A e di vërtet Trump se çfarë po bën për tarifat?
Teksa janë mbushur vetëm 2 javë pas fillimit të mandatit të dytë të Donald Trump, për një gjë mund të jemi të sigurt në lidhje me politikën tregtare të SHBA-së. Ajo po shndërrohet nga Trump në një rrugëtim të paqëndrueshëm sa i përket objektivave apo koherencës për sa i përket zbatimit.
Dhe kjo qasje kaotike, nuk premton asgjë të mirë për ekonomitë e SHBA-së por edhe botërore, të cilat nuk funksionojnë mirë kur ka pasiguri mbi politikat ekonomike Po ashtu, nuk është një shenjë e mirë për reputacionin e Amerikës si një vend që mund t’i besohet se do t’i përmbahet marrëveshjeve që ka firmosur.
Cila është strategjia e luftës tarifore e Donald Trump?
Le ta nisim me objektivat e politikës tregtare të Trump. Gjatë fushatës presidenciale ai argumentoi se tarifat do të përdoren për të ulur deficitin tregtar, për të rritur të ardhurat nga taksat dhe për të barazuar kushtet e tregtisë me vendet e tjera.
Megjithatë, sapo mori detyrën, duket se një objektiv kryesor i politikës tregtare, është të ndalë fluksin e emigrantëve të paligjshëm dhe fentanilit nga Kanadaja dhe Meksika në Shtetet e Bashkuara. Po ashtu, Trump duket se dëshiron ta përdorë politikën tarifore si një levë negociuese, për t’i detyruar vendet si Kolumbia dhe Venezuela të pranojnë kthimin e emigrantëve të dëbuar në vendet e tyre.
Apo edhe për të detyruar një vend si Afrika e Jugut, që të ndryshojë politikën e saj mbi tokën. Në një nivel shumë bazik, ndërsa Donald Trump vazhdon të theksojë se ne duhet të reduktojmë në maksimum deficitin tonë tregtar, ai propozon një politikë buxhetore që në fakt do të bëjë pikërisht të kundërtën.
Sepse në të njëjtën kohë që po mbështet rritjen e tarifave dhe krijimin e një Shërbimi të të Ardhurave të Jashtme, ai po propozon shkurtime radikale të taksave, të cilat sipas Komitetit për Buxhetin e Përgjegjshëm do ta rrisin me afro 8 trilion dollarë deficitin buxhetor gjatë dekadës së ardhshme.
Argumenti themelor që po nuk arrin ta kuptojë Trump, është se duke e ulur normën e kursimeve të vendit përmes larmisë së politikës së tij buxhetore, ai do ta rriste në vend se ta zvogëlonte deficitin tonë tregtar.
Dhe kjo është edhe më e trishtueshme, duke pasur parasysh se gjatë mandatit të parë të tij, deficiti tregtar u rrit me 40 për qind, nga 480 miliardë dollarë në vitin 2016, në 680 miliardë dollarë në 2019, kryesisht si rezultat i deficitit buxhetor në rritje që pasoi Aktin e Shkurtimit të Taksave dhe Vendeve të Punës në vitin 2017.
A e di vërtet Trump se çfarë po bën për tarifat?
Qëndrueshmëria në zbatimin e politikës tregtare, nuk është një nga pikat më të forta të Trumpit. Gjatë fushatës, ai përsëriste vazhdimisht se ditën e parë do të vendoste një tarifë prej 60 për qind ndaj importeve nga Kina, dhe një tjetër prej 10-20 për qind ndaj pjesës tjetër të partnerëve tanë tregtarë.
Megjithatë, sapo mori detyrën, gjëja e parë që bëri ishte vendosja e një tarife importi prej 25 për qind ndaj Kanadasë dhe Meksikës, si dhe një tarife prej 10 për qind ndaj Kinës. Ai e bëri këtë në kundërshtim flagrant me rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë dhe të marrëveshjes tregtare Shtetet e Bashkuara-Meksikë-Kanada.
Si për të nënvizuar natyrën e paparashikueshme të politikës së tij tregtare, 3 ditë pasi njoftoi se një tarifë importi prej 25 për qind ndaj Meksikës do të hynte në fuqi brenda pak ditësh, Trump njoftoi se do ta shtyjë vendosjen e saj me një muaj.
Ai e bëri këtë për t’i dhënë kohë Meksikës që të përmbushë kërkesat e tij. Pra që Meksika të bëjë më shumë për të ndaluar fluksin e emigrantëve të paligjshëm dhe drogës në Shtetet e Bashkuara.
Neve na mbetet të shpresojmë se vendimi i Trump për të vonuar vendosjen e tarifave ndaj Meksikës, është hapi i parë në tërheqjen e tij nga politika e tij tarifore agresive, e cila do të ishte shkatërruese për zhvillimin ekonomik të SHBA-së dhe botës. Megjithatë, edhe nëse tërhiqet, ai do t’i ketë bërë një dëm të konsiderueshëm ekonomisë botërore, duke nxitur një shkallë të madhe pasigurie politike në ekonominë më të madhe të botës. Një pasiguri e tillë, është mallkim për komunitetin e investitorëve.
Trump po e dëmton pozitën globale të Amerikës
Duke vepruar në shkelje flagrante të traktateve ndërkombëtare, nënshkrues i të cilave është ai vetë, Donald rump do t’i shkaktojë një dëm të konsiderueshëm edhe imazhit global të Shteteve të Bashkuara si një vend, fjala e të cilit mund të besohej.
Nga ana tjetër duke i trajtuar aleatët e ngushtë të SHBA-së si Kanadaja dhe Meksika më ashpër se sa rivalët e vjetër si Kin, Trump po u jep arsye të mjaftueshme miqve të Amerikës që të kërkojnë të firmosin marrëveshje tregtare alternative, ku nuk përfshihen Shtetet e Bashkuara.
Shënim: Dr. Desmond Lahman, bashkëpunëtor në Institutit Amerikan të Sipërmarrjeve. Me herët ka qenë zëvendësdrejtor në Departamentin e Zhvillimit dhe Rishikimit të Politikave të Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Lini një Përgjigje