TAGS-AT E JAVËS

Forum30 Korrik 2024, 18:00

Edi Rama, ky hoxhist që tallet me shqiptarët për të mbrojtur korrupsionin galopant në qeveri!

Shkruar nga Spartak Ngjela

Edi Rama, ky hoxhist që tallet me shqiptarët për të mbrojtur

A keni parë ndonjë kryeministër shqiptar, që nga Enver Hoxha e deri më sot, që të na e ketë ftilluar arsyetimin e shkarkimit të ministrave të tij, duke i dhënë përgjigjen pyetjes: Pse?

Kryeministri aktual E. Rama shkarkoi dje katër ministra dhe një zëvendës kryeministër, pa e shprehur përpara opinionit publik shqiptar psenë e shkarkimit për secilin. Dhe pa i thënë me ndërgjegje opinionit publik se: zgjedhja që kishte bërë, ishte e gabuar.

Por ne nuk e dimë, ky ishte gabimi i tij, apo ishte ideja e këtij kryeministri, që ka thënë: më duhen këta njerëz për të aktivizuar në maksimum korrupsionin dhe pastaj, me korrupsionin unë të blej shtetin vijimisht në favorin tim.

Në fakt, kjo filozofikisht quhet: arsyeja e krimit.

Pse vërtet mendoni ju se kryeministri aktual e pranon arsyen e së vërtetës?

Kuptohet që nuk e pranon dhe nuk ka se si ta pranojë për ndërtimin e tij psikik, që ai ka në raportin midis kryeministrit Rama dhe të vërtetës.

I.

Është raport shumë i vështirë ky për ta mposhtur dëliri Rama. Ai, brenda vetes thotë se "unë jam e vërteta". Dhe për nga formimi që ka, nuk largohet dot nga ky absurd. Dhe mos harroni që, injoranca dhe diktatura, duke pasur frikë të madhe nga e vërteta, mendojnë se me forcën e pushtetit apo të parasë, ata e kanë mposhtur të vërtetën.

Por e vërteta, tallet me ta.

Pse, a nuk është tallur e vërteta me të gjithë diktatorët e historisë moderne? Pse, ja, a nuk po tallet e vërteta me Sali Berishën?

Por Rama, nuk i di këto?

Është mirë t'i dije, jo për interes të Shqipërisë që ai mendon se po e drejton, por, më shumë, për interesin e tij personal. Sepse do të vijë një çast që, kur ky të kthejë kokën mbrapa, do shohë se ka pushtuar asgjënë, dhe se asgjëja që ka pushtuar i ka dhënë fuqinë e rremë të besimit të vet e të pa tundur se ai është një udhëheqës i madh.

II.

Pse, a keni parë ndonjë kryeministër shqiptar, që nga Enver Hoxha e deri më sot, që të na e ketë ftilluar arsyetimin e shkarkimit të ministrave të tij, duke i dhënë përgjigjen pyetjes: Pse?

Deri më sot, asnjë. Duke përjashtuar armiqtë e akuzuar fals, e të vrarë nga gjykatat e Enver Hoxhës.

E dini arsyen?

Sepse këta e kane urryer dhe e urrejnë popullin që po qeverisin.

Të gjithë këta kryeministra i ka obseduar figura e mbretit absolut.

Po mbretin absolut, ku e kanë parë?

E kanë adhuruar nga përrallat. Por, kanë parë edhe Enver Hoxhën.

Pse këta kryeministrat tanë, monark e kanë ditur dhe e dinë veten?

Këta Monarkun e ndiejnë së brendshmi, prandaj dhe janë qesharakë. E duan ta realizojnë dhe këtë e arrijnë mes dhunës, shkeljes së ligjit, por edhe me korrupsion.

Dhe qetësohen, jo si rrjedhojë e një logjike të kulluar, por, krejt e krejt, si pasojë e besimit të tyre verbarak që iu thotë së brendshmi: "ti tani je mbret" .

Dhe me këtë jetojnë, e me këtë luftojnë kundërshtarët, por, edhe me këtë marrëzi janë gjithashtu, kur e gjejnë veten pas hekurave.

III.

Natyrisht që, kjo që shpjeguam është gjendja psikologjike e diktatorit. Por, në këto çaste historike, në Shqipëri ka dalë SPAK.

Dhe kjo po kuptohet se i ka rreshtuar bashkë politikanët e korruptuar, që janë në qarqet e larta të politikës në Shqipëri.

Edhe Ramën po e shohim se, ekzistenca e SPAK, ia ka dhënë një goditje për të vërtetën dhe këto ditë e pashë që duket shumë i intonuar.

Në të vërtetë, Rama nuk e ka penguar SPAK-un, edhe pse mund ta ketë në disfavor..

Por, çfarë na duhet ne?! Për ne mjafton që po pranon dhe po i bindet SPAK-ut, edhe pse SPAK-u i ka arrestuar katër ministra, një zëvendës kryeministër, disa kryetare bashkish,... dhe Rama nuk ka pasur fare ndonjë ndeshje mospranimi.

Por SPAK ka arrestuar edhe ish kryeministrin Sali Berisha.

Kjo tregon se Rama duhet të ketë pas vetes ekspertë ndërkombëtarë të nivelit të lartë që ia kanë arsyetuar, që korrupsioni në Shqipëri do të luftohet si domosdoshmëri historike e Shqipërisë.

Sepse, i gjithë korrupsioni i lartë shtetëror, tani duket i trembur dhe i futur nën guackë.

Dhe dihet se ata e kanë kuptuar që SPAK-u ka në dorë forcën historike të Shqipërisë, dhe kjo forcë i është dhënë nga Uashingtoni edhe me para, por edhe me ide.

Këto janë fakte të një të vërtete që nuk mund të kundërshtohet. Dhe prandaj na duhet të theksojmë se, faktet e korrupsionit të  lartë shtetëror në Shqipëri, janë të regjistruara nga FBI dhe nga CIA.

IV.

E pra, prandaj themi që, me eliminimin e korrupsionit të lartë shtetëror, në Shqipëri do të fillojë me rritëm të lartë:

Rikrijimi i prodhimit industrial që shkatërroi banda Berisha në vitet 1992-1997.

Rikrijimi i shkencës me anë të instituteve shkencorë, që shkallmoi banda Berisha në Shqipëri.

Ngritjen e nivelit të lartë të Universitetit të Tiranës me profesorë të njohur në Perëndim.

Ngritjen e nivelit të gjimnazit në Shqipëri dhe luftimi i rreptë i shitjes së notës që ka sjellë në Shqipëri mediokritetin në drejtimin e shkencës, të shkollës dhe të universitetit.

Mbyllja e universiteteve private, sepse me shitjen e provimeve, kanë krijuar në Shqipëri injorancën që po drejton Shqipërinë.

Dhe kjo, sigurisht që do të quhet: reforma e modernizimit real të Shqipërisë...

Lini një Përgjigje