TAGS-AT E JAVËS

Forum 8 Tetor 2024, 12:30

Izraeli duhet të përdorë fuqinë e tij për të krijuar një Lindje të Mesme të Re

Shkruar nga Lee Yaron

 Izraeli duhet të përdorë fuqinë e tij për të

Gjysma e të gjithë izraelitëve janë nën moshën 30- vjeç, ndërsa gjysma e të gjithë palestinezëve në Gaza janë nën moshën 18- vjeç. Fëmijët e këtij brezi të gjerë dhe të humbur, erdhën në këtë botë pasi shpresa e braktisi atë.

Herën e fundit - në fakt edhe herën e parë  - që Republika Islamike e Iranit ndërmori një sulm me raketa ndaj Izraelit në muajin prill, pati vetëm një të plagosur: Amina Al-Hassouni, 7 vjeçe, e cila 6 muaj më vonë mbetet e shtruar në një spital të Tel Avivit.

Një pjesë rakete e çau çatinë e hollë metalike të shtëpisë së saj, duke e goditur vogëlushen teksa qëndronte pranë derës kryesore të shtëpisë. Deri më sot Amina i është nënshtruar 5 ndërhyrjeve kirurgjikale shumë të vështira, teksa është planifikuar edhe një tjetër pak më vonë.

Javën e kaluar, kur rreth 200 raketa balistike mësynë mbi Izraelin, Amina kishte frikë se do të goditej sërish. “Ajo më tha duke qarë se nuk donte më goditje me raketa, duke më lutur që ta mbroj nga Irani. Por unë s’mund të bëj asgjë për të mbrojtur vajzën time”- më tha babai i saj Mohammed, 49 vjeç, gjatë një interviste.

Pavarësisht epërsisë ushtarake të Izraelit, vetëm forca nuk do ta ndryshojë realitetin e Lindjes së Mesme. Ndërsa nëna dhe motra e Aminës qëndruan me të në spital, duke vrapuar me pacientë dhe mjekët për tek vendstrehimi, Mohammed qëndroi në shtëpinë e tyre në Al-Fur’ah, një fshat beduin në thellësi të shkretëtirës Negev.

Ai dhe 12 fëmijët e tjerë u grumbulluan në një strehë të vogël, të cilën qeveria ua dha vetëm pas plagosjes së Aminës. Të paktën këtë herë ishin të mbrojtur. “Ne po vdesim nga frika. Të gjithë fëmijët e mi po qajnë, të tmerruar se ajo që ndodhi me motrën e tyre do t’u ndodhë edhe atyre. Që nga prilli, vëllai i saj 16-vjeçar nuk fle dot pa pirë hape gjumi. Ne i pamë raketat të fluturonin mbi kokat tona, ndërsa vraponim për t’u strehuar diku. Janë fëmijët e mi të vegjël, ata që e paguajnë koston e këtyre luftërave”- thekson Mohammed.

Eitan Kusenov, një djalë 15-vjeçar nga Odessa e Ukrainës, u largua nga vendi i tij në shkurt 2023, me premtimin se do të ishte më i sigurt në Izrael. Megjithatë, pak kohë pasi mbërriti këtu u përball me raketat e Hamasit, që në tetor 2023, goditën drejtpërdrejtë shtëpinë e tij të re në qytetin bregdetar Ashkelon.

Tani bashkë me familjen ai ka shkuar sërish në një vendstrehim, këtë herë për të shmangur raketat iraniane në shtëpinë e tyre më të re - e treta në pak më shumë se një vit - në veri të Izraelit, që është brenda rrezes së goditjeve nga Libani. Kjo luftë 1-vjeçare, e cila u ka shkaktuar dëmin më të madh më të rrezikuarve nga të dyja palët, duhet të marrë fund.

Por zhvillimet e fundit, mund të ofrojnë një fije shprese. Ndërsa po zbehet jehona e sulmit të fundit raketor të Iranit, Lindja e Mesme gjendet në një pikë kritike. Përshkallëzimi aktual, shënon kulmin e dekadave të një konflikti përmes palëve të treta, duke shpërthyer në një luftë të hapur dhe sinjalizuar rënien e strategjisë së vjetër të Iranit, të ashtuquajturës  “Unaza e Zjarrit”.

Për vite me radhë, Izraeli është përballur me një sfidë të njohur për Shtetet e Bashkuara pas 11 shtatorit: luftën kundër aktorëve jo shtetërorë. Irani ndërtoi me përpikmëri një rrjet milicish terroriste që rrethonin kufijtë e Izraelit, duke përfshirë Hezbollahun, Hamasin, Xhihadin Islamik dhe forca të ndryshme në Siri dhe Jemen, dhe gjatë dekadave u dha atyre mbështetje financiare, armatime dhe trajnime.

Kur flasim për Huthit në Jemen, jemi duke folur në fakt për Iranin. Kur flasim për Hezbollahun, apo edhe për Hamasin, në të vërtetë po diskutojmë sërish mbi Iranin. Me qeverinë e tij formale, Libani funksionon gati si një fasadë për interesat iraniane.

Ndonëse në dukje qeveriset, Siria ka zona të gjera të territorit të saj nën kontrollin e Iranit, dhe udhëheqja e saj është kthyer kundër popullit të vet. Mbështetja e Iranit për Hamasin në Gaza, që kulmoi me sulmin e 7 tetorit 2023, ishte kryesisht e motivuar nga dëshira për të sabotuar procesin e normalizimit të marrëdhënieve midis Izraelit dhe Arabisë Saudite .

Një aleancë e tillë, do ta kishte ndryshuar në mënyrë dramatike dinamikën e pushtetit në Lindjen së Mesme, duke e kthyer potencialisht peshoren në favor të bllokut sunito-saudit kundër Iranit shiit. Ndërsa ky konflikt i hapur bart rreziqe të mëdha, ai paraqet edhe një mundësi të pashembullt për ta riformatuar Lindjen e Mesme.

Ndërsa këto milici janë dobësuar ndjeshëm kohët e fundit, Izraeli duhet ta shfrytëzojë këtë situatë të re të krijuar pas sukseseve të tij ushtarake për të kaluar në fazën tjetër:të punojë me Shtetet e Bashkuara, Francën dhe komunitetin ndërkombëtar për të forcuar qeverinë libaneze dhe më pas ta stimulojë qeverinë e re për të arritur një marrëveshje paqeje me Izraelin.

Duke e forcuar Libanin kundër Iranit, Izraelin do forcojë edhe veten. Me një marrëveshje të tillë, që do të sigurojë kthimin e izraelitëve të zhvendosur në veri, për publikun izraelit do të ishte politikisht më e pranueshme të shpallej një armëpushim në Gaza, dhe të ketë një diskutim mbi atë që do të ndodhë në të ardhmen.

Nga Amina Al-Hassouni tek Eitan Kusenov, shumica e izraelitëve kanë lindur nën këtë atmosferë dhune. Gjysma e të gjithë izraelitëve janë nën moshën 30- vjeç, ndërsa gjysma e të gjithë palestinezëve në Gaza janë nën moshën 18- vjeç. Fëmijët e këtij brezi të gjerë dhe të humbur, erdhën në këtë botë pasi shpresa e braktisi atë.

Pra pas vrasjes së kryeministrit Yitzhak Rabin dhe shkeljes së Marrëveshjes së Oslos. Edhe unë jam një pjesëtare e këtij brezi. Ndaj mendoj se duhet të ndërtohet një Lindje e Mesme e re, edhe në mesin e kësaj situate të zymtë./Përshtati Pamfleti nga “Haaretz”

izraeli lindja e mesme e re

Lini një Përgjigje

Forum