TAGS-AT E JAVËS

Forum 8 Tetor 2024, 10:53

E vërteta dhe Liria

Shkruar nga Spartak Ngjela

E vërteta dhe Liria

Nuk kam frikë nga e vërteta, prandaj jam njeri i lirë. Pikërisht ky, është  njeriu i lirë.

Kur njeriu nuk është me të vërtetën, liria e tij nuk ekziston. Ky individ nuk mund të jetë i lirë për asnjë çast.

Që liria jote të jetë e vërtetë, duhet që ti të jesh njeri i lirë. Po iu shmange të vërtetës, në fakt, ti nuk je njeri i lirë, sepse i je shmangur krijimit të personalitetit tënd në shoqërinë ku jeton, por edhe jetës tënde me qetësi shpirtërore.

Dhe. 

Një njeri është i fortë në shoqërinë e tij, jo sepse ai ka përkrahës, jo se ai ka para, por sepse ai ka inteligjencë të lartë dhe nuk e përdor mençurinë e tij në funksion të intrigës, gënjeshtrës dhe padrejtësisë.

Kjo është liria interiore - e brendshme - që e bën njeriun të lirë dhe një individ me personalitet në shoqërinë ku ai jeton.

Domethënë që, personaliteti i njeriut krijohet me lirinë në formimin e tij intelektual, dhe kjo, në funksion të mendimit, është liria e tij e brendshme.

Dhe, liria e brendshme e individit është jeta e qetë dhe gjithmonë me motiv krijues, sepse, për të mbrojtur lirinë e tij, njeriu nuk e pranon gënjeshtrën, por e denoncon atë kur e sheh që ajo është bërë edhe një fenomen publik.

Mbajeni mend:

Liria brendshme e njeriut të lirë është ndriçimi shpirtëror që atij duhet t'ia bëjë e vërteta. Por, këtu fillon çlirimi shpirtëror i njeriut të lirë dhe rënia shpirtërore që frika ndaj të vërtetës i sjell njeriut të vogël.

Njeri të lirë kundër të vërtetës nuk ka.

Dhe aksioma është kjo:

Nuk kam frikë nga e vërteta, prandaj jam njeri i lirë. Pikërisht ky, është  njeriu i lirë.

E vërteta është suksesi yt, por ajo është frikë për njeriun që nuk ka vlerë morale.

E vërteta është vetë moraliteti.

Mos e tradhto të vërtetën, që të mos jesh një skllav. Sepse aksioma filozofike e pranuar ndërkohë është kjo:

Kur e vërteta nuk është e lirë, liria nuk është e vërtetë.

Lini një Përgjigje

Forum