Kopshti Eden 4 milionë e 300 mijë dollarë, që të hargaliset dhe të relaksohet babloku, shqiptarët le të vdesin...
Në një raport të fundit KLSH ngre alarmin për mungesën e aparaturës ECMO në shërbimin kardiologjik të QSUT. Është një aparat që shpëton jetë, sidomos për ata që pësojnë kolaps zemre ose mushkërish. Kushton në tregun perëndimor mesatarisht 191 mijë e 436 dollarë amerikanë. D.m.th kopshti Eden i Ed bablokut vlen sa 23 aparatura ECMO!
E njëjta histori ulëret dhe për mungesën e PET Scan Ct në institucionet publike shëndetësore të Republikës së Shqipërisë. Jemi i vetmi vend në Ballkan që nuk disponojmë një aparaturë të tillë në shërbimin publik shëndetësor. Edhe Kosova e ka instaluar një aparaturë të tillë në Klinikën Qendrore Universitare në Prishtinë që në shkurt 2024!
Për ata që nuk e dinë, Pet Scan Ct është një aparat që detekton edhe qelizën më të vogël kanceroze në trup, depiston tumoret që në fazë fillestare, zbulon përhapjen dhe gradën e tumoreve, orienton radioterapinë, vlerëson dhe orienton e riorienton kimio dhe imunoterapinë. Shkurt është Mercedes Benzi i Onkologjisë bashkëkohore. Aparati i ri kushton 1 milion e gjysmë dollarë amerikanë. D.m.th kopshti Eden i Ed-bablokut vlen sa tri aparatura Pet Scan Ct!
Besoj se edhe militanti më inoksidabël rilindas, do të zërë ndryshk nga dëshpërimi kur ndërgjegjësohet sa e zhvlerëson, e nëpërkëmb dhe e mospërfill kriminalisht jetën e të gjithëve ne bablok-Edeni.
Sepse zemra, mushkëritë dhe tumoret nuk janë ende aq të zgjuara për të përzgjedhur të majtë a të djathtë…
Kopshti Eden (Eden është parajsa në librat e shenjtë). 4 milionë e 300 mijë dollarë. Që të hargaliset dhe të relaksohet babloku. I konvertuar me çmim të hidhur, me humbje jete, me biletë pa kthim ferri. Një instalacion tekanjoz e trillesh megalomane sa 23 aparatura ECMO dhe sa 3 aparatura PET Scan Ct!!!
Por duhet të ngazëllehemi nga kopshti Eden. Po aq dhe me parkingun dhe hotelin 5-katësh të QSUT. “Me këtë projekt QSUT kthehet në qendër ekselence”, deklaroi me patetizëm dhe kompetencë profesionale ministrja e Shëndetësisë gjatë inspektimit të punimeve të parking-hotelit në janar 2025!!!
(Jo pa qëllim nuk përdora akronimin QSUNT. Për të respektuar veprën, kujtimin dhe emrin e 'Nënë Terezës'. E cila me siguri rrotullohet në varr kundrejt këtyre thagmave antinjerëzore, kriminale, barbare, genocidale. Dhe po të kishte mundësi të fliste, do të këmbëngulte që për të mos iu përdhosur emri, t’ i hiqej fare).
Lini një Përgjigje