
Sot është Bajram. Nëse Ramazanin e mbajnë vetëm besimtarët, Bajramin e shijojmë të gjithë. Gëzuar!
Për sherr duhen dy vetë. Te ne nuk duhet të ketë as arsye për sherr. Por kësaj radhe në sherr u përfshi edhe një mercedes. Tashmë çdokush e njeh opinionistin laik dhe dijetarin islam, të përfshirë në sherrin më të madh publik të këtij viti. Ra ky sherr publik dhe më nuk ka nevojë të prezantohen.
Po e dini për kë është fjala dhe për cilin sherr. Nuk po i përmend me emër për mos me dhënë pretekst për replikë pasi Kosova është një medium i vetëm virtual. Aq u bë e madhe kjo çështje sa tashmë i njeh krejt Kosova, Shqipëria, MV dhe krejt diaspora, deri në Alaskë. Edhe në lindje deri në Indonezi. Ndoshta edhe pak më tutje por nuk e kam idenë se deri ku ka mbërri kjo çmenduri.
Por, nuk do të merremi me “problematikët” , por vetëm me problemin.
Për të sqaruar opinionin, opinionisti është në fakt një gazetar, por duke qenë se ka talent të veçantë për provokime publike, e pa më të leverdishme të merret me opinione. Edhe dijetari islam, ishte me profesion hoxhë, por nuk e ushtron më këtë profesion, sepse sapo është pensionuar dhe me këtë rast xhemati i fali një Mercedes luksoz. Kjo e pengoi, apo thënë ndryshe e bëri xheloz opinionistin tonë laik dhe ...shpërtheu. Pjesa tjetër tashmë është histori që po tregohet prej një rrjeti social në tjetrin. Nuk shkon luksi me një dijetar që promovon modestinë ankohet opinionisti.
Por, ata kanë të drejtë të flasin. Përderisa nuk përdoret “sheriati” apo thirrja që drejtësia të merret në dorë të individëve apo grupeve, shteti nuk ka arsye të përzihet. Thirrjet për të arrestuar dhe gjykuar dijetarin janë krejtësisht në frymën jodemokratike dhe nuk i kontribuojnë demokracisë. Kjo më tepër ngjan me sheriat.
Kështu në këtë ramazan, dikush fitoi sevape, dikush grushte, e që të dy bashkë, bashkë me ata që u përfshinë në këtë sherr, fituan publicitet, shumë publicitet. E publicitetit të falur nuk i “këqyren dhëmbët” pat thënë dikush dikur, në një situatë të ngjashme.
Në fakt historia bën fjalë për një kalë të falur, por kujt i bën. As dijetari nuk ja “këqyri dhëmbët” “Mercedesit” as publicitetit, përkundrazi, duke u ndier i sulmuar, shpalosi “leckën” e gjelbër përballë flamurit “leckës” kuq e zi, dhe bëri mbrojtjen publike në të gjitha emisionet televizive që përfitojnë, që jetojnë nga sherret publike.
Televizionet dhe portalet përfituan, natyrisht.
Dikush përfitoi 800.000 mijë shikime e dikush një milion. Këtë në një komunitet të vogël e arrijnë vetëm të suksesshmit. Rregulli i këtij biznesi pra dihet: nuk ka publicitet pa një sherr publik.
Pa të merremi pak me historinë e sherrit. Fillimisht debati nuk po bëhej fare për kombin shqiptar, flamurin, por llafi rrëshqiti në humnerën e pasioneve, komplekseve dhe interesave të gjeopolitikës vetëm kur palët harxhuan tërë arsenalin ideologjik e psikiatrik. Edhe grushtet.
Tash, nuk është se gjeopolitika është e përzier direkt. Fillimisht ishte vetëm “Mercedesi”. Sinqeriteti i hoxhës, teksa po i gëzohej dhuratës së falur nga xhemati, ishte prekës, por xhelozia shpërtheu në zemrën e zjarrtë të opinionistit të “varfër”. Hoxha pa qenë i vetëdijshëm se opinionistët mund të lakmojnë, padashur u hyri në hak. Opinionisti i mbajti moral hoxhës për modestinë dhe dikush ndër pjesëtarët e xhematit e morën “sheriatin” në dorë dhe rrahën “lirinë e fjalës”, dhe...gjithçka mori rrokullimën.
Në rregull, me të vërtetë dijetari e quajti flamurin shqiptar një leckë dhe shqiponjën një shpezë, çka në kuptimin e parë të fjalës edhe janë. Për dikë janë leckë për dikë janë simbol, frymëzim ... pastaj, shqiponjat janë shpezë, or vëlla. Janë grabitqare madje, sidomos kur i marrin dikujt delen nga tufa. Pastaj ku tjetër të shtypësh simbolet përpos në një beze, leckë. Hoxha kishte të drejtë.
Çdo komunitet, edhe ato fetare i kanë “leckat” e veta, edhe shqiponjat mos i gjykoni rëndë që vazhdojnë të jenë shpezë grabitqare, sepse ato nuk jetojnë nga debatet, por duhet të ushqehen si gjithë shpezët e tjera. Edhe opinionistët, dijetarët po ashtu, duhet të ushqehen. Por krejt kjo filloi nga xhelozia dhe pakujdesia. E lakmuan ”Mercedesin” e hoxhës. Pastaj e akuzuan se shau flamurin, kombin.
Pra, dijetari, si u kuptua më vonë kur shpalosëm videon e plotë, e kishte kapur temën e mëmëdheut më gjerë dhe thellë. E shkëputur nga tërësia, fjalët për flamurin vërtetë tingëllojnë keq. Kur e dëgjon tërë fjalën e kupton se ai vetëm shpreh një pikëpamje se asnjë nga këto nocione nuk duhet adhuruar. Si do të ju thotë çdo hoxhë, vetëm krijuesi duhet të adhurohet. Kësaj radhe u mor me simbolet kombëtare por e njëjta vlen për të gjitha simbolet e flamujt.
E di se në fund fare, kritikët do të kapen për titulli. Do të pyesin se çfarë ka të bëjë një dijetar lokal, një opinionist me gjeopolitikën, gjeo-strategjinë dhe krejt termat e tjera të komplikuara, të cilat i përdorim zakonisht për të hutuar bashkëbiseduesit. Epo, lanë nam kësaj radhe. Njëri u bë mbrojtës i të drejtave të qytetarëve dhe shijes së mirë, pa qenë i thirrur, e tjetri mbrojtës i lirisë së shprehjes dhe islamit. I pari nuk është se njihet për shije të mirë e as i dyti si luftëtar i shprehjes së lirë. Të drejtat e njeriut në islam dallojnë prej kartës universale për të drejtat e njeriut. Sidoqoftë, ndër ne nuk ka luftë të shpallur, por ... pse të shpallet. Lufta më e suksesshme është ajo që fitohet pa u shpallur.
Sot është Bajram. Nëse Ramazanin e mbajnë vetëm besimtarët, Bajramin e shijojmë të gjithë. Gëzuar!/Pamfleti
Ky artikull është ekskluziv i Pamfletit, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Pamfletin dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Lini një Përgjigje