TAGS-AT E JAVËS

Forum 6 Shkurt 2025, 12:50

Si u deformua historia e PD për hatër të servilizmit!

Shkruar nga Myslim Murrizi

Si u deformua historia e PD për hatër të servilizmit!

Të thuash realitetin është tjetër gjë znj. Çupi dhe të thuash atë që mendon se i bën qejfin dikujt që ka në dorë listat është tjetër gjë.

Kur dëgjova që Dhurata Çupi paska thënë se LSI ka qenë aleate me PD në 2017 thashë që pse ka harruar edhe 2013?

Një kujtesë për znj. Dhurata Çupi e për këdo tjetër që “harron” me dashje ose nuk di të mbajë mend asgjë nga historiku politik i PD dhe marrëdhëniet me LSI dhe me Ilir Metën.

Dëgjova që znj. Çupi paska thënë që LSI është aleat i hershëm i PD. Mu duk pas si gallatë.  

E para znj. Çupi LSI nuk ka qenë në koalicion me PD në 2017 përkundrazi marrëveshja Basha-Rama më datë 17 maj 2017 ditën e LGBTQ ishte një pazar që të shkrinte LSI dhe e gjithë fushata 28 ditore e PD ishte kundra LSI.

E dyta LSI ishte partia që në prill të vitit 2013 iku nga koalicioni me PD dhe krijoi koalicion me Ramën në gjirin e Lalzit datë 1 prill, që nga ish-kryeministri Berisha u quajt me të drejtë aleanca e qelbësirave.

Në shkurt të vitit 2017 kur PD filloi një protestë në çadër që zgjati deri më datë 17 maj 2017 pothuajse të giithë prisnin që në muajin mars 2017 Ilir Meta dhe 16 deputetë të LSI do ta braktisnin Rilindjen dhe Ramën që kishte gjithsej 66 deputet, por në fakt Meta jo vetëm që qëndroi kryetar Kuvendi por pranoi të zgjidhej President vetëm me votat e PS sepse deputetët e PD ishin në çadër dhe jashtë Parlamentit

Në vitin 2021 përsëri LSI e nderuara Dhurata doli në listë më vete se ndoshta po të kishte pranuar të dilte në një listë të përbashkët me PD të paktën opozita nëse quhet e tillë LSI do të kishte marrë edhe 7 deputetë më shumë duke parë rezultatet (1 në Korçës, 1 në Elbasan, 1 në Berat, 1 në Durrës, 1 në Lezhë, 1 në Tiranë dhe 1 në Gjirokastër) sepse me 110 mijë vota nuk do merrte 4 por 11 deputetë.

Në vitin 2005 e nderuar Dhurata LSI mori 4 deputetë dhe ishte përsëri më vete megjithëse ti dhe të tjerë që nuk keni pse ta dini historikun e PD e aq më pak të LSI kaq gjatës të paktën mos flisni dokrra nëpër studio se na fyeni memorien dhe injorancën se inteligjencën keni kohë që na e fyeni.

LSI znj. Çupi ka qenë vetëm njëherë në qeveri me PD në vitin 2009 nga halli falë këtij Kodi Zgjedhor bastard qe ju votuat përsëri në korrik 2004 ngaqë PD nuk mori dot 71 mandate.

Dhe atëherë erdhi me “bllok” në dorë.

Dhe për kujtesë Znj. Çupi kur Ilir Meta ishte kryeministër në 28 nëntor 2000 ditën e pavarësisë pasi ishte në një takim me forcë në Tropojë ku nga snajperët e policisë u vra në protestë i ndjeri Syl Lusha në darkë vonë rreth orës 21:00 forcat speciale të drejtuara nga Niko Brahimaj ku drejtor i policisë së Tiranës ishte Pashk Tusha (bashkëshorti i Vitore Tushës) arrestuan përpara zyrave të PD ku sot është qendra tregtare Toptani, kryetarin e PD në atë kohë zotin Sali Berisha e në drejtorinë e policisë Tiranë kemi shkuar 7 deputetë mes tyre edhe unë znj Çupi me të ndjerin Pjetër Arbnori, të ndjerin Maksim Cikuli, z. Pal Dajçi, z.Ilir Bano, i ndjeri Ferit Hoti dhe z. Shaban Memia.

Të thuash realitetin është tjetër gjë znj. Çupi dhe të thuash atë që mendon se i bën qejfin dikujt që ka në dorë listat është tjetër gjë.

Për hatër të servilizmit mos na deformoni historinë e 34 viteve të PD.

Unë znj. Çupi jam kundra koalicionit me LSI ose PL e sotme dhe shumë kundra që zoti Meta të jetë në listën e PD sepse asnjë votë nga partia e Metës nuk vjen tek PD dhe pothuajse ajo parti është transferuar në prehër të PS nga ka dalë.

Sikurse jam kundra çdo spurdhjaku politik që kërkon patjetër të jetë në listë të mbyllur dhe shumë kundra çdo këlyshi të Sorrosit në PD sepse Sorrosi nuk luftohet me deklarata por me vendime, qëndrime dhe veprime konkrete.

Tani nxitoni të gjithë sa jeni znj. Çupi e grupohuni për të më shpallur armik siç bëtë në shkurt të vitit 2019 kur jua kërkoi Lulzim Basha që familjarisht është “shkolluar” nga Sorrosi.

Liria është një “frut” që për fat të keq vemjet politik nuk ja kanë provuar kurrë shijen se gjithë kohen hane m… për të treguar se hanë çfarë t’iu japë udhëheqësi i radhës.

Lini një Përgjigje