TAGS-AT E JAVËS

Forum23 Dhjetor 2025, 09:22

Tre problemet më të mëdha të Trumpit: A do t’i mbijetojë politikisht 2026-ës?

Shkruar nga Pierre Haski

Tre problemet më të mëdha të Trumpit: A do t’i

Dosja “Epstein”, kriza e jetesës së shumicës së amerikanëve dhe përçarjet e forta brenda lëvizjes MAGA, janë sfida që mund ta detyrojnë presidentin aktual të mbyllë me turp mandatin e tij të dytë. Trump ka vetëm 10 muaj kohë deri në zgjedhjet e mesit të mandatit për ta bërë veten “sërish të madh”…

Le ta pranojmë: që nga rikthimi në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar të këtij viti, Donald Trump ka dominuar lajmet gjatë gjithë vitit, si në formë ashtu edhe në përmbajtje. Për habinë e pjesës tjetër të botës, vështirë se ka kaluar ndonjë ditë pa një deklaratë apo postim nga presidenti.

Një strategji, për të cilën gjerësisht hipotetizohet se është hartuar enkas për tërheqjen e vëmendjes. Por ajo ka pasur efekte të mëdha, kryesisht negative: Trump e dëmtoi rëndë rendin botëror të vendosur pas Luftës së Dytë Botërore, injoroi ligjin që rregullonte marrëdhëniet midis shteteve, ndryshoi globalizimin me taksat e tij doganore dhe dobësoi aleancat e SHBA-së (më kryesorja NATO-n) dhe organizatat ndërkombëtare, duke filluar me OKB-në.

Presidenti amerikan pretendon se i ka dhënë fund 8 luftërave, por e vërteta është se dy nga konfliktet kryesore në të cilat janë të përfshira Shtetet e Bashkuara, Ukraina dhe Palestina, janë ende duke vazhduar.
Një nga imazhet më të këqija të vitit që po mbyllet, është poshtërimi që iu shkaktua presidentit ukrainas Volodimir Zelenski në Shtëpinë e Bardhë në shkurt, që u balancua nga qilimi i kuq i shtruar për Vladimir Putin në Alaska në gusht.

Ndërkohë, lufta, të cilën Donald Trump premtoi ta zgjidhte brenda 24 orësh gjatë fushatës presidenciale, do të vazhdojë derisa presidenti amerikan ta pranojë se Vladimir Putin nuk dëshiron kompromis, por vetëm një fitore të plotë.

“Doktrina Trump” që po merr formë në këtë mandat të dytë, nuk ka asnjë ngjashmëri me atë që e imagjinuam gjatë mandatit të tij të parë. Dy shembuj: Trump dëshiron të shmangë “luftërat e pafundme”, si ato të zhvilluara nga Shtetet e Bashkuara në Afganistan dhe Irak.

Por në të njëjtën kohë ai nuk ngurron të përdorë ushtrinë, duke e zhgënjyer krahun izolacionist të lëvizjes së tij, MAGA. Ai e bëri këtë në Jemen, Iran, pranë brigjeve të Venezuelës dhe pak ditë më parë në Siri kundër grupit të Shtetit Islamik pas vdekjes së ushtarëve të parë amerikanë gjatë presidencës së tij.

Ushtria, e çliruar nga çdo lloj kufizimi ligjor, është një instrument politik i pushtetit në dispozicion të degës ekzekutive, madje edhe brenda Shteteve të Bashkuara. Shembulli i dytë: politika e përshkruar në Strategjinë e fundit të Sigurisë Kombëtare ringjall Doktrinën Monro tashmë dyshekullore mbi Amerikën Latine, bazuar në idenë se Shtetet e Bashkuara duhet të ruajnë hegjemoninë vetëm në hemisferën e tyre.

Këtë e tregon presioni i fortë mbi Venezuelën. Po çfarë mund të presim në vitin 2026? Për Trumpin, rreziqet do të jenë të dyfishta: në frontin ndërkombëtar, ai do të duhet të përcaktojë qëndrimin e Uashingtonit ndaj Kinës, rivalit të saj të vetëm të vërtetë të shekullit XXI, dhe vendit të vetëm që këtë vit ka treguar se mund t’i rezistojë presionit amerikan.

Trump do të vizitojë Pekinin në prill, një udhëtim vendimtar për marrëdhëniet kino-amerikane, por edhe për pjesën tjetër të botës. Por sfida e madhe do të jetë edhe e brendshme, me zgjedhjet e mesit të mandatit që do të zhvillohen në nëntor 2026. Trump ka përjetuar një rënie të ndjeshme të popullaritetit të tij, duke humbur së fundmi të gjitha zgjedhjet lokale, duke filluar me zgjedhjet për kryetarin e bashkisë në Nju Jork dhe ç’është më e çuditshmja edhe në Majemi.

Demokratët do të bëjnë gjithçka që kanë në dorë për të shfrytëzuar këtë pakënaqësi dhe për t’u hakmarrë në Kongres. Pra Donald Trump ka përpara 3 probleme serioze. Së pari çështjen “Epstein”, ish-miliarderin e dënuar për abuzim seksual, fotot e të cilit të publikuara së fundmi zbulojnë shkallën e bashkëpunimit të elitës amerikane, përfshirë vetë Trumpin.

Së dyti, përballueshmërinë, një term i përdorur për të përshkruar koston e jetesës, gjithnjë e më të papërballueshme për shumë amerikanë, pavarësisht mohimeve të presidentit.

Dhe së treti përçarjet që po e shkatërrojnë kampin dikur të madh të lëvizjes “Make America Great Again” (MAGA). Trump do të ketë në dispozicion vetëm 10 muajpër ta bërë veten “sërish të madh”. Por kjo do të jetë aspak e lehtë./Përshtati: Pamfleti

 

tre problemet e trump pierre haski

Lini një Përgjigje