Reflektim mbi 13 vite qeverisje dhe 36 vite tranzicion.
Për shumë prej nesh, Edi Rama nuk ishte thjesht një politikan.
Ai ishte një shpresë.
Shumë qytetarë besuan te vizioni i tij. Besuan te aftësia e tij për të folur.
Besuan te guximi i tij për të sfiduar të vjetrën dhe për të ndërtuar diçka më të mirë.
Por sot, pas 13 vitesh qeverisje, nuk ka më rëndësi çfarë u premtua.
Ka rëndësi çfarë mbeti.
Dhe pyetjet që ngrihen sot janë të shumta.
A është Shqipëria më e fortë apo më e brishtë?
A janë institucionet më të pavarura apo më të varura nga pushteti?
A është qytetari më i respektuar apo më i shpërfillur?
A është e ardhmja më e sigurt apo më e pasigurt për brezat e rinj?
Por mbi të gjitha, pyetja më shqetësuese nuk lidhet me rrugët, ndërtesat apo statistikat.
Ajo lidhet me njeriun, sepse vlera e një qeverisjeje nuk matet nga betoni që ngrihet, por nga karakteri njerëzor që formohet, nga qytetari që edukon dhe nga shpresa që mbjell për të ardhmen.
Çfarë ka ndodhur me përmbajtjen njerëzore të shoqërisë sonë?
Çfarë ka ndodhur me dashurinë për dijen?
Me respektin për punën?
Me krenarinë për profesionin?
Me ndjenjën e përgjegjësisë ndaj komunitetit dhe vendit?
Filozofët dhe mendimtarët e mëdhenj na kanë kujtuar vazhdimisht se arsimi nuk ka për qëllim të prodhojë diploma, por njerëz të lirë.
Prandaj pyetja vazhdon e mbetet:
A po edukojmë të rinj apo po shpërndajmë certifikata?
A po ndërtojmë dije apo po legalizojmë padijen?
A po formojmë mendje kritike apo thjesht njerëz që përsërisin atë që dëgjojnë?
A po krijojmë qytetarë apo konsumatorë?
Një shoqëri mund të mbushet me të diplomuar e njëkohësisht të varfërohet nga të diturit.
Mund të mbushet me tituj dhe njëkohësisht të zbrazet nga urtësia.
Mund të mbushet me informacione dhe njëkohësisht të humbasë aftësinë për të menduar.
Mund të mbushet me universitete dhe njëkohësisht të mbetet pa dije.
- Çfarë po ndodh me kulturën e punës?
A po mësohen të rinjtë të ndërtojnë, të krijojnë, të prodhojnë dhe të kontribuojnë?
Apo po mësohen se suksesi vjen jo nga merita, por nga afërsia me pushtetin, lidhjet apo rastësia?
A është ende puna e ndershme rruga më e sigurt drejt suksesit?
A është ende profesionalizmi një vlerë?
A ndihet sot mësuesi më i respektuar? Mjeku? Fermeri? Inxhinieri? Punëtori? Sipërmarrësi i ndershëm?
Nëse JO- atëherë çfarë mesazhi po i japim brezit të ri?
Çfarë po ndodh me Shqipërinë reale?
Me fshatrat që boshatisen?
Me qytetet e vogla që humbasin gjallërinë?
Me tokat që braktisen sepe nuk ka kush t'i punojë?
Me familjet që ndahen nga emigrimi?
A mund të quhet zhvillim një proces që mbush disa qendra urbane, ndërsa boshatis pjesën tjetër të vendit?
A mund të quhet sukses një model që humbet pasurinë më të madhe të kombit: njerëzit e vet?
Kombet nuk vdesin kur humbasin pasuri materiale.
Kombet fillojnë të dobësohen kur humbasin besimin tek vetja, tek puna, tek arsimi dhe tek e ardhmja.
Dhe pyetja më e rëndë mbetet:
A po ndërtojmë një Shqipëri ku qytetari ndihet zot i fatit të vet?
Apo një Shqipëri ku shumica jonë ndihet gjithnjë e më shumë spektatore në vendin tonë?
Apo një Shqipëri ku qytetari, ndonëse jeton në vendin e vet, ndihet gjithnjë e më shumë i huaj në fatin e vet?
Qëllimi i zhvillimit nuk është të impresionojë botën.
Qëllimi i zhvillimit nuk është të prodhojë fasada.
Qëllimi i zhvillimit është t'u japë qytetarëve arsye për të qëndruar, për të shpresuar dhe për të besuar e kjo dhe vetëm kjo është masa e vërtetë e suksesit të çdo qeverisjeje.
Këto nuk janë pyetje kundër një njeriu.
Janë pyetje për një epokë - Për 36 vitet e tranzicionit.
Ato rëndojnë veçanërisht mbi ata që kanë mbajtur për dekada përgjegjësinë e qeverisjes.
Protesta e këtyre ditëve nuk duhet parë thjesht si kundërshti ndaj një vendimi apo ndaj një projekti të caktuar.
Ajo dukshëm është shprehje e një lodhjeje të akumuluar ndër vite. Një lodhjeje nga ndjenja se zëri i qytetarëve dëgjohet vetëm kur duhen votat e tyre.
Kur një protestë vazhdon ditë me radhë, përgjigjja më e mençur e pushtetit nuk është tallja, përçmimi apo arroganca. Përgjigjja më e mençur është reflektimi dhe veprimi.
Sepse pushteti nuk matet me vitet që qëndron në zyrë.
Pushteti matet me gjurmët që lë në jetën e njerëzve.
Sot ne që po protestojmë nuk po kërkojmë vetëm përgjigje për një çështje të caktuar. Po kërkojnë përgjigje për një ndjenjë të akumuluar zhgënjimi.
Po kërkojmë respekt.
Po kërkojmë të dëgohemi.
Po kërkojmë llogaridhënie dhe përgjegjësi.
Po kërkojmë rikthimin e besimit se ky vend mund të ndërtohet mbi meritën, dijen dhe punën e ndershme.
Dhe ndoshta, nëse ka një shërbim të fundit që një lider mund t'i bëjë vetes, është të dëgjojë, sepse ka momente në histori kur largimi dinjitoz kërkon më shumë guxim sesa qëndrimi me çdo kusht.
Historia nuk kujton vetëm ata që morën pushtetin.
Historia kujton edhe mënyrën se si u larguan prej tij, pasi:
Askush nuk mund të jetë më i madh se vendi.
Asnjë qeveri nuk është më e rëndësishme se e ardhmja e brezave të rinj.
Dhe asnjë pushtet nuk mund të zgjasë më shumë se durimi i një populli që kërkon të dëgjohet.
Pasi, nuk janë liderët ata që mbeten.
Mbetet vendi. Mbeten njerëzit. Mbetet trashëgimia që u lëmë brezave që vijnë.
Jepi përgjigjr direkte pyetjeve të tua e mos u rrotullo në asgjë.