Medalja më e madhe që mbartim në gjoks është liria e Kosovës.
Nuk kam dashur kurrë të flas publikisht për këto ngjarje!
Sepse t’i shërbesh atdheut në kohë të vështira nuk është as privilegj dhe as arsye për lavdi. Është detyrim. Nuk na duhen dekorata dhe as lavdërime.
Medalja më e madhe që mbartim në gjoks është liria e Kosovës.
Sot flitet shumë për patriotizëm dhe protagonizëm. Por patriot nuk është ai që flet me zë të lartë për çfarë ka bërë. Patriot është ai që vepron në heshtje, edhe kur rrezikon jetën, edhe kur mbetet vetëm.
Në vitin 1989, për herë të parë u vendosën kontaktet me ilegalistë të Lëvizjes Popullore të Kosovës që ndodheshin në Shqipëri. Ismet Badallaj ndodhej në Kukës në kërkim të kontakteve me qëllim krijimin e lidhjeve për veprim të përbashkët. Sapo konfirmova lajmin, dërgova mikun tim Arben Bunën për të vendosur lidhjet.
Zotëri, Komandanti i Batalionit të Morinës dëshiron t’ju takojë… Ai ngeli i habitur për një moment, pastaj thotë: “Dakord.”
Takimi u zhvillua ditën e nesërme në orën 18.00 tek Turizmi i Ri në Kukës, mbi lumin Drin. Diskutuam gjatë dhe u ra dakord për nisjen e aksioneve të furnizimit me armë në Kosovë.
Ismet u nis menjëherë për të dhënë lajmin se ishte vendosur lidhja me komandantin e batalionit të Morinës, me origjinë nga Vlora. Përgjigjja duhej të vinte për pesë ditë.
Kaluan pesë ditë. Dy javë. Tre javë. Asnjë përgjigje.
Koha nuk priste. Vendosa të veproj vetë, pa e ditur se çfarë më priste përtej kufirit.
Së bashku me Arben Bunën, Enver Demën nga Bardhoci dhe nënoficerin e repartit që drejtoja, Liman Durakun nga Morina, vendosëm të kalonim kufirin. Secili ishte i ngarkuar me 50–60 granata mësymëse. Kisha piketuar tre kalime në hartë. Zona ishte e gjitha me klon dhe e survejuar. Duhej të ruheshim jo vetëm nga forcat serbe, por edhe nga forcat tona të kufirit.
U nisëm në orën 00:30 të natës. Ata besonin tek unë dhe unë i prija. Ecëm për orë të tëra në malin e Koritnikut në një terren tepër të thyer dhe malor, vazhduam drejt malit të Shkozës, me destinacion Zhurin. Ismet Badallaj më kishte thënë se ishte nga Zhuri.
Në orën 09:30 mbërritëm mbi fshatin Zhur. Të tre shokët i lashë të prisnin në shpatin e malit të mbushur me kumbulla të egra, pranë varrezave të reja të fshatit, afër xhamisë, në një përrua. U thashë: “Nëse dëgjoni krisma, kthehuni dhe shpëtoni veten. Do përpiqem t’ju jap kohë.”
Zbrita vetëm drejt fshatit. Me vete kisha vetëm pistoletën e ushtrisë shqiptare, pesë karikatorë rezervë dhe dy granata në xhep. Vendimi ishte i qartë: të mos bija i gjallë në duart e tyre.
Dy burra po vinin drejt meje. Më folën dhe më bënë shenjë të afrohesha. Mendova se isha zbuluar. U thashë të afroheshin ata dhe nxora pistoletën.
Në atë moment dëgjova një zë që bërtiti: “Komandant, na vrave!”
Ishte Ismet Badallaj. Me të ishte edhe një djalë që quhej Azemi. Ismeti i thotë: “Ky është Komandant Vlora.” U përqafuam. Kishin ditë të tëra që më prisnin. Kishin nisur edhe një pako me një mesazh për mua, e cila nuk më arriti kurrë, për arsye që i mësova shumë më vonë.
Shkuam në një nga bazat e tyre. Nga Prizreni erdhën shokë të tjerë. Grupin e drejtonte Beajdin Hallaqi dhe me të ishte Alush Shala, një burrë i gjatë, me mustaqe, që e kishte të shkruar në sy se për lirinë nuk i dhimbsej jeta. Kishte edhe të tjerë, por për shkak të ilegalitetit nuk pyesnim. Ishin të habitur, më shikonin dhe nuk flisnin… Isha oficeri i parë shqiptar që kisha kaluar kufirin për në Kosovë. Për ta isha shpresa dhe besimi se liria e Kosovës do vinte.
Morën granatat e para nga Shqipëria. Sytë iu mbushën me lot. Bëmë planet për veprimet e mëtejshme. Kishte edhe mosbesim, të kuptueshëm. Të nesërmen u kthyem shëndoshë e mirë në Shqipëri.
Pas disa kohësh u njoftova se disa shokë të Lëvizjes do vinin për takim, duke hyrë në Shqipëri nga Greqia. Ishte fillimi i vitit 1990. Erdhen në Kukës: Beajdin Hallaqi, Alush Shala dhe Iliaz Morina, një djalë i ri që ishte edhe shoferi.
Për t’u dhënë siguri, i mora nga Kukësi në Morinë dhe i futa në qendrën e batalionit. Pas përshëndetjes, dhashë urdhër të bëhej parakalim me flamur për nder të tyre.
Lotët u rrodhën pa u ndalur.
Në një moment u thashë: “Po ju, me lot do ta çlironi Kosovën?”
Alushi dhe Beajdini më thanë: “Jemi gati të vdesim për lirinë e Kosovës. Por kurrë nuk kemi parë të nderohet flamuri ynë kuq e zi dhe të respektohemi si sot.”
Ky ishte fillimi i aksioneve që u kryen. Plot 17 herë, duke kaluar kufirin me armë dhe municion dhe duke hedhur themelet e organizimeve të para të asaj që më vonë u quajt UÇK. Grupi u zgjerua me djem patriotë që rrezikuan jetën. Kaluam stuhi, male, rrugë e pa rrugë, nën kontrollin e forcave serbe, por nuk humbëm asnjë jetë. Me ndihmën e Zotit dhe me besim te njëri-tjetri, ja dolëm të furnizonim, të organizonim dhe mbi të gjitha të besonim se liria ishte afër.
Ramë në pritë në Zhur dhe në Prizren. Unë shpëtova falë strategjisë që kisha ndërtuar që të ndaja grupin në dy pjesë dhe vetë të kthehesha së bashku me mësuesin patriot nga Zhuri, Bedri Hoxha, me autobusin e dytë që nisej për në Dragash pas atij të Opojës që nisej 7 minuta më herët, me të cilin do udhëtonin Arben Buna dhe Lulzim Bulica nga Kukësi si dhe Azemi dhe një tjetër djalë trim nga Zhuri. Qëllimi ishte që të vepronin si pararoje në rast postoblloku nga forcat serbe.
Kur autobusi po i afrohej Zhurit pranë Zabelit, ku ndodhen edhe varrezat e vjetra të fshatit, nga dritat dhe reflektimi i dëborës dallova se autobusi ku ndodheshin Arbeni me Lulzimin si dhe dy rojet që ishin ngarkuar për sigurinë time, Azemi dhe një tjetër që nuk kam arritur ta mësoj emrin, ishin ndaluar nga forcat serbe. Kthehem nga Bedriu dhe i jap kartën e identitetit që ma kishin përgatitur bashkëpunëtorët e Lëvizjes Popullore të Kosovës. Karta ishte jugosllave me foton time, por me emrin e Azemit. I them Bedrit: “Mbaje ti, çfarëdo që të ndodhë, nuk duhet ta më gjejnë mua.” I them shoferit: “Ule shpejtësinë dhe hap derën.” Ai më thotë: “Nuk është stacion këtu.” Nxora pistoletën dhe i them: “Bëj si të them unë, se jam këtu për ata që duan lirinë, jo për ty dhe nuk të kursej.” Hapi derën, u hodha pas meje edhe Bedria nuk donte të më linte vetëm. Dëgjuam vetëm një ndal në serbisht, filluan krisma… Nata e errët dhe stuhia që filloi na mbulonte gjurmët. Hymë në varrezat e vjetra të Zhurit. I kërkoj Bedrit të largohet: “Nuk duhet të kapesh, ik… Do ja dal… i gjallë nuk dorëzohem.”
Në Zhur u kapën Arben Buna dhe i ndjeri Lulzim Bulica. U rrahën dhe u torturuan, por nuk nxorën asnjë fjalë. Strategjia që kishim përgatitur për atë që duhej thënë në rast se kapeshin funksionoi. Për katër ditë forca të tëra serbe më kërkuan në malin e Shkozës, në Zhur, në Vermicë, në malin e Koritnikut… Më 31 dhjetor, pas 4 ditësh rrethim dhe sakrificash, mes motit të keq që ishte mallkim, por dhe bekim, arrita të futem në territorin shqiptar.
Aksioni i fundit ishte marrja, strehimi dhe kalimi për në Itali i Refat Jasharit, pas luftës së parë të Prekazit në dhjetor 1991. Gjithçka u realizua sipas planit.
Në shkurt 1992 u detyrova të arratisem. U shpalla tradhtar sepse ndihmoja Kosovën… nga ata që sot thonë se kanë bërë shumë për lirinë e Kosovës. Duhej të largohesha për të shpëtuar misionin. Shumë e dinin, pak guxuan. Përjashtim bënë oficeri i armatimit Skënder Bisha dhe më vonë komandanti i postës së Koritnikut Gjuri Xhediku.
Sot shumë flasin për kontribute.
Ky shkrim është vetëm një falënderim i sinqertë për bashkëpunëtorët e mi, për ata që jetojnë dhe për ata që dhanë jetën për lirinë.
Me respekt dhe mirënjohje për: Beajdin Hallaqin, vëllain tim, Alush Shalën, Rifat Jasharin dhe familjen heroike të Jasharajve, Ismet Badallajn, Bedri Hoxhën, Sefedin Morinën, Iliaz Morinën, Sefedin Krasniqin, Heroin Muharrem Dina, Hazer Dina, Bahtjar Hoti, nipin e Muharrem Dines dhe djalin e dëshmorit Rifat Dina, vëllanë tim Ismet Dina, Zenel Zenullahun, Azemin, Nënën Heroinë të Alush Shalës që na hapi derën kur të tjerët u larguan, motrat e Alush Shalës, të gjitha anëtare të LP-së, heroin Xhemail Berishën, Zafir Berishën, vajzën 9-vjeçare të fisit Badallaj nga Zhuri (emrin dhe historinë e saj e mësova shumë vite më vonë nga bashkëpunëtorët e mi – korriere e Lëvizjes), bashkëpunëtorët në Kukës, Bardhoc e Morinë, familjet Dema, Buna, Domi, Bulica, ushtarët e Batalionit të Morinës që bashkëpunuan me mua dhe të gjithë ata të njohur e të panjohur që për shkak të ilegalitetit nuk arrita t’i mësoj emrat.
Kjo është vetëm një përmbledhje shumë e shkurtër e misionit tim në vitet shtator 1989 deri në shkurt 1992, për furnizim, trajnim dhe organizim të strukturave të para që më vonë do të ishin guri i themelit të UÇK-së.
Ngjarjet e plota do të pasqyrohen në librin “Komandant Vlora”, që së shpejti do të jetë gati.
Tani eshte koha te zbulohet” komandant Vlora”.Eshte gadi e pa besuesheme qe nje oficer shqipetar ne vitet 1988-1999 te kete kaluar kufirin me arme dhe te ket kryer edhe operacion?! Eshte nisem individuale?! Kush ini ju komandanti vlora.?!