TAGS-AT E JAVËS

Forum 9 Qershor 2025, 14:30

Pse do të dështojë partia e re e Elon Musk

Shkruar nga Pamfleti

 

Pse do të dështojë partia e re e Elon Musk
Elon Musk /

Sistemi amerikan është ndërtuar për të favorizuar konkurrencën midis vetëm 2 partive. Sigurisht, pakënaqësia po rritet, dhe shumë amerikanë nuk ndihen më të përfaqësuar nga demokratët dhe republikanët. Por ata që duan një parti të tretë aspirojnë diçka që u ngjan atyre. Dhe Musk nuk i përfaqëson...                                    

Vitin e kaluar, Elon Musk e ndihmoi Donald Trumpin që të zgjeronte bazën e mbështetësve të MAGA-s. Nga ai moment, ajo nuk ishte më vetëm një lëvizje e pleqve të bardhë nostalgjikë, që refuzonin ndryshimet kulturore të nxitura nga demokratët. Por nisi të përfaqësonte një vizion të ri politik, të projektuar për të ardhmen.

Aq sa gjatë fjalimit të tij të inaugurimit në detyrën, Trump promovoi sërish utopinë e dashur për “mikun e tij”, pushtimin dhe kolonizimin e planetit Mars. Një ëndërr amerikane ndërplanetare dhe gjithëpërfshirëse, e cila nisi të mbështetej gjithnjë e më shumë midis të rinjve dhe latino-amerikanëve, duke hedhur themelet e një populizmi multietnik dhe aspirues.

Pse do të dështojë partia e re e Elon Musk
Politologu Yascha Mounk /

Ndarja e ditëve të fundit, tregon se Trump nuk është i aftë t’i mishërojë këto ambicie në një mënyrë të qëndrueshme. Yascha Mounk, politolog në Universitetin John Hopkins në SHBA, një ekspert i populizmit dhe identitetit politik, shpjegon se përse Musk s’do të ketë sukses nëse do të krijojë një parti të tijën, në një përpjekje për çarë sistemin 2-partiak qindravjeçar.

Të premten, Musk u përpoq pa sukses të komunikonte në telefonon me Trumpin. A është ende e mundur që të dy të ripajtohen?

Donald Trump ka mentalitetin e një kumbari të mafias, dhe në këndvështrimin e tij Elon Musk është treguar i pabesë në raport me të. Në këto kushte, një pajtim do të duhet të kalojë përmes një kërkese publike për falje dhe një forme poshtërimi. Diçka që më duket e pamundur, duke pasur parasysh që egoja e Elon, është po aq e madhe sa e ajo Donaldit.

Atëherë, a do të krijojë Musk një parti politike, siç edhe ka kërcënuar?

Ai i ka paratë për ta bërë këtë, dhe për të mbështetur një fushatë zgjedhore. Por duke pasur parasysh mungesën e popullaritetit, kjo më duket një perspektivë e pamundur. Edhe sepse sistemi zgjedhor amerikan, është ndërtuar për të favorizuar dy partitë e mëdha ekzistuese.

Deri më sot, një parti e tretë ka arritur t’u marrë vetëm 2 vota në Kolegjin Zgjedhor dy partive kryesore. Sigurisht, pakënaqësia po rritet dhe shumë amerikanë nuk ndihen më të përfaqësuar nga demokratët dhe republikanët. Por ata që duan një parti të tretë aspirojnë diçka që u ngjan atyre. Dhe Elon Musk nuk është një figurë e tillë.

Nëse do të vendoste të kandidonte, cilës nga 2 partitë e mëdha do t’i merrte më shumë vota?

Sot ai konsiderohet si i krahut të djathtë, pasi deri dje ishte një aleat i ngushtë i Trump. Por nëse vazhdon të kritikojë presidentin, mund të tërheqë me vete elektoratin që nuk pëlqen demokratët, por që në të njëjtën kohë e urren Trumpin.

Me cilin do të rreshtohen të mëdhenjtë e Silicon Valley në këtë përplasje?

Ka nga ata që besojnë se kjo ndarje, është një simbol i pamundësisë së një aleance më të gjerë me lëvizjen MAGA. Për këtë mjafton të kujtojmë pak qëndrimet e kundërta mbi universitetet: ndërsa Silicon Valley është i etur për talentet që gjenden kudo në botë, Trump po ua vështirëson atyre ardhjen në Shtetet e Bashkuara. Por ka edhe të tjerë mendojnë se Elon Musk ka një personalitet kompleks, është pabesueshëm dhe përdor drogë.

Zëvendëspresidenti J.D. Vance ka shumë lidhje me figura të afërta me Musk...

Po, si për shembull me sipërmarrësin Peter Thiel, që themeloi kompaninë PayPal së bashku me Elon. Por Vance nuk ka qenë kurrë një aleat specifik i Elon Musk. Dhe mbi të gjitha, ai di t’i bëjë mirë llogaritë, dhe është një karrierist i aftë të ndryshojë me shpejtësi aleancat. Midis populizmit proletar dhe interesave elitiste të Silicon Valley, ai do të zgjedhë të parën.

Musk pretendon se Trump i ka borxh fitoren që arriti në zgjedhjet e vitit të kaluar...

Kjo është e vërtetë, por jo aq shumë për 300 milionë dollarët e investuar në fushatë. Zgjedhjet presidenciale sjellin gjithmonë shumë para. Ai bëri diferencën duke blerë platformën X, që deri atëherë ishte ekuilibruar, dhe që përcillte edhe vlerat e të majtës. Musk e ndryshoi natyrën e saj, dhe e bëri më pak të rëndësishme.

Të dy po e sulmojnë ashpër njëri-tjetrin nga rrjetet e tyre sociale...

Sulmet e Musk bëhen përmes platformës X, ndërsa Trump i kundërpërgjigjet nga rrjeti i tij social Truth. Ndërkohë demokratët përdorin më shumë platformën Bluesky, që anon dukshëm nga e majta. Është një luftë e zhvilluar përmes mediave sociale, por ku secili mbetet në flluskën e vet. Janë sfera të ndara, dhe s’ka ndonjë përpjekje për t’u përballur me njëri-tjetrin. Diçka që nuk është pozitive kulturën qytetare në planin afatgjatë.

Ka nga ata që thonë se e gjitha kjo përplasje është e inskenuar për të shkëputur vëmendjen nga dështimet e Trumpit në Ukrainë, Gaza, dhe me tarifat...

Nuk e besoj këtë, sepse Donald Trump nuk ka nevojë për përplasje kaq të bujshme. Ai nuk po del shumë mirë në sondazhe, por sërish nuk është ende aq keq.

Çfarë duhet të presim në vazhdim?

Lufta midis të dyve do të vazhdojë, ku fazat më të nxehta do të alternohen me ato më të ftohta. Kjo përballje do të jetë sa interesante, po aq edhe e pavlerë në raport me interesin e publikut./Pamfleti nga “La Repubblica”

elon musk parti e re yascha mounk

Lini një Përgjigje

Forum