Në përplasjen e agjendave gjeopolitike mes Rusisë e Perëndimit, humbësja më e madhe rezulton të jetë pikërisht BE-ja. Por, në këtë tatpjetë të gjeopolitikës europiane dhe fund tragjik, s’ka si të mos rrëshqasë edhe avokati i Putinit, presidenti serb Aleksandër Vuçiç.
Ka disa javë që rregullisht, çdo të shtunë, në Serbi qytetarët protestojnë. Sllogani i këtyre protestave duket se është përzgjedhur mirë: “Serbia kundër dhunës”. Fillimisht protestat u organizuan për ca javë vetëm në Beograd, ndërkohë kanë zgjeruar gjeografinë në dhjetë qytetet më të mëdha të Serbisë. Ata kërkojnë një qeverisje të shkëputur nga elementët dhunues e të inkriminuar. Gjatë marshimeve të fundit gjithandej në dhjetë qytetet e Serbisë u paralajmërua se protestat do të radikalizohen nga java e ardhshme, nëse kërkesat e protestuesve nuk plotësohen.
Monopoli mbi përdorimin legjitim të forcës
Kjo kërkesë nuk përjashton logjikën e gjërave: qytetarët serb e kanë parasysh se qeveritë, sidomos ato në Serbi, karakterizohen si institucioni bazë që ka monopol mbi përdorimin legjitim të forcës. Por qeverisja efektive nuk mund të bazohet vetëm në këtë të drejtë legjitime. Rendi demokratik, sidomos ai i ngritur mbi parimet e demokracisë liberale, kërkon që Qeveria të jetë e aftë për ta përdorë forcën edhe ndaj atyre që ushtrojnë dhunë të paligjshme ndaj qytetarëve.
E të kujtojmë se protestat nisën pas dy vrasjeve masive që tronditën Serbinë në fillim të majit. Protestuesit ndërkohë po kërkojnë shkarkimin e ministrit të Punëve të Brendshme dhe të Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit, ky i fundit i njohur edhe si levë e fuqishme e Rusisë në kuadër të qeverisë serbe, por edhe të anëtarëve të Rregullatorit të Mediave Elektronike dhe udhëheqjen e Shërbimit Publik të Serbisë.
Në Serbi e shtuna e fundit shënjonte javën e shtatë që kur qytetaria aktive është hedhur në veprim. Por deri këtë të shtunë që lamë pas, meqë protestuesit nuk shpërfaqnin ndonjë kërkesë politike që do ta rrezikonte pushtetin e Vuçiçit, toleroheshin të marshonin e mbanin fjalime në qetësinë absolute.
Më 24 qershor pati shenja specifike që dëshmonin se pushteti i Vuçiçit ka filluar të trandet. Provokatorët e pushtetit u hodhën në veprim, duke provokuar rastet, alibinë e kërkuar për aplikimin nga ana e shtetit të “dhunës së ligjshme”.
E shtuna e ardhshme pritet që gjakrat të nxehen edhe më shumë. Përplasja duket se është e pashmnagshme. Serbia, nëse qëndrimi indiferent i Perëndimit ndaj kësaj sjellje të Vuçiçit, jo vetëm në raport me Kosovën, por edhe me qytetarët protestues.
Le ta kujtojmë se si reagoi qeveria amerikane ndaj pushtimit të Kapitolit nga protestuesit më 6 janar 2021. Çfarë mund të ndodhë nëse në Beograd kemi një reprizë të “Revolucionit të kadifejtë” që qe zhvilluar në Kiev në prag të dërgimit në histori të qeverisë vazale të Kievit ndaj Putinit?
Në Kapitol përgjigjia që i dha Shteti huliganëve që manipuloheshin nga politika, ishte tepër proporcionale, e kujdesshme, megjithëse shumë e nevojshme. Shikuar nga kjo prizmë, ngjarjet e fundit në Serbi kanë qenë katastrofike për Aleksandër Vuçiçin.
Prandaj ai ndërmerr veprime për trazimin e veriut të Kosovës e deri tek akti për kidnapimin e tre policëve brenda territorit të Republikës së Kosovës, duke e thelluar atë veprim subverziv edhe me depërtimin e armatimit për guerilën serbe në veri, që tashmë ai e ka etabluar dhe pret momentin e duhur për t’i dhënë urdhrin për veprim.
Krejt këtë ai e bën vetëm e vetëm që ta kanalizojë dhe bartë vëmendjen nga problemet e brendshme tek Kosova.
Zhvillimet politike në Serbi po ndodhin aq shpejt saqë, po mbesin të paveneruara për opinionin e gjerë. Ndërkaq diplomacia perëndimore, meqë po përballet me lufën në Ukrainë e deri edhe me të papriturat si puna e grusht-shtetit të dështuar të Yevgeny Prigozhin-it, duke bërë që përplasjet e brendshme në Serbi të neglizhohen tërësisht.
Por fakti që opozita serbe dhe përgjithësisht qytetaria aktive serbe është në gjendje të protestoj rregullisht e me javë të tëra, është, në vetvete, një goditje masive për autoritetin e qeverisë së Vuçiçit.
Diplomacia perëndimore aktualisht në raportet e saj me Serbinë e bën të njëjtin gabim siç kishte vepruar me Rusinë e viteve 1990-ta, kur diskutonte hapur për gjoja gatishmërinë e Moskës për t’u anëtarësuar në aleancën e NATO-s.
Në fakt tani nuk diskutohet për gadishmërinë e mohuar të Serbisë për aderim në NATO, meqë ajo këtë e refuzon në mënyrë kategorike, por diskutohet për shkëputjen e Serbisë nga ndikimi rus, si ët ishte diçka e vetkuptueshme.
Një gabim historik i BE-së
Sipas mendimit tim, diplomacia perëndimore po bënë një gabim të njëjtë duke humbur një mundësi historike për ta shkëputur përfundimisht Serbinë nga ndikimi i Rusisë. Përballja e stisur e Serbisë me Kosovën dhe një lloj tumirje e heshtur e një lagjeje diplomatësh perëndimor për aneksimin e butë të veriut të Kosovës përmes krijimit të Asociacionit. Por një luftë e re shqiptaro-serbe nuk mbetet dot e izoluar, sado garanci të japë kryeministri i Shqipërisë politike apo nomenklatura drejtuese e Maqedonisë së Veriut. Me fjalë të tjera, Beogradi ka vendosur ndërkohë për një variant pak më të sofistikuar për aneksimin e veriut të Kosovës, por nuk do t’ia dalë dot të shmang dy frontet që do të mund të shpërthenin po njëkohësisht — ai kundër Bosnjës dhe ai kundër Kosovës. Pra, nuk ka asnjë gjasë të re, që mund të cilësohet nesër si mundësi e humbur për SHBA-në dhe BE-në për të marrë Serbinë në anën e Perëndimit dhe sigurisht nuk do të ketë për një kohë të gjatë përderisa e ardhmja gjeopolitike e Rusisë në raport me Kinën mbetet tutje me shumë pikëpyetje.
Në vitin 1948, ndërsa mbikëqyrte krijimin e NATO-s dhe zgjerimin e saj, George Kennan shkroi: “Pse aleanca ushtarake donte të largonte vëmendjen nga një program më i arsyeshëm dhe premtues i rimëkëmbjes ekonomike duke nxitur një rrezik që nuk ekzistonte në të vërtetë, por që mund të bëhej vërtet një realitet për shkak të debateve të pafundme rreth ekuilibrit ushtarak dhe nxitjes demonstrative të rivalitetit ushtarak?”
“Për disa arsye ne harruam se si Rusia mbështeti SHBA-në në Afganistan dhe i lejoi ata të transportonin furnizime për trupat amerikane në hekurudhat e tyre. Kemi harruar që Presidenti Vladimir Putin ishte lideri i parë ndërkombëtar që thirri Presidentin e SHBA-së Xhorxh W. Bush pas sulmeve të 11 shtatorit. Ne kemi harruar se çfarë mendon Putin për anëtarësimin në NATO. Ne harruam që Rusia iu kthye Krishterimit, por gjithashtu i dha liri Islamit dhe feve të tjera. Ne kemi harruar progresin e arritur nën Mikhail Gorbaçov, Boris Jelcin, Dmitry Medvedev dhe Vladimir Putin në reduktimin e armëve bërthamore. Së bashku me amerikanët, rusët ndihmuan në zvogëlimin e stokut botëror të armëve atomike nga 70,000 në rreth 13,000” — shprehet Jonathan Power në artikullin e tij në SCMP.
Në një analizë të veçantë me titullin sinjifikativ “Zbulohet: Si u bë marrëveshja në strehën e Stalinit”, të publikuar më 5 qershor 1999, The Guardian nënvizonte parakushtet që delegacioni amerikan ia kishte parashtruar delegacionit rus rreth zhvillimeve të pritshme atëbotë në Kosovë:
“E para, ishte që amerikanët dhe NATO-ja nuk do të tërhiqeshin nga kushtet e tyre. “Përfundimi ynë është se të gjithë forcat serbe, ose pothuajse të gjithë, duhet të largohen nga Kosova. Dhe ata duhet të zëvendësohen nga një forcë paqeruajtëse ndërkombëtare me një zinxhir të qartë komandimi të NATO-s dhe me NATO-n në thelb të saj,” kishte theksuar Strobe Talbott.
“Kjo është ajo që do të bëhet. Asnjë kompromis për ato pika. Asnjë negociatë me Beogradin. Ne nuk po flasim me Millosheviçin përveçse në një gjuhë: bombardimet.”
E vërteta e dytë, që Chernomyrdin njohu ishte se, nuk do të kishte ndarje të skifterëve nga pëllumbat, asnjë hendek real midis amerikanëve dhe evropianëve që Moska mund ta shfrytëzonte.”
Këtë fakt ia kishte bërë të njohur përfaqësuesit rus presidenti Martti Ahtisaari, i dërguari special i Bashkimit Evropian për Kosovën.
Për fat të keq, Perëndimi sot është tejet i përçarë rreth përmbylljes së dialogut për normalizim marrëdhëniesh mes Kosovës dhe Serbisë. Figurat si Josep Borrell dhe Miroslav Lajčák, janë krejt e kundërta e dyshes perëndimore që ishin ulur në villin e Stalinit në Moskë. Dyshja aktuale e BE-së Borell/Lajçak me masat që po ia imponojnë Kosovës në emër të BE-së, duket qartë, kanë misionin që kishte Milosheviçi — dëmtimin e BE-së dhe çarjen e NATOs në dysh!
Pas një rikëndellje që do ta ketë BE-ja, strukturat e saj, [reagimi i deputetëve në Komisionin për Politika të Jashtme tek raportoi Lajçak dhe u paralajmëruan masat që e presin Kosovën, më jep shpresë se kjo do të ndodhë shpejt], opinioni do t’i mësojë prapaskenat e turpshme të lobit serb brenda ekipit të Borellit, në dëm, jo vetëm të Kosovës, po edhe të BE-së.
Fundi i natyrshëm
Vuçiçi, përmes reagimeve në platformat televizive që i kontrollon rreptësisht, akuzoi opozitën për tradhti, duke i quajtur veprimet e saj si akte që bie ndesh me interesat e Shtetit. Por meqë shoqëria serbe ende nuk ka nxjerrë një lider opozitar që do ët mund ta kanalizonte gjithë këtë pakënaqësi të stivuar për vite të tëra gjatë pushtetit autoritar të Vuçiçit, ky i fundit sikur po përgatitet të veproj njëjtë siç veproi Putini me Prigozhin. E nëse Prigozhini mund ta ketë akorduar përmes marrëveshjes strehën e tij të fundit në Bjellorusi, duket se prigozhinët serb që mund t’i nxjerrë revolta e pritshme edhe brenda armaëtës serbe, do t’i drejtohen për strehë Greqisë a Francës, si pararendësit e tyre në vitin 1916.
Detyrimi i mundshëm i opozitarëve real për ta marrë rrugën e arratisë është një shenjë dobësie nga ana e Vuçiçit. A është pozicioni i Vuçiçit ndërkohë aq i dobët sa ai duhet të nxitojë të krijojë gjendje shpërthyese në veri të Kosovës në mesin e një enklave serbe që nuk kalon shifrën prej 25.000 vetash.
Shumë analistë — duke më përfshirë edhe mua në këtë kuadër — nuk besojnë se Vuçiçi do të heq dorë nga provokimi i një lufte të re shqiptaro-serbe, në rast se ai do të vazhdojë të trajtohet kështu si po trajtohet nga një lagje e mirë e diplomacisë perëndimore.
Por duke njohur mirë historinë politike të Serbisë, nuk pres që Vuçiçi ta jetojë vitin në pushtet. Ai tashmë e ka të qartës e protestat, nëse vazhdojnë të masivizohen gjithandej në Serbi, siç ndodhi me të shtunën e kaluar, pashmangshëm shënojnë fillimin e një lufte civile në Serbi. Prandaj Vuçiç po bën çmos që ta shmang një luftë civile të mundshme në Serbi dhe të krijojë rrethana për shpërthimin e një lufte ët re shqiptaro-serbe. Sidoqoftë gjasat janë më të mëdha që ai ose do ta ketë fundin e pararendësit të tij, Zoran Xhingjiç, ose atë të mbretit serb Peter I-rë, që qe strehuar në Angli gjatë Luftës së Parë Botërore. Por nëse Petri i I-rë qe detyruar të largohet nga Serbia pas invazionit të forcave austro-hungareze në vitin 1915, Vuçiçi me gjasë do të largohet nga Serbia meqë nuk do të tolerohet të shkaktojë këtë luftë në Kosovë, ndërkaq protestat masive të qytetarëve serb, ai e ka të qartë se mund të rrëshqasin në terrenin e luftës civile dhe jeta e tij rrezikohet seriozisht.
A ka nevojë Perëndimi për një luftë të re në Ballkan? Gjithësesi jo. Ajo që ai ka nevojë është një qasje e mençur e liderëve perëndimorë ndaj Serbisë, do të thoshte Andrew Higgins. Por a mund të ketë qasje të mençur prej partneri për partnerin e tij politik nga ana e Perëndimit në raport me presidentin serb, siç pretendon ambasadori C.Hill, për aq kohë sa ai mbetet i lidhur me botën e krimit, siç e ka dëshmuar tashmë NYT?!
Ndërkaq veprimi i Perëndimit me urtësi dhe në dobi të vlerave të demokracisë në rajon e krejtësisht në përputhje edhe me doktrinën e J.Bidenit për mbrojtjen e demokracive në luftë kundër autokracive, çuditërisht tashmë është braktisur nga
DASH-i!
Kjo urtësi po vazhdon të mungojë tutje, fatkeqësisht. Që nga marsi i vitit 1999, që kur liderët e Perëdnimit patën marrë vendimin historik për të bombarduar caqet e ushtrisë serbe që ta ndalnin gjenocidin serb mbi popullin shqiptar në Kosovë, kjo urëtsi ka marrë rrugën e pakthim!
Apo do të rikthehet tek atëherë kur në top lajmet e mediave do të plasohen titujt si ky i arritjes sot të 14 tankeve të para amerikane Abrams në Poloni, kur armë të kësaj natyre do të zbarkojnë në Kosovë. Pra vetëm atëherë kur rolin që ka sot Polonia në luftën kundër Rusisë, do ta mirrte Shqipëria tok me Kosovën për krahun jugor të NATO-s.
Por shiheni me sy kritik pozicionin aktual të Serbisë. Vuçiçi duket shumë më i dobët këtë javë që lamë pas nga java paraprake dhe kjo rrëshqitje drejt fundit të tij të natyrshëm do të jetë e përhershme. Vuçiçi asnjëherë nuk ka pasur pozicion më të pasigurtë se tani, prandaj mbetet për t’u parë nëse qeveria e tij do të zgjasë edhe ca javë, apo do t’ia dalë ta mbyllë këtë vit, në mos do të marrë tatpjetën me një shpejtësi që të kujton epokën kur po binin njëri pas tjetrit të gjithë liderët e Europës Lindore, e bashkë me ta edhe sistemi që kishin ngritur pararendsit e tyre pas Luftës së Dytë Botërore.
Ora e logjikës gjeopolitike të Europës dhe Serbia
Për dallim nga Rusia, e cila është një oligarki e pastër dhe Putini varet nga oligarkët e tij mbështetës për të ruajtur pushtetin e tij, Vuçiçi si autokrat, nuk varet vetëm nga oligarkët që e rrethojnë, por edhe nga Kisha dhe Ushtria, dy institucionet përherë aktive në jetën politike serbe. Kërcënimi për Vuçiçin ndërkohë po vije nga protestat qytetare, nga një kryengritje masive e popullatës serbe, e me gjasë edhe nga braktisja që mund t’i vije atij nga Ushtria.
Në këtë riformatim, nëse në perëndim të kontinentit të vjetër, e qartë, Polonia do të përfitojë më së shumti, asesi nuk mund të merret me mend se në Europën Juglindore do të jetë Serbia ajo që do të përfitojë më së shumti.
Vuçiçi i vetëdijshëm se Serbia nuk mund të rikthejë orën e historisë kur dominonte rajonin nën petkun e Jugosllavisë, ka inicuar zëvendësimin e saj me Ballkanin e Hapur.
Në epokën e pas Luftës së Ftohtë, Bashkimi Evropian gradualisht e realizoi veten si një lloj perandorie konsensuale nën kujdesin e fuqisë globale ushtarake dhe politike amerikane, e cila gjithashtu i jep SHBA-së karakteristika që e bëjnë të vështirë heqjen dorë nga karakteri i saj perandorak. Lufta agresive ruse i përshpejtoi këto procese. Por e tillë duket se nuk do të jetë pas luftës në Ukrainë. Përkundrazi, Evropa padyshim po ecën drejt tendosjes deri në pikën e thyerjes.
Duke ndëshkuar Kosovën, me qëllimin e vetëm që ta tërheqin Serbinë në bordin e anijes perëndimore në ujërat e fuqive Euroatlantike, diplomatët përfaqësues të BE-së sot, pretendojnë ta ndëshkojnë shtetin më të ri në kontinentin e vjetër, krejt në kundërshtim me vlerat mbi të cilat është ngritur BE-ja, dëmton keq këtë proces.
Ora e logjikës gjeopolitike të Europës ka ngelur në vitet e 90-ta të shekullit të kaluar. Prandaj Brukseli nuk kishte agjentë të mirëfilltë gjeopolitike për Ukrainën në vitin 2014, kur Federata Ruse filloi në praktikë pushtimin e Ukrainës; ajo, pra agjenda gjeopolitike, i mungonte edhe në prag të agresionit rus për pushtimin e plotë të Ukrainës.
Kurthi politik i Beogradit në raport me veriun e Kosovës dhe të ashtuquajturin Asociacion, në të cilën tashmë ka rënë Brukseli, është dëshmia se BE-së i mungon edhe sot e kësaj dite agjenda gjeopolitike për Europën Juglindore, me theks për Kosovën.
Ata diplomatë karriere që kanë qenë pjesë e aparatit të dhunës për shtypjen e populjve të vet [si puna e katalanit Josef Borrel], nuk mund të jenë modeli i politikanëve e diplomatëve që do të mund të kontribuonin në zgjimin e BE-së dhe reflektimin konform orës gjeopolitike të kohës.
Rrjedhimisht në këtë përplasje të agjendave gjeopolitike mes Rusisë e Perëndimit, humbësja më e madhe rezulton të jetë pikërisht BE-ja.
Por, në këtë tatpjetë të gjeopolitikës europiane dhe fund tragjik s’ka si të mos rrëshqasë edhe avokati i Putinit, presidenti serb Aleksandër Vuçiç, epoka e të cilit tashmë po merr fund.
Lini një Përgjigje