TAGS-AT E JAVËS

Forum15 Korrik 2025, 20:38

RTSH nuk është pronë e Batonëve, është një e drejtë publike që duhet mbrojtur

Shkruar nga Arben Papadhopulli

RTSH nuk është pronë e Batonëve, është një e

RTSH nuk ka nevojë të mbarojë. RTSH ka nevojë të reformohet.

Në moshën 55-vjeçare, pas një kontributi të gjatë dhe modest në zhvillimet kinematografike dhe audiovizive shqiptare — përfshirë edhe bashkëpunime me transmetuesin publik RTSH, nuk mund të rri më në heshtje përballë shkrimeve radikale e destruktive që i drejtohen këtij institucioni. Sidomos kur ato vijnë nga figura si Z. Baton Haxhiu, një individ që nuk është as krijues, as përfaqësues i mendimit të lirë në kuptimin e vërtetë, por vetëm një produkt i pastruar dhe i mbrojtur me fanatizëm nga rrymat më të kontaminuara politike të Shqipërisë.

Le ta themi qartë: Z. Baton nuk ka ndonjë kontribut të matshëm në zhvillimin e mendimit kritik shqiptar, në gazetari cilësore apo në mbrojtjen e interesit publik. Përkundrazi, ai është një përfitues serial i imazhit që i ka krijuar politika shqiptare, pa ndonjë meritë përtej lidhjeve klienteliste dhe lojalitetit të palëkundur ndaj atyre që janë në pushtet. RTSH nuk ka nevojë të mbarojë. RTSH ka nevojë të reformohet.

RTSH nuk është perfekte. Askush nuk e mohon këtë. Por të tallesh publikisht me RTSH, të thërrasësh për shuarjen e saj si një lloj mode politike, është të kërkosh që media publike t’i dorëzohet portaleve të “Batonëve të çdo nate”, që interpretojnë mendimet dhe vendim marrjet e e Ramës, Berishës, Trumpit apo Van der Leyen, me një seriozitet aq karagjoz sa te ben per te vjelle.

Është si të thuash: Le ta heqim transmetuesin publik dhe t’ia japim debatin publik thashethemeve të tavolinave dhe pseudokomentuesve që mbushin ekranet me llafe të zbrazëta e teori konspirative.
RTSH ka nevojë për një strategji agresive programacioni, jo për funeral.

Punonjësit e RTSH kanë nisur, me shumë vështirësi dhe pa mbështetje të vërtetë institucionale, të krijojnë programe fantastike në zhanre të ndryshme: dokumentarë, seriale, emisione kulturore, përmbajtje origjinale. Këta janë njerëzit që duhen përkrahur, jo ata që vijnë nga jashtë, hedhin baltë dhe më pas i rikthehen jetës së tyre të rehatshme prej interpretuesish të agjendave të huaja.

RTSH mund të jetë burokratike, e ngurtë, nganjëherë e lodhur, por nuk është një institucion pa vlerë. Dhe nuk ka pse të bëhet shënjestër e atyre që nuk kanë asnjë lloj lidhje me misionin publik të transmetimit, dhe që vijnë e ikin në ekran thjesht për të marrë një rrogë ose një vend në listën e ftesave të pushtetit.

RTSH nuk duhet të jetë as kështjellë propagande, as terren për eksperiment social me opinionin publik. Ajo duhet të jetë e reformuar thellë, jo për t’u bërë “trendy”, por për t’u bërë efikase, e ndershme dhe e guximshme në përmbajtje. Dhe për këtë, nuk na duhen as Batonët, as këshillat e tyre të importuara, as moralizmat e tyre prej komentatorësh televizivë që shesin mençuri për mendimet e të tjerëve.

RTSH është shtëpia e publikut. Dhe ajo do të mbrohet, me mendje, me zë, dhe me krijimtarinë që meriton.
Shkatërrimi nuk është reformë. Dhe shërbimi publik nuk është çështje modes, por një nevojë demokratike e pazëvendësueshme.

Lini një Përgjigje