
Qeveritë më të vogla, dhe me më pak burime, ua lënë pushtetin korporatave, dhe për rrjedhojë pronarëve që i kontrollojnë ato. Kjo i vendos oligarkët në një pozicion shumë të fortë për ta dobësuar demokracinë e Amerikës...
Për dekada me radhë, amerikanët kanë ngurruar t’i etiketojnë si oligarkë miliarderët që financojnë fushatat elektorale. Duket sikur ky term i përshtatej më mirë Rusisë, duke krijuar imazhin e figurave që qëndrojnë në hije, dhe që e përdorin korrupsionin dhe kriminalitetin për të ndërtuar dhe mbrojtur perandoritë e tyre të biznesit.
Megjithatë, donatorët e mëdhenj si Elon Musk, Peter Thiel dhe David Sacks, jo vetëm që ndihmuan në katapultimin e Donald Trump në një mandat të dytë si president i SHB-së, por tani po marrin përsipër drejtimin e qeverisë amerikane. Ndaj duket se nuk është më e mundur, që të argumentohet se SHBA-ja nuk ka grupin e vet të oligarkëve.
Ashtu si homologët e tyre rusë të viteve 1990, kjo racë e re oligarkësh amerikanë dëshiron që të dobësojë institucionet politike dhe të dëmtojë aftësinë e qeverisë për të rregulluar sjelljen e biznesit. Por në dallim nga paraardhësit e tyre të epokës së Yelstin, kjo “broligarki “ dhe përpjekjet e tyre për të riformatuar shtetin amerikan, duket se gëzojnë mbështetje shumë më të madhe popullore.
Me termin oligark, njerëzit u referohen në përgjithësi individëve të pasur që ushtrojnë një ndikim politik të rëndësishëm. Përgjatë gjithë historisë, ky përdorim strategjik i burimeve ekonomike është shfrytëzuar për të financuar fushatat elektorale dhe aktivitetet lobuese, për të miratuar ligjet që u interesojnë, apo edhe për të marrë poste të larta politike për vetë oligarkët apo përfaqësuesit e tyre.
Pra një biznesmen bëhet oligark, kur ai ka mundësi të orientojnë politikën kombëtare në interesin e tij vetjak. Megjithatë, aftësia e oligarkëve për të zotëruar pasuri dhe pushtet politik, varet shpeshherë nga mënyra se si përfitojnë. Gjatë viteve 1990, oligarkët rusë si Mikhail Khodorkovsky dhe Vladimir Potanin, i ndërtuan perandoritë e tyre mbi rrënojat e komunizmit sovjetik, të mbështetur nga lidhjet e tyre politike.
Qasja tek zyrtarët e qeverisë, i ndihmoi të shtinin në dorë pronat shtetërore me shumë vlerë, por të nënvlerësuara qëllimisht nëpërmjet procesit të privatizimit, kryesisht nëpërmjet skemës së presidentit Yelstin “hua në këmbim të aksioneve”, në prag të zgjedhjeve presidenciale të vitit 1996.
Në qershorin e vitit 2003, 10 grupet kryesore oligarkike të Rusisë, zotëronin 60 për qind të tregut të aksioneve në vend. Në këtë kuptim, oligarkët e epokës Yelstin lindën nga dobësitë e tranzicionit të ri kapitalist të vendit të tyre. Dhe kjo e vendosi në pikëpyetje sigurinë e pronave të tyre.
Për sa kohë që publiku i gjerë besonte se këta individë u pasuruan nga korrupsioni - dhe e përdorën korrupsionin për të mbrojtur aksionet e tyre - kërcënimi i shtetëzimit dhe ndryshimi i rezultateve të privatizimit, do të varej mbi ta si Shpata e Demokleut.
Disa oligarkë rusë, ishin të shqetësuar për shlyerjen e mëkateve fillestare që i pasuruan. Veprimtaria bamirëse mund të ndihmonte në zbutjen e zemërimit në rritje të publikut, dhe në pastrimin e imazhit negativ. Për më tepër, kopjimi i praktikave të biznesit si në Perëndim, por edhe i standardeve të qeverisjes së korporatave, mund të ndryshonte perceptimet mbi aftësitë e tyre të menaxhimit.
Nëse populli rus do të shihte se oligarkët silleshin me ndershmëri dhe ishin shumë bamirës, atëherë ndoshta pasuria e tyre do të ishte e sigurt. Oligarkët e epokës së Yelstin, kishin në pronësi dhe drejtonin perandoritë mediatike, të cilat teorikisht mund t’i kishin përdorur për të riparuar imazhet e tyre.
Kështu Boris Berezovsky zotëronte televizionin ORT (pararendës i Channel One) dhe disa nga gazetat kryesore ruse. Si “manjati i parë dhe më i madh i medias në Rusi”, Vladimir Gusinsky ndihmoi në shpëtimin e fushatës zgjedhore të Boris Yelstin në vitin 1996.
Por prirja për të ndërhyrë në ngjarjet më të rëndësishme politike të epokës, e zemëroi akoma më shumë publikun. Për shumë oligarkë, imazhi ishte dëmtuar aq shumë nga grykësia që shoqëroi procesin e privatizimit, saqë për ta do të ishte më mirë të reduktonin dukshmërinë e tyre publike, që të mos provokonin hakmarrje.
Ku mori pushtetin në vitin 2000, presidenti Vladimir Putin e ndjeu këtë perceptim të publikut, dhe e përdori me shkathtësi shantazhin për t’i nënshtruar oligarkët e epokës Yelstin. Ata që kishin frikë nga regjimi i ri, iu bindën këshillës së Putinit për t’u distancuar krejtësisht nga politika.
Të tjerët si Mikhail Khodorkovsky sfiduan fatin, duke vazhduar të organizoheshin politikisht, derisa një ditë humbën pothuajse gjithçka. Eksperimenti oligarkik i viteve 1990 ua la vendin miqve të Putinit, të cilët morën kontrollin e shtyllave kryesore të ekonomisë ruse. Oligarkët amerikanë, po vendosen sot në poste të fuqishme qeveritare, duke pasur akoma më pak detyrime politike.
Në fakt, historitë e origjinës së miliarderëve pranë Trump, janë në një farë mënyre të kundërta me ato të Rusisë. Pasuritë e tyre kanë ardhur nga disa prej industrive më dinamike dhe inovative të Amerikës: teknologjia, të dhënat, financat dhe tranzicioni i energjisë etj. Po ashtu, ekonomia amerikane është shumë më e larmishme sesa ajo e Rusisë në vitet 1990.
Edhe duke pasur një pabarazi të madhe, afro gjysma e pasurisë së vendit mbahet nga 750 miliarderë, dhe jo 10 si në Rusi. Edhe pse oligarkët më aktivë në politikën amerikane, vlerësohen publikisht si heronj të kapitalizmit, e vërteta është se shumë prej tyre ia detyrojnë ngritjen e tyre ndihmës nga qeveria amerikane.
Kështu Elon Musk ka sot një rol qëndror në qeverinë e re të SHBA-së, pasi 2 nga kompanitë e tij kryesore - Tesla dhe SpaceX - përfitojnë nga uljet e mëdha të taksave, kreditë e subvencionuara dhe nga shumë tenderat qeveritarë.
Palantir - e themeluar nga Peter Thiel - mori në fazat e tij të hershme investime nga CIA, dhe tani krenohet me qindra milionë dollarë të ardhura nga prokurimet publike. Por manovrimet e shkathëta të oligarkëve amerikanë, dhe tani pronësia e mediave të reja, ka ndihmuar në lënien në hije të kësaj lidhjeje mes pasurisë së tyre dhe bujarisë së qeverisë.
Miliarderët dominojnë mediat me ankesat e tyre sesi qeveria ua ka penguar bizneset. Vetë Trump është përpjekur t’i portretizojë betejat e tij me qeverinë federale si një aset politik, pasi vetëm ai zotëron aftësinë për ta shpëtuar SHBA-në nga strukturat e “shtetit të thellë”. Ndërkohë Musk e ka përdorur platformën X për ta pozicionuar veten si një kampion i fjalës së lirë, dhe si një mburojë kundër tejkalimit të pushtetit të qeverisë mbi shoqërinë.
Kjo lloj propagande mund të ketë një efekt. Vetëm një dekadë nga lëvizja “Occupy Wall Street”, ka një ndarje të opinionit rreth miliarderëve dhe Ëndrrës Amerikane. Nga njëra anë, amerikanët duan që të pasurit të paguajnë më shumë taksa, dhe që korporatat të qëndrojnë jashtë politikës.
Por nga ana tjetër, ata duket se i besojnë disa prej rrëfimeve heroike të sipërmarrësve të teknologjisë, që pretendohet se po e shpëtojnë ekonominë amerikane. Shumica e amerikanëve, besojnë se kompanitë e teknologjisë kanë një efekt pozitiv në shoqëri, dhe preferojnë një qeveri që ofron më pak shërbime dhe ndihmë për të varfrit.
Ky është një terren pjellor për oligarkët amerikanë, të cilët mund të arrijnë të njëjtin qëllim përfundimtar si oligarkët e Yelstin: dëmtimin e institucioneve politike dhe rregulloreve, që frenojnë përfitimin e kompanive të tyre dhe dominimin e tregut.
Qeveritë më të vogla, dhe me më pak burime, ua lënë pushtetin korporatave, dhe për rrjedhojë pronarëve që i kontrollojnë ato. Kjo i vendos oligarkët në një pozicion shumë të fortë për ta dobësuar demokracinë e Amerikës./Përshtati Pamfleti nga “The Moscow Times”
Shënim: David Szakonyi, profesor i asociuar i shkencave politike dhe marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Xhorxh Uashington, SHBA.
Lini një Përgjigje