TAGS-AT E JAVËS

Forum 4 Tetor 2024, 17:10

Politika po përzë shqiptarët nga atdheu!

Shkruar nga Spartak Ngjela

Politika po përzë shqiptarët nga atdheu!

Ata kanë humbur perspektivën dhe prandaj kanë emigruan masivisht nga Shqipëria.

Paaftësia e disa qeverive që vijnë rresht njëra pas tjetrës në drejtimin e një shteti, krijojnë pasivitetin e një populli. Kurse pasiviteti vjen se ky popull ose kjo shoqëri, ka humbur perspektivën.

l.

Pasiviteti i një populli në lidhje me zgjedhjen e drejtuesëve ose të qeverive që e drejtojnë, krijon rënien shpirtërore të një shoqërie, sepse kjo krijon humbjen e perspektivës së vetë shoqërisë.

Ja, në këtë gjendje shoqërore janë shqiptarët sot.

Ata kanë humbur shqisën politike të zgjedhjes së mirë. Dhe prandaj janë në çastet historike kur mendimi individual i tyre ka humbur perspektivën. Sepse janë dy faktorë që kanë influencuar: pagat ende të ulta dhe pamundësia për të zgjedhur realisht qeverinë.

Dhe prandaj Shqipëria nuk ka sot një kapacitet drejtues të shtetit të vet. Qeveria aktuale është në bllokim të krijimit të saj ideor, në funksion të drejtimit politik dhe krijimit të një ekonomie moderne. Kudo sheh staniacion dhe mungesë shprese.

Po ku është sot burimi i të ardhurave që e po mban në një nivel mesatar varfërinë e shqiptarëve?

Sot në Shqipëri gjithçka mbahet në një jetë normale nga prurjet e emigracionit shqiptar që punon në Perëndim.

Sigurisht kjo nuk është rregres shoqëror, por është progres shoqëror.

Por, megjithatë, ne na duhet të pyesim: kur do fillojë që puna në Shqipëri të krijojë jetën normale të shqiptarëve, të cilët ketë deri tani e kanë gjetur vetëm me emigrim?

II.

Po qeveria Rama çfarë po bën për këtë çështje?

Qeveria Rama është në vend numuro. Ajo po përsërit ato që ka thënë që në vitin 2015. Dhe prandaj, si qeveri është rreth dhjetë vite në staniacion.

Po shqiptarët?

Ashtu siç e thashë më lart, shqiptarët në të përgjithshme e tyre kanë humbur perspektivën, por në të njëjtln kohë, në kërkim të punës, emigracioni shqiptar në Perëndim është rreth 1.5 milionë. Dhe të gjithë janë të punësuar.

Pikërisht kjo është pika pozitive që po e mban vendin jashtë një varfërie ekstreme.

Shqiptarët sot, sipas asaj që theksuam, kanë krijuar një jetë mesatare, e cila po duket sikur po ecën me sukses.

Megjithatë, fakti që shumica e të rinjve të Shqipërisë mendojnë për emigrimin e tyre në Perëndim, duhet ta pranojmë që kjo kupton se ata nuk e ndiejnë që mund të kenë perspektivë në Shqipëri.

Por, humbja e perspektivës së një shoqërie, krijon gjithmonë pesimizmin shoqëror në lidhje me të ardhmen.

III.

Por, si krijohet psikika bllokuese e një shoqërie, kur kjo i vjen nga Humbja e Perspektivës?

Perspektiva është një vështrim mendor i një rëndësie relative të një marrëdhënieje ose të pikëpamjeve - Oxford Dictionary.

( Kjo na sjell më pas në një pikëpamje ose në një mënyrë mendore të vështrimit të një diçkaje që pritet të vijë. Prandaj, perspektiva është thjesht një pikëpamje e formuar për sendet apo fenomenet që po priten të vijnë).

Por, kur vjen fjala për politikën, humbja e perspektivës është krijimi i pesimizmit shoqëror, sepse kjo ka të bëjë me jetën e shoqërisë. Dhe, prandaj, na duhet ta themi se si është sot gjendja e shqiptarëve në Shqipëri:

Ata kanë humbur perspektivën dhe prandaj kanë emigruan masivisht nga Shqipëria.

III.

Kur një shoqëri ose një popull drejtohet nga njerëz që nuk dinë se çfarë është jeta dhe kapaciteti i tyre dhe prandaj nuk e dinë se çfarë duhet të drejtojnë, në konkurrencën që të imponon jeta aktive, ky vend humbet interesin për qeverinë e tij, sepse shoqëria ka humbur perspektivën pozitive të zhvillimit të saj në kohë.

Por individi ndihet i lodhur, nëse kjo gjendje zgjat shumë në kohë. Dhe pikërisht këtu humbet perspektiva pozitive, dhe fillon pesimizmi njerëzor. Sepse dihet që perspektiva mund të krijojë suksesin, por edhe regresin tënd.

Pikërisht kjo është gjendja shoqërore aktuale e shqiptarëve në vendin e tyre - ata kanë humbur perspektivën, prandaj i janë drejtuar emigrimit në Perëndim.

Por çështja që duhet ngritur, është kjo: edhe pse emigrimi masiv i shqiptarëve në Perëndim ka qenë një moment historik pozitiv, ne na duhet të pyesim: Çfarë na ka thënë qeveria Rama në lidhje me të ardhmen tonë si shoqëri dhe si shtet shqiptar?

Ja, pikërisht këtë po presim të dëgjojmë nga qeveria Rama.

Por deri tani, nuk kemi dëgjuar gjë.

ngjela

Lini një Përgjigje