TAGS-AT E JAVËS

Forum 6 Shkurt 2025, 12:09

Musk apo Trump? Kush po e drejton realisht qeverinë amerikane?

Shkruar nga Tyler McBrien
Musk apo Trump? Kush po e drejton realisht qeverinë amerikane?
Donald Trump dhe Elon Musk /

Nëse nuk mund t’i përgjigjen kësaj pyetjeje të thjeshtë, zyrtarët e qeverisë dhe shoqëria civile duhet të njohin shenjat paralajmëruese të kapjes së shtetit, dhe të marrim sërish atë që është e jona...

Të premten e kaluar, Sekretari i Thesarit Scott Bessent thuhet se u dha ndihmësve të Elon Musk qasje në sistemin e pagesave të departamentit, i cili trajton më shumë se 5 trilion dollarë dhe të dhëna të ndjeshme mbi përfitimet dhe grantet e Sigurimeve Shoqërore dhe atyre shëndetësore, Medicare.

Ky sistem përmban të dhëna edhe për kompanitë që fitojnë tendera qeveritarë, dhe që janë në konkurrencë të drejtpërdrejtë me kompanitë e vetë Musk. Ky ishte raporti më i fundit shqetësues   i ndërhyrjeve të administratës në gati çdo sektor të qeverisë federale, përfshirë shkarkimet e presidentit Trump si dhe inkurajimin e nëpunësve civilë që të largohen vetë nga puna.

Nuk kemi ende një panoramë të plotë të reformave që synohet të kryhen, dhe mbeten ende të paqarta konturet e rolit dhe misionit të Elon Musk në këtë transformim. Të hënën, presidenti Trump u përpoq të ofronte njëfarë qartësie, duke thënë se “Elon nuk mund të bëjë, dhe nuk do të bëjë asgjë pa miratimin tonë”.

Por efekti grumbullues i këtyre historive, na jep në rastin më të mirë një përgjigje të ndërlikuar për atë që duhet të jetë një pyetje e thjeshtë: Kush e drejton saktësisht qeverinë federale? Është shumë shqetësues,e të mos jesh në gjendje t’i përgjigjesh kësaj pyetje prerazi me fjalët “udhëheqësit e zgjedhur në mënyrë demokratike”.

Edhe më shqetësuese është mundësia, që përgjigja e vërtetë të jetë Elon Musk, njeriu më i pasur në botë, dhe aleatë të tjerë të pazgjedhur me votë, të pakonfirmuar nga parlamenti, që nuk japin kurrkund llogari dhe që kanë dorë të lirë nga presidenti.

Ekonomistët politikë e kanë një emër për këtë dukuri: kapje e shtetit. Kjo ndodh kur interesat e individëve të pasur, ndikojnë mbi një qeveri në një shkallë të tillë, sa që ata mund të diktojnë lirishëm vendimet e politikave dhe fondet publike për përfitimin e tyre ose për të mirën e bashkëudhëtarëve të tyre ideologjikë (ose të dyjave bashkë).

Zbulimet e kësaj forme veçanërisht të dëmshme dhe të përhapur të korrupsionit kanë ndodhur në vende të tjera. Një shembull i spikatur ka ndodhur në vendlindjen e Musk, Afrikën e Jugut. Ai përbën një paralajmërim për qeveritë demokratike kudo.

Detajet ndryshojnë sipas kontekstit, por politoligia Elizabeth David-Barrett parashtron 3 mekanizma të përgjithshëm të kapjes së shtetit. Tani ato tingëllojnë shumë të njohura: diktimi i rregullave të lojës përmes ligjit dhe politikës; ndikimi mbi vendimet administrative për të kontrolluar buxhetin, emërimet, tenderat qeveritare dhe vendimet rregullatore; dhe pamundësimi i kontrolleve mbi pushtetin duke çmontuar strukturat e llogaridhënies si gjyqësori, zbatimi i ligjit dhe prokuroria, dhe institucionet e auditimit si inspektorët e përgjithshëm dhe media.

Disa nga këto strategji mund të vijnë direkt nga manuali i Projektit 2025 ose urdhrat ekzekutivë të administratës Trump. Dhe kjo gjë duhet të shqetësojë të gjithë amerikanët. Sipas David-Barrett, kapja e shtetit krijon pabarazi sistematike të gjerë dhe afatgjatë dhe i dëmton shërbimet publike.

Ndryshimi i rregullave të lojës për të lejuar lulëzimin e një marrëveshjeje të tillë të fshehtë, shkruan ajo “i lë ata pak mbajtës të pushtetit ekonomik, në një pozicion shumë të fortë për të ndikuar mbi elitat e ardhshme politike, duke konsoliduar dominimin e tyre në një dinamikë që përjetëson veten”.

Qëndrimi i fundit i Musk kundër USAID, agjencisë federale përgjegjëse për administrimin e ndihmës së huaj dhe zhvillimit që nga viti 1961, mund të ketë ardhur drejtpërdrejt nga manuali i kapjes së shtetit, vetëm se është më i pacipë në qëllimet që ka. “USAID është një organizatë kriminale. Ndaj ka ardhur koha të vdesë”-  shkroi Musk në platformën X gjatë fundjavës së shkuar.

Pikërisht në atë moment, faqja e internetit e agjencisë doli jashtë linje dhe dy zyrtarët kryesorë të sigurisë u dërguan me leje të detyruar, pasi refuzuan të lejonin hyrjen e ekipit të Musk në sistemet e sigurta të USAID-it. Ndërkohë të hënën, Musk tha se ishte konsultuar me presidentin Trump dhe kishin rënë dakord për ta mbyllur atë.

Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, tha se është a administratori në detyrë i agjencisë derisa të ndodhë kjo. Shembulli nga Afrika e Jugut, u detajua në një raport të vitit 2016 të quajtur “Kapja e  shtetit” hartuar nga mbrojtësja publike e vendit, Thulisile Madonsela.

Ai përshkruan se si gjatë disa viteve, miliarda dollarë fonde publike shkuan në xhepat e disa elitave, në vend se të investoheshin në shërbimet shëndetësore dhe sistemet arsimore që janë shumë në vështirësi. Zyra e zonjës Madonsela kishte marrë një sërë akuzash se Guptat, një familje e pasur indiane me lidhje të forta biznesi në Afrikën e Jugut (Guptat i kanë mohuar akuzat),  kishin ndikuar tek presidenti dhe zyrtarë të tjerë të lartë për të hequr ose emëruar drejtues të kompanive shtetërore “duke marrë përfitime të paligjshme përmes akteve korruptive”.

Por kapja e shtetit nuk është një gjendje endemike për Afrikën e Jugut pas Aparteidit. Për shembull, hetimi mbi operacionin “Car Wash” në Brazil, zbuloi marrëdhënie sekrete e të paligjshme në shkallën e kapjes së shtetit. Po çfarë duhet bërë në vendet që përballen me kërcënimin e kapjes së shtetit?

Së pari, ashtu si në Afrikën e Jugut, duhet të kryhet një hetim i profilit të lartë, të drejtuar nga elementë të qeverisë që nuk janë kapur ende. Megjithëse Shtetet e Bashkuara nuk kanë një zyrë të mbrojtësit të interesit publik, disa agjenci mbikëqyrëse të qeverisë federale mund të zgjerojnë kompetencat e tyre hetimore.

Trump ka shkarkuar deri tani 17 inspektorë të përgjithshëm. Por agjenci të tjera, përfshirë Shërbimin e Kërkimeve të Kongresit, Zyrën e Përgjegjshmërisë së Qeverisë ose Zyrën e Buxhetit të Kongresit, mund ta rritin veprimtarinë e tyre.

Së dyti, udhëheqësit e opozitës duhet të ngrenë alarmin. Demokratët kanë qenë relativisht të heshtur që nga 20 janari. Kapja e shtetit ofron mesazhin e urgjencës, që kryesisht po mungon teksa po hyjmë në javën e tretë të administratës së re.

Së fundi, përshkrimet mbi kapjen e shtetit duhet t’u drejtohen drejtpërdrejt viktimave të tij: popullit amerikan. “Nëse jemi fajtorë për mos denoncimin në media të kapjes së shtetit, kjo ka të bëjë me dështimin tonë për të krijuar një lidhje të hapur midis zhargonit politik dhe qenieve njerëzore reale”- shkruante në vitin analisti politik afrikano-jugor Eusebius McKaiser.

Kur një djalë 5-vjeçar u mbyt në feçe në një tualet të rrënuar në shkollën e tij, ndërsa biznesmenë të pasur akuzoheshin për nxjerrjen e parave nga ndërtimet shkel e shko, McKaiser deklaroi se nxënësi “vdiq për shkak të kapjes së shtetit”. Amerikanët duhet ta dinë se kush është në krye të qeverisë së tyre kombëtare.

Nëse nuk mund t’i përgjigjen kësaj pyetjeje të thjeshtë, zyrtarët e qeverisë dhe shoqëria civile duhet të njohin shenjat paralajmëruese të kapjes së shtetit, dhe të marrim sërish atë që është e jona./Përshtati Pamfleti nga “New York Times”

musk trump qeveria amerikane

Lini një Përgjigje