
Këtu, për një “punë të tillë të mbaruar”, shpërblimi është i garantuar. Dhe kështu ndodhi, Veliu u “graduar” politikisht dhe u ul në karrigen e drejtuesit të kompanisë shtetërore të prodhimit të armëve KAYO.
Nga drejtimi i policisë në drejtimin e armëve, një karrierë që në Shqipëri quhet “sukses” edhe pse duhet të ishe në burg.
Në vitet kur Ardi Veliu mbante gradat e drejtorit të Policisë së Shtetit, uniforma blu humbi kuptimin e saj. Ajo nuk përfaqësonte më rendin dhe sigurinë, por bindjen e verbër ndaj partisë dhe pazaret e errëta me botën e krimit. Qytetarët panë një polici që nuk mbrojti qytetin, por interesat politike; që nuk luftoi krimin, por u bë pjesë e tij.
Në vitet kur Policia e Shtetit drejtohej nga Ardi Veliu, krimi jo vetëm që nuk u luftua, por lulëzoi si kurrë më parë, duke u ndjerë i mbrojtur dhe i përkëdhelur nga vetë strukturat që supozohej ta godisnin; këtë e vërtetojnë edhe përgjimet e operacionit “SKAI”, ku del qartë bashkëpunimi i hapur i elementëve kriminalë me segmente të policisë, një panoramë e turpshme që tregon se nën drejtimin e Veliut, uniforma blu u kthye nga simbol i rendit në garanci për krimin.
Por Ardi Veliu nuk dyshohet vetëm për lidhje me krimin gjatë drejtimit të policisë, ai është gjithashtu i përfshirë në tenderë të dyshimtë korruptiv, ku fondet publike janë shpërdoruar në skema të hapura abuzimi që ende nuk janë hetuar.
Në Buletinin Nr. 28, datë 16 korrik 2018, me nr. REF: -68060-05-09-2018, fshihet një skandal tipik i epokës Veliu, një makinë e marrë me qira nga Policia e Shtetit për 50 euro në ditë, pra 1500 euro në muaj, 18 mijë euro në vit dhe plot 72 mijë euro në katër vite. Me këto para, jo vetëm që mund të blihej një automjet i ri, por ndoshta edhe 5 mjete.
Por ja ku qëndron “sekreti”, blerja do t’i linte mjetet shtetit, ndërsa qiraja i linte dikujt tjetër paratë. Kjo nuk ishte marrëzi financiare, por planifikim kirurgjikal i korrupsionit.
Në një vend normal, një drejtues i kapur me një aferë të tillë do të ishte përballë gjykatës, duke u mbrojtur nga akuzat për shpërdorim detyre e abuzim me fondet publike. Por ky nuk është rasti i Shqipërisë. Këtu, për një “punë të tillë të mbaruar”, shpërblimi është i garantuar. Dhe kështu ndodhi, Veliu u “graduar” politikisht dhe u ul në karrigen e drejtuesit të kompanisë shtetërore të prodhimit të armëve KAYO.
Ky është absurdi ynë kombëtar, t’i japësh armët e shtetit një njeriu që e armatosi krimin me mosveprim dhe e çarmatosi policinë nga morali.
Ironia është therëse: qytetarët luftojnë për të paguar faturat e ujit dhe dritave, ndërsa dikush në zyrat e shtetit firmos kontrata qiraje që kushtojnë sa blerja e mjetit dhe madje për më shumë vite. Kjo nuk është thjesht tallje; është deklaratë e hapur, “Ne mundemi, ju paguani”.
Ardi Veliu është simbol i një realiteti ku korrupsioni nuk fshihet më, përkundrazi, ekspozohet si trofe. Një realitet ku figura të tilla, në vend që të jenë shembull ndëshkimi, bëhen model për karrierë.
Në fund të fundit, çështja nuk është pse Ardi Veliu nuk është në burg, kjo është e qartë për këdo që e njeh sistemin. Pyetja e vërtetë është, sa “Ard Veliu” të tjerë mbajnë poste sot, duke përgatitur tenderin e radhës për të grabitur paratë e publikut? Dhe sa gjatë do të vazhdojë ky vend të shohë hajnin si drejtues dhe drejtuesin si “sukses” politik?
Lini një Përgjigje