TAGS-AT E JAVËS

Forum18 Tetor 2025, 13:05

Topin nuk ka kush ta gjuajë!

Shkruar nga Auron Tare
Topin nuk ka kush ta gjuajë!
Pallati i Sporteve ‘Asllan Rusi’ do të jetë në formë topi basketbolli

Mbrëmë, në darkë, nën një shi të hollë vjeshte, ndesha njërin nga miqtë e mi të rinisë. Kemi luajtur bashkë basketboll dhe kemi ruajtur miqësinë e dikurshme.Pasi zbriti nga biçikleta, bëmë një copë rrugë në këmbë.

Si është djali? e pyeta.

Djali i tij 16 vjeçar stërvitet në basketboll. E kisha parë disa herë në njërën nga palestrat e vjetra të shkollave të Tiranës.

Mirë, më tha, ka shkuar 2.1 metra i gjatë.

Ou, i thashë i habitur, vazhdon me të njëjtin ekip?

Jo, tha, e çova në një shkollë në Itali. E panë skautët italianë dhe e morën. Para tij kanë shkuar edhe katër çuna të tjerë atje.

Është një shkollë e specializuar që merret me talente.

Po këtu, e pyeta, nuk ka mundësi të vazhdojë?

Po ti i ke parë kushtet, më tha, mizerje. Asnjë kujdes, asnjë program për ta ringritur basketbollin.

I pe shqiptarët e Turqisë? më pyeti. Tre basketbollistë të kombëtares, nënkampionë të Europës.

Shiko Islandën, një ekip që dikur Shqipëria e mundte. Shiko Finlandën, sa kanë ecur. Vende pa traditë në basketboll!

Këtu na ikin fëmijët jashtë, shtoi me një psherëtimë të gjatë. Sa shpresë kishim...

Shiu që binte e bënte pak më të zymtë bisedën.

Po pse, e pyeta, kam dëgjuar që Komiteti Olimpik merr fonde për klasat sportive?

Ai qeshi me ironi:

Ke parë gjë ti? më tha. Unë nuk shoh ndonjë fond për fëmijët tanë në basketboll.

Vazhduam të ecnim.

E ndoqe konkursin për Pallatin e Sportit “Partizani”? e pyeta për të ndryshuar temën. Bashkë kishim kaluar rininë në atë fushë.

Jo, më tha.

Interesante, i thashë, një fushë e madhe dhe një lloj kulle në formë topi.

Te kryqëzimi i rrugës u ndamë. Duke i hipur biçikletës, më pa në sy dhe më tha:

Pallati mund të jetë në formë topi, por topin nuk ka më kush ta gjuajë.

 

pallati i sporteve ‘asllan rusi’

1 Komente

  1. T
    Titi

    E dhimbshme por e vertete! Mender kullat po behen, por shqiptareve u eshte shpifur vendi. Mjafton te shihen maternitetet ne rrethe por dhe ne Tirane per te kuptuar se pse…

    Lini një Përgjigje