Sot BE-ja po paguan një çmim të madh për tolerimin e Orban. Ajo është e rrethuar ngado nga aleatët e Orban...
Gjatë viteve 1990, në dekadën e parë entuziaste pas shembjes së komunizmit, titujt e mediave në vendet e Evropë Qendrore dominoheshin nga njerëz si Vaclav Havel, dramaturgu i talentuar i kthyer në president të Çekisë, që mbrojti demokracinë qytetare. Por që nga fillimi, mbështetësit e ekstremit të djathtë dhe nacionalistët ishin aty në cep, duke pritur rastin.
Në atë kohë, unë besoja se anëtarësimi i vendeve të Evropës Qendrore në Bashkimin Evropian, do të zhdukte tendencat më shkatërruese të rajonit. Tek e fundit, blloku e kishte arritur këtë me Gjermaninë, Greqinë, Portugalinë dhe Spanjën e pasluftës. Që të gjitha këto vende, kishin dalë nga diktaturat radikale për t’u bërë demokraci të shëndetshme.
Dhe ato nuk u kthyen tek autokracia pas anëtarësimit në BE. Ndërkohë në Hungari ndodhi e paimagjinueshmja: Një shtet që i kapërceu të gjitha hapat për t’iu bashkuar BE-së në vitin 2004, nisi vetëm 6 vjet më vonë një rrëshqitje të shpejtë drejt autoritarizmit.
Edhe shtete të tjera anëtare, kanë bërë hapa prapa në raport me demokracinë, si Rumania, Sllovenia, Sllovakia, dhe sidomos Poloni gjatë qeverisjes së partisë Ligj dhe Drejtës në vitet 2015-2023. Por sistemet dhe shoqëritë e tyre politike, ishin mjaftueshëm të qëndrueshme për të luftuar dhe rrëzuar nga pushteti liderët e tyre autoritarë.
Ndërkohë Hungaria nuk ia ka dalë dot. Dy libra të rinj, ofrojnë shpjegime shumë të detajuara mbi arsyen e zhytjes së Hungarisë në një diktaturë të re. Në librin e tyre “Autokraci e çimentuar: Hungaria në Bashkimin Evropian”, politologët hungarezë Andras Bozoki dhe Zoltan Fleck përshkruajnë në mënyrë të shkëlqyer “hidrën me shumë koka” të regjimit të Orban.
Hungaria e tij nuk është një diktaturë e stilit të vjetër, që e rrëmbeu pushtetin përmes një grushti shteti apo duke burgosur figurat e opozitës. Ajo zotëron të gjitha elementet e demokracisë, përfshirë mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta dhe të monitoruara; një opozitë shumëpartiake; dhe deri më sot një transferim paqësor të pushtetit.
Aktualisht kryebashkiakët e partive opozitare, sundojnë në qytetet më të mëdha dhe më pro-perëndimore si Budapest, Szeged, Pecs dhe Gyor. Për shumicën e hungarezëve, kjo është dëshmi e mjaftueshme se vendi i tyre është një demokraci, pavarësisht nga diagnoza e analistëve.
I lindur në Hungarinë rurale në vitin 1963, Orban - një politikan i vetëshpallur si “jo liberal” - ishte një aktivist liberal. Ai u bë një udhëheqës i lëvizjes studentore antikomuniste në vitet 1980, kur studionte për drejtësi në Budapest, madje më vonë fitoi një bursë studimi në Universitetin e Oksfordit nga fondacioni i George Soros.
Bashkë me aktivistë të tjerë, ai themeloi në vitin 1988 Aleancën e Demokratëve të Rinj (Fidesz), si një lëvizje me mendësi perëndimore për të promovuar lirinë dhe demokracinë. Gjatë viteve 1993-1994, e zhvendosi partinë më djathtas, ndërsa në vitin 1998, Orban dhe Fidesz u ngjitën për herë të parë në pushtet në krye të një koalicioni të qendrës së djathtë.
Që në atë kohë u panë shenja të asaj që do të kishte e ardhmja: sulme ndaj sistemit të drejtësisë, shtypje e lirisë së mediave opozitare, promovimi në administratë i besnikëve dhe lidhjet korruptive me bankierë dhe industrialistë të kompromentuar. Në vitin 2002, Orban bëri një gabim të rëndë.
Punoi të joshte më shumë shtresën e mesme në zhvillim, sesa grupin shumë më të madh të votuesve më të moshuar, të paarsimuar, të varfër dhe ruralë, ata që u dëmtuan shumë nga reformat e kërkuara nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe BE-ja. Humbi dhe qëndroi për 8 vite në opozitë.
Në atë kohë e transformoi Fidesz atë nga një parti konservatore, në një vegël populiste që tërhiqte jo një shtresë, por për një komb të tërë. E spastroi nga kritikët, e përqendroi rreth vetes dhe polarizoi diskursin në vend, duke i quajtur kundërshtarët politikë si armiq të kombit.
Kur u rikthye në krye të Hungarisë në vitin 2010, boshatisi gjyqësorin nga të pavarurit apo kundërshtarët, dhe miratoi një kushtetutë të re. Ligjet e reja ia bënë më të vështirë partive të reja që të hynin në parlament, dhe akoma më të lehtë një parti të madhe, si Fidesz, që të krijonte një supershumicë parlamentare me pak vota.
Sot, Hungaria është një diktaturë në lulëzim. Regjimi e ka kufizuar lirinë e medias, e ka degraduar opozitën, ka çmontuar kontrollet dhe balancat demokratike, e ka “futur në xhep” shoqërinë civile, ka rregulluar ligjet zgjedhore dhe i ka neutralizuar kritikat, duke siguruar që vetëm ngjarjet e jashtëzakonshme, dhe jo zgjedhjet, mund ta largojnë atë nga pushteti.
Në rrëfimin e Bozoki dhe Fleck, gjenialiteti i Orbanit ishte se ai e kuptoi saktësisht se Hungaria ishte e ndjeshme ndaj kësaj kthese. Vendi nuk kishte gati asnjë traditë demokratike përpara vitit 1989. Pas shtypjes brutale të kryengritjes së vitit 1956 nga sovjetikët, kur hungarezët sfiduan regjimin stalinist, u futën sërish në rresht, ndryshe nga polakët që vazhduan t’i kundërviheshin komunizmit.
Kjo qasje vazhdoi edhe në fillim të këtij shekulli, dhe ndihmoi në aftësinë e Orban për të rrënjosur sundimin autoritar. “Ai mundi të ndryshonte regjimin, sepse shoqëria nuk ishte shumë e shqetësuar për sistemin politik. Ajo që njerëzit mësuan gjatë dekadave dhe madje edhe shekujve ishte se regjimet politike ... ishin gjithnjë të largëta për jetën e përditshme të njerëzve”.
Në vend të shtypjes së ashpër, Orban u mbështet tek autocensura dhe patronazhi. Ata që e respektuan linjën e tij, u shpërblyen me punë, poste drejtoresh dhe kontrata. Nga ana tjetër ai mbështet në koktejin e tij të veçantë të retorikës nacionaliste: “Hungaria është një mburojë e krishterë kundër kolonializmit të Perëndimit, një komb i vetëmbrojtur i rrethuar nga armiq!”.
Fidesz përfitoi shumë kur qeveria e majtë-liberale, dështoi në një tranzicion ekonomik të bazuar tek parimet neoliberale, duke krijuar me nxitim kushtet e tregut të lirë në një shoqëri që ishte e papërgatitur për pasojat e tyre. Ajo nxiti pabarazi gjithnjë e më të mëdha të pasurisë, teksa ndoqi recetat e “terapisë së shokut” të institucioneve perëndimore si Banka Botërore, FMN por edhe BE.
Në sytë e shumë hungarezëve, kolapsi ekonomik e diskreditoi kapitalizmin e tregut dhe demokracinë liberale. Njëzet vjet pas debutimit të demokracisë, popullsia mirëpriti një burrë të dorës së fortë që pretendonte se shqetësohej për “interesat e hungarezëve” dhe jo të elitave në Bruksel dhe Uashington.
Dhe në emër të “bashkimit kombëtar”, partia rishtetëzoi pjesën më të madhe të sektorit industrial, si dhe bankën, median dhe energjinë. Narrativa e Bozoki dhe Fleck mbështetet edhe nga “Sociologjia e korrupsionit” e David Jancsics. Ky i fundit pretendon se sot korrupsioni në Hungari është edhe me i madh se në epokën sovjetike.
Ai merr si shembull industrinë e duhanit me vlerë 2.5 miliardë dollarë. Në vitin 2012, parlamenti hungarez miratoi një ligj që e ktheu sektorin në një monopol shtetëror, me justifikimin e ndalimit të pirjes së duhanit nga të miturit.
Sipas ligjit, të gjitha shitjet e cigareve duhet të kryhen sipas kontratave të reja koncesionare. Më pas qeveria më pas krijoi Kompaninë Kombëtare të Tregtisë Jofitimprurëse të Duhanit për të mbikëqyrur shpërndarjen e licencave të reja. Ajo ua dorëzoi anëtarëve të rrjeteve afër qeverisë.
Dy vjet më vonë, një ligj tjetër përcaktonte se dyqanet mund të blinin produkte të duhanit vetëm nga një ndërmjetës shtetëror. Gazetarët investigativë zbuluan se një person - Lorinc Meszaros, kryebashkiaku i atëhershëm i qytetit të lindjes së Orban - qëndronte pas pjesës më të madhe të kësaj skeme, i fshehur prapa më shumë se 500 kompanive guaska. Sot, Meszaros është njeriu më i pasur i Hungarisë.
Për fat të keq, BE-ja ka qenë bashkëpunëtore në metamorfozën e Hungarisë. Gjatë viteve 2014-2020, Hungaria mori rreth 34 miliardë dollarë fonde nga Brukseli, për të cilat Bozoki dhe Fleck thonë se vetëm sa e kanë forcuar pushtetit e elitës në krye të vendit.
Nga viti 2018, BE vendosi disa sanksione ndaj Budapestit, duke ngrirë më shumë se 31 miliardë dollarë fonde, por pa e detyruar Budapestin të modifikojë ndjeshëm ndonjë nga abuzimet e tij më flagrante. Sot BE-ja po paguan një çmim të madh për tolerimin e Orban. Ajo është e rrethuar ngado nga aleatët e Orban, si në Holandë, Finlandë, Suedi, Sllovaki, Austri dhe Kroaci. Këta të djathtë duan një BE me më pak kompetenca dhe më pak centralizim - një Evropë të kombeve - dhe shumë prej tyre kërkojnë udhëheqje nga Hungaria./Përshtati Pamfleti nga “Foreign Policy”
Lini një Përgjigje