadhënien e drejtuar nga shteti dhe jashtë buxhetit për të financuar luftën e saj, aq më i madh është rreziku i një mospagimit të kredisë, që mund të dalë jashtë kontrollit.
E gjitha kjo do të thotë, se Putini nuk mund të mendojë se mund të vazhdojë luftën edhe për shumë kohë, sa do të donte të besonte bota. Ruajtja e presionit mbi fondet dhe të ardhurat ruse “është leva më e mirë që ka Ukraina dhe aleatët e saj”, thotë Kennedy, “sepse Rusia do të ketë një punë të madhe spastrimi (financiar) për të bërë pas luftës”.
Jo të gjithë mendojnë se kurthi i mundshëm i kredisë, paraqet një rrezik aq të lartë për Kremlinin sa beson Kennedy. Janis Kluge, një tjetër vëzhgues i afërt i të dhënave ekonomike ruse, sheh si negative një barrë borxhi afatgjatë për industrinë e armëve të vendit.
Por ajo mund ta paguhet për shumë vite, sepse ekonomia do të mbetet në një bazë lufte edhe pasi të arrihet një marrëveshje paqeje në Ukrainë. “Patjetër që për këtë vit do të ketë probleme për Putinin”- thotë Kluge, nënkryetar i kërkimit në Institutin Gjerman për Çështjet Ndërkombëtare dhe të Sigurisë, në Berlin.
“Por unë nuk mendoj se këto do të jenë mjaft të mëdha për ta detyruar atë që të negociojë”-thekson ai. Unë nuk e di se cili nga këta analistë shumë të zgjuar ka të drejtë. Por është e qartë se rreziqet e vazhdimit të luftës po rriten, si për Moskën ashtu edhe për Kievin.
Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskiy dhe Putin, i kanë zbutur paksa qëndrimet e tyre mbi bisedimet kohët e fundit, duke thënë se janë të gatshëm të negociojnë me njëri-tjetrin edhe drejtpërdrejt, teksa më parë e kishin përjashtuar këtë gjë.
Megjithatë, duhet të jetë e qartë për të gjithë palët, se gjëja më e keqe që mund të bëjnë tani SHBA-ja dhe Evropa, do të ishte të forconin dorën e Putinit ndërsa po afrohen negociatat.
Kjo mund të bëhet duke u përfshirë në një luftë tregtare vëllavrasëse që e ndan dhe dobëson Perëndimin, duke e pakësuar ndihmën për Ukrainën ose duke lehtësuar presionin ekonomik ndaj Rusisë, në këmbim të një armëpushimi para zgjidhjes që Putini. Nëse e kaluara është ndonjë lloj prologu, e dimë se ai nuk do të kishte ndërmend që ta respektonte./Pamfleti nga “Bloomberg”
Lini një Përgjigje