
Evropa përballet sigurisht edhe me vështirësi ekonomike, por problemet e saj nuk duhen zmadhuar. Planet e BE-së për rritje dhe investime janë të qarta. Tani, ajo duhet të përqendrohet tek uniteti dhe shpejtësia e zbatimit të reformave...
Në fillim të këtij viti, shumë njerëz po përshëndesnin një ekonomi amerikane triumfuese, të mbështetur nga perspektiva e uljes së taksave, anulimit të shumë rregulloreve burokratike, energjisë së lirë dhe investimeve masive në Inteligjencën Artificiale.
Në janar, në kohën e Forumit Ekonomik Botëror të Davosit, ishte shumë e lartë vlera në bursa e kompanive amerikane, sidomos atyre dixhitale. Gjatë diskutimeve në atë panel, tryezat e rrumbullakëta dhe takimet me dyer të mbyllura, analistët lartësuan virtytet e Shteteve të Bashkuara si një destinacion investimi dhe e kritikuan Evropën si të mbi-rregulluar, jo konkurruese dhe të paaftë për inovacion.
Ndërkohë, u lanë mënjanë pyetjet në lidhje me “mbinxehjen”, ndërsa u pritën me skepticizëm shqetësimet në lidhje me ndikimin e kombinuar të rritjes së mundshme të tarifave dhe deportimeve tek inflacioni. Gati 4 muaj më vonë, kontrasti nuk mund të ishte më i thellë.
Politika kaotike tregtare e administratës Trump, hakmarrja që ka provokuar, dhe pasiguria e nxitur nga deklaratat kontradiktore të presidentit amerikan dhe këshilltarëve të tij, po ndikojnë negativisht në ekonominë amerikane. Tregjet dhe bizneset e mbivlerësuan qëndrueshmërinë e planeve ekonomike të administratës.
Ç’është më e keqja, sulmet e Trump ndaj sundimit të ligjit dhe gjyqësorit, universiteteve, studiove ligjore dhe institucioneve shkencore, po dëmtojnë themelet e asaj që i bën Shtetet e Bashkuara kaq tërheqëse për investime, dhe i jep asaj një peshë kaq të madhe në skenën botërore.
Të kërcënuar nga kërkesat territoriale dhe nga pikëpyetjet rreth partneriteteve të tyre mbrojtëse, fqinjët dhe aleatët e kanë humbur besimin tek Uashingtoni. Për këto arsye, ky është momenti kur Evropa duhet të bëjë një zgjedhje vendimtare për të ardhmen.
Për më shumë se 80 vjet, Evropa dhe Shtetet e Bashkuara kanë përfituar nga marrëdhënia më e madhe dhe më e thellë ekonomike dhe tregtare në botë, aleanca ushtarake më e sofistikuar dhe shkëmbimet më të ngushta ndërpersonale.
Së bashku, të dy blloqet kanë ndërtuar një sistem ndërkombëtar të bazuar në rregulla, që ka siguruar stabilitet dhe progres global. Dhe s’ka qenë gjithmonë e lehtë. Ka pasur fërkime tregtare dhe përçarje të mëdha, veçanërisht në lidhje me pushtimin amerikan të Irakut në vitin 2003 dhe dëshirën e SHBA-së për t'u shkëputur nga Evropa si pjesë e një ndryshimi më të madh strategjik drejt Azisë, veçanërisht Kinës, që filloi gjatë administratës Obama.
Por ngjarjet e këtij viti, shënojnë një pikë kthese në marrëdhënien transatlantike; administrata Trump nuk dëshiron që Evropa të ketë sukses. Ajo do të përpiqet ta dobësojë kontinentin përmes një përzierjeje të shtrëngimit të jashtëm dhe politikave grabitqare: duke pretenduar se duhet të kontrollojë Groenlandën për sigurinë e saj kombëtare, kërkuar afrim me Rusinë në kurriz të sigurisë ukrainase dhe evropiane, dobësuar mbrojtjen e NATO-s dhe duke ushtruar presion mbi tregtinë.
Dhe kjo do të inkurajojë forcat anti-evropiane brenda BE-së. Zyrtarët në të gjitha kryeqytetet evropiane e kanë marrë këtë mesazh. Ka mbaruar epoka e aleancës euro-amerikane pas Luftës së Dytë Botërore. Qetësimi i Shteteve të Bashkuara nuk do të funksionojë.
Nëse Evropa nuk dëshiron të bëhet vasale e Uashingtonit, apo pjesë e sferës së ndikimit të Rusisë, duhet ta marrë në duart e veta të ardhmen e saj. Kontinenti ka nevojë për një strategji të qartë, veprim kolektiv dhe vendosmëri.
Evropa ka atë që duhet: njerëz të talentuar, pasuri, një rrjet të fortë sigurimesh sociale, fuqi prodhuese dhe një ndjenjë pro-evropiane në rritje midis qytetarëve të saj - një domosdoshmëri që këto vende të integrohen më tej.
Por duke pasur parasysh detyrën që kemi përpara, do të ishte marrëzi të mendojmë se progresi do të jetë i lehtë. Hapat e mëdhenj drejt integrimit më të madh evropian, përfshirë ndërtimin e tregut të vetëm ose futjen e euros, kanë kërkuar kohë dhe lidership politik.
Sot që të dyja janë në sasi të pakët. Dhe integrimi që ka filluar si përgjigje ndaj krizave, si kriza financiare e vitit 2008 apo pandemia e Covid-19, ndodhi vetëm pasi ishin eksploruar të gjitha opsionet e tjera, duke e lënë Evropën të dobësuar ekonomikisht dhe të rraskapitur politikisht.
Forca ekonomike dhe vullneti politik i kontinentit për të ndërtuar një mbrojtje të përbashkët më të aftë dhe për të nxitur rritjen ekonomike janë shumë të forta. Pas Konferencës së Mynihut të këtij viti, ku numri 2 i SHBA J.D.Vance u tregoi edhe njëherë se çfarë duhet të prisnin nga SHBA, BE ka krijuar një fond prej 800 miliardë euro për sigurinë dhe mbrojtjen, si dhe për ndërtimin e një tregu mbarë-evropian për pajisjet ushtarake.
Në më pak se 2 muaj, janë zbutur rregullat fiskale ekzistuese të BE-së për t’u lejuar shteteve anëtare të devijojnë nga shpenzimet neto të rekomanduara deri në 1.5 për qind në vit për të rritur shpenzimet e mbrojtjes. Përveç kësaj, BE-ja do të marrë hua deri në 150 miliardë euro për të mbështetur blerjen e përbashkët nga shtetet anëtare të pajisjeve të mbrojtjes të prodhuara në bllok, por edhe për të nënshkruar kontrata me partnerët me të cilët BE-ja ka marrëveshje dypalëshe mbrojtëse, të tilla si Japonia, Norvegjia dhe Koreja e Jugut, ose me të cilët blloku mund të negociojë marrëveshje të ardhshme si Turqia ose Britania e Madhe.
Në Gjermani, Bundestagu ka miratuar një fond të posaçëm 500 miliardë euro gjatë 12 viteve të ardhshme për investime në infrastrukturë dhe rezistencën ndaj ndryshimeve klimatike. Suedia, Finlanda, Spanja dhe Franca po mendojnë të bëjnë të njëjtën gjë.
Evropianët planifikojnë të mbështesin zbatimin e një marrëveshjeje të mundshme paqeje midis Ukrainës dhe Rusisë. Por ndërkohë ata mund të fillojnë rregullimet institucionale që përbëjnë arkitekturën e saj të sigurisë, për t’u siguruar që ajo të mos i nënshtrohet rreziqeve të paraqitura nga një NATO e dominuar nga SHBA-ja.
Ekonomia evropiane është nënvlerësuar, por kjo për fajin e vetë kontinentit. Dihet se integrimi evropian tenton të përparojë vetëm kur blloku është në krizë. Krahasimet midis ecurisë ekonomike të Shteteve të Bashkuara dhe BE-së, kanë tendencën të shtrembërohen nga forca e dollarit.
Por kur matet në barazinë e fuqisë blerëse, hendeku në rritjen e prodhimit midis dy partive është më i vogël. Ndërkohë Evropa ofron stabilitet dhe parashikueshmëri, karakteristika shumë të çmuara në mjedisin global të paqëndrueshëm të sotëm.
Në nivelin makroekonomik, inflacioni është ngadalësuar dhe kostot e huamarrjes po bien. Deficitet dhe borxhi publik, janë gjithashtu më të ulëta në Evropë sesa në ekonomitë e tjera të mëdha, duke lejuar hapësira të mëdha manovrimi në rastin e një krize ekonomike.
Evropa përballet sigurisht edhe me vështirësi ekonomike, por problemet e saj nuk duhen zmadhuar. Planet e BE-së për rritje dhe investime janë të qarta. Tani, ajo duhet të përqendrohet tek uniteti dhe shpejtësia e zbatimit të reformave./Përgatiti Pamfleti
Shënim: Arancha González Laya, dekane e Shkollës së Çështjeve Ndërkombëtare të Parisit në Sciences Po dhe ish-ministre e Jashtme e Spanjës.
Lini një Përgjigje