
Kimia e Berishës me komunistët ekstremë në politikë, mund të jetë një zhvillim pragmatik apo taktik, por në realitet ajo shikohet si një lëvizje natyrale e ish-mjekut që ka shërbyer në nomenklaturën e lartë të PPSH-së...
Po diskutohet shumë në media një fakt gossipi në kuadër të zgjedhjeve të 14 majit. Marko Dajti, i cili prej vitesh ka një parti komuniste, nga të shumtat që garon prej vitesh, është regjistruar si kandidat në Tiranë, me firmën e Flamur Nokës, deputetit që është numri dy i foltores së Berishës.
Dajti, si shumë emra të tjerë që janë anonim e jo aktivë në vite me radhë, bëhen lajm kryesisht në kohë zgjdhjesh, pasi synojnë të kapin ndonjë vend në këshillin bashkiak.
Në fund të fundit, një parti politike, qoftë e vogël apo lilipute, punën e saj e bën kryesisht në zgjedhje, ndryshe nuk ka asnjë mundësi të justifikojë vulën apo dokumentet ligjore.
E pikërisht mënyra sesi forca politike që janë me një akses të limituar në publik i afrohen zgjedhjeve, tregon një vizion politik krejt më të qartë e logjik, krahasuar me ata “strategë” që në vite e vite bojkotojnë e tentojnë të bllokojnë proceset duke ikur nga zgjedhjet e Parlamenti.
Në këtë kuadër, ka një turr diskutimesh, duke shënjestruar kandidatin komunist për aleancën e tij me foltoren për të hyrë në zgjedhje.
Siç ka ndodhur në vitin 2011, kur shumë të majtë e mallkonin e sulmonin të ndjerin Hysni Milloshi, i cili garoi për kryetar bashkie të Tiranës. Një kandidim, që pati një peshë shumë të rëndësishme në zgjedhjet për kryetarin e bashkisë ndërmjet Edi Ramës dhe Lulzim Bashës.
Kjo pasi diferenca mes rivalëve ishte e ngushtë dhe siç dihet sipas numërimit të votave, Edi Rama fitoi me 10 vota më shumë. Të cilat më pas u përmbysën nga KQZ e Arben Ristani, i cili i dha fitoren në tavolinë Lulzim Bashës, duke përmbysur kutitë.
Ato 1 mijë vota të Hysni Milloshit, u shikuan nga të majtët, si një thikë pas shpine, tradhëti të hapur të “poetit proletar” ithtar i hapur i Enver Hoxhës ndaj “kushurinjve” socialistë që sa herë vijnë zgjedhjet e ndjejnë vetën pranë proletariatit e punëtorëve.
Në fakt, si i ndjeri Hysni Milloshi që vdiq nga një sëmundje e rëndë pak kohë pas zgjedhjeve të 2011-s, ashtu edhe Marko Dajti, jo vetëm janë në të drejtën e tyre, por nuk i kanë asnjë borxh socialistëve, sidomos atyre të Edi Ramës.
Të cilët, kanë treguar se partitë e majta nuk i kanë përkrahur, por i kanë përthithur avash- avash brenda elektoratit socialist. Nga një duzinë partish të majta, tani ka mbijetuar vetëm Partia Socialdemokrate që kontrollohet nga Tom Doshi dhe është kthyer një forcë rajonale në Shkodër, dhe PDS e profesor Milos, e cila thuajse është e fikur.
Megjithatë, këtu ka një aspekt politik krejt të qartë, që jo vetëm logjikisht është një deformim, por në realitet siç e tregojnë sondazhet dhe votimet, ka ndikim direkt në zgjedhje.
Skandali në këtë aspekt është ndihma krejt jo “fair” që Sali Berisha kërkon nga komunistët më ekstremistë në vend. Pasi partia që e mban veten një grupim politik konservator, antikomunist, e që ka votues një shtresë të tërë të ish-të përndjekurve të regjimit komunist, bën aleancë zyrtarisht me ithtarët dhe fansat më të ethshëm të Enver Hoxhës. Politikisht-një manovër pa sens dhe madje me ndikim negativ në opinion.
Natyrisht, në rastin e Hysni Milloshit, ishte Ilir Meta, që i lidhi telat e atij kandidimi të bujshëm në vitin 2011, por atij që i vinte më shumë turp për këtë “dirty deal”, ishte poeti nga Mati dhe jo Ilir Meta dhe Sali Berisha.
Milloshi deri sa vdiq jo vetëm nuk doli më në publik, por edhe mënjanoi takime të gjera me miq e dashamir. Madje një mik i tij që takoi gazetarë në atë kohë, me takt përmendte situatën shëndetësore të rënduar dhe bënte thirrje që të mos linçohet politikisht.
Megjithatë, politikisht ky është një skandal, i cili pavarësisht se trajtohet si gallatë apo fakt gossipi, ka ndikuar realisht në zgjedhje. Si? Në mënyrë të drejtpërsëdrejtë, elektorati gri është larguar gjithnjë e më shumë si nga Sali Berisha, e si nga Ilir Meta. E sipas gjasave, një pjesë e tij ka shkuar gjithnjë e më shumë drejt Edi Ramës.
I cili e ka ndjerë këtë, ngaqë punon prej vitesh me sondazhe të sakta e profesionale, e gjithnjë e më shumë mesazhet politike i drejtohen një shtrese në qendër të politikës, apo që nuk janë lineuar majtas.
Përshembull organizimi i ceremonisë për sjelljen e eshtrave të Mit’hat Frashrit, kreut historik të Ballit Kombëtar, ishte një akt politik shumë i fortë. Akte që në politikë vlejnë më shumë sesa fjalët, të cilat i merr era.
Kimia e Berishës me komunistët ekstremë në politikë, mund të jetë një zhvillim pragmatik apo taktik, por në realitet ajo shikohet si një lëvizje natyrale e ish-mjekut që ka shërbyer në nomenklaturën e lartë të PPSH-së.
Sepse në fund të fundit, edhe në qoftë në pozitë për një grusht votash, një politikan zgjedh të marrë një qëndrim politik, për të treguar identitetin. E “ndihma rastësore” që Berishës i vjen nga komunistët e enveristët, gjithnjë e më shumë po shikohet si jo rastësi, por një opsion. i cili natyrisht është episodik, por edhe zgjedhjet janë episodike: bëhen një herë në 4 vjet…
Lini një Përgjigje