TAGS-AT E JAVËS

Forum16 Dhjetor 2024, 18:29

Mazhoranca, atelia ku qepen ligje me porosi!

Shkruar nga Irena Beqiraj

Mazhoranca, atelia ku qepen ligje me porosi!

Përtej faktit që është hera e tetë që shtyhet efekti i këtij ligji që prej 2016-s relacioni tregon një mungesë të theksuar të analizës, vlerësimit te nevojave dhe mundësisë së ekonomisë shqiptare.

Socialistët kanë propozuar një shtyrje tjetër të ligjit për investimet strategjike, duke e lënë atë në fuqi deri më 31 dhjetor 2026.

Projektligji që mban firmën e deputetes së PS-së, Pranvera Resulaj, argumenton se afati që përfundon e 31 dhjetor 2024, duhet të shtyhet me 2 vite duke qenë se:

“Interesi i subjekteve është ende shumë i lartë për këtë paketë ligjore, fluksi dhe stoku i investimeve të huaja në vend janë në shifrat më të larta krahasuar me 10-vjeçarin e fundit dhe me qëllim shmangien e krijimit të këtij boshllëku ligjor si dhe të pasojave që mund të krijohen prej tij, është menduar zgjatja e afatit te paraqitjes së kërkesave deri me datën 31 dhjetor 2026”.

Përtej faktit që është hera e tetë që shtyhet efekti i këtij ligji që prej 2016-s relacioni tregon një mungesë të theksuar të analizës, vlerësimit te nevojave dhe mundësisë së ekonomisë shqiptare.

Së pari fluksi i investimeve të huaja nuk është më i lartë 10-vjeçarin e fundit por nga 2020 deri në 2023 ka filluar të ulet edhe për më keq investimet e huaja direkte janë më të ulëta sesa parashikonin modelet ekonometrike.

Modelet ekonometrike (kurbat në portokalli) parashikonin një rritje të investimeve të huaja në Shqipëri gjatë 4 viteve të fundit ndërkohë që është vënë re e kundërta. Rënia e hyrjeve totale të FDI-ve gjatë katër viteve të fundit ka ardhur kryesisht për shkak të sektorit energjetik. FDI në energji ishin mesatarisht 1% e PBB-së midis 2020 dhe 2023, krahasuar me një mesatare prej 4% në katër vitet e mëparshme. Kjo rënie i atribuohet tërësisht përfundimit të Gazsjellësit Trans Adriatik në vitin 2020. Ndërkohë që dy sektorët që  kanë parë rritje në vitet e fundit kanë qenë prodhimi dhe pasuritë e patundshme. FDI në prodhimin arritën 0.7% të PBB-së në periudhën 2020-2023, nga 0.3% në katër vitet e mëparshme. Pasuritë e patundshme kanë tërhequr hyrjet e investimeve të huaja ekuivalente me 1.5% të PPB-së në tre vitet e fundit, krahasuar me 0.7% në katër vitet e mëparshme. Grafiku tregon se në kushtet aktuale nuk ka asnjë tregues të prirjeve të afërta  të rritjes së FDI-ve në Shqipëri.

Për më tepër zhvillimet e fundit gjeopolitike si dhe ristrukturimi që po pësojnë kanalet globale të tregtisë përcaktojnë prirje të reja në sektorët ku rajoni mund të tërheqë investime të huaja dhe vendase produktive.

Studimet tregojnë se një pjesë e investime të huaja të ardhshme priten të vijnë  nga kompani aziatike prodhimi, të cilat po pozicionohen strategjikisht në Ballkanin Perëndimor për të qenë më afër partnerëve të tyre të biznesit në BE. Disa kompani aziatike po investojnë gjithashtu në rajon për të lehtësuar eksportet e tyre në kanalet e tregut të BE-së. Ndërsa pritet që veçanërisht firmat e Europës Perëndimore, të investojnë në Ballkanin Perëndimor në vend të Azisë. Pavarësisht këtyre prirjeve, projektligji nuk e përmend sektorin e prodhimit edhe për më tepër kufiri I investimit 50 milionë euro thuajse e përjashton këtë sektor.

Në muajt në vijim me gjasa do të dëgjojmë për ndonjë investitor të madh i cili po vjen apo është vendas e do te investojë duke marrë ndonjë pronë publike. Sikurse dëgjuam në fillimet të vitit 2024 për Kushnerin ndërsa ligji ishte shtyrë për herë të shtatë.

Mungesa e aftësisë për analizuar, vlerësuar dhe prodhuar ligje nga të cilat mund të përfitojë ekonomia në tërësi e ka kthyer mazhorancën në një atelie ku qepen vetëm ligje me porosi!

 

Lini një Përgjigje