
Pra, për ta thënë me fjalët e Edi Ramës, “po qe se bëhet kaq e madhe kjo e Belerit, në dreq vaftë edhe kjo puna e Evropës!”.
Para dhjetë ditësh kancelari gjerman Scholz i tha medias se ishte kundër bilateralizimit të procesit të zgjerimit të Bashkimit Europian. Këtë deklaratë kancelari e bëri në prani të Kryeministrit grek, Micotaqis, i cili ishte në vizitë zyrtare në Berlin. Kancelari me sa duket po i referohej mosnënshkrimit nga ambasadori i Greqisë pranë BE i një letre qarkore me të cilën autorizohej Komisioni Europian të çelte bisedimet me Shqipërinë për disa grup-kapituj të projekt/traktatit të anëtarësimit. Meqë për këtë hap duhet unanimitet nga tërë shtetet anëtare Komisioni nuk mund të veprojë. Siç dihet motivi i Athinës ishte çështja “Beleri”.
1-VETOT IDENTITARE
Kancelarit Scholz duhet t’i japim të drejtë. Me çështjet e Ballkanit, shtetet anëtare të BE-së jo rrallë kanë abuzuar me veton e tyre në Bruksel. Këtë lojë e nisi Greqia në fillim të viteve ’90, kur një ministër i Jashtëm aventuroz shpalli “armik” Maqedoninë me akuzën e grabitjes së emrit, historisë e kulturës. Ndonëse në biseda private politikanë miq më kanë pranuar se kjo qasje ishte e padobishme, opinioni publik grek u mbrujt me idenë Shkupit “plaçkitës”, duke e vështirësuar kompromisin e marrëveshjen që u arrit vetëm në 2018. Pra, me këtë mesele për një çerek shekulli Greqia pengoi rrugën e anëtarësimit të Maqedonisë (së Veriut) në NATO e BE. Po kështu, në disa intervale është sjellë edhe Bullgaria me Maqedoninë. Herë me pretendimin se mohonin që ishin bullgarë e aktualisht me pretendimin kontradiktor se nuk njihnin minoritetin bullgar. Sofja ka vënë herë pas here veton në BE kundër Shkupit.
Në Bullgari, pra disa vitesh kjo çështje u nxor nga arkivi dhe u trumbetua nga një president populisto-nacionalist; ai e ndezi opinionin publik e për pasojë kauza anti-Shkup u përqafua herë me qejf e herë nga halli nga shumica e partive parlamentare. Personalitete të mençura që e konsideronin absurde këtë ekstremizëm nuk i dëgjonte më kush.
Edhe Shkupi nuk mbeti dorëjashtë duke provokuar Greqinë me ngritjen e statujave neohelenistike dhe Bullgarinë duke ritransmetuar filmat e kohës së Titos që i paraqesin bullgarët si mongolë barbarë. Po në fund të ditës mbetet një veto me pasoja negative për rajonin dhe Europën dhe e motivuar nga çështje identitare e historiko-kulturore të pakuptueshme jashtë rajonit.
2-VETOT MATERIALE
Por veto bilaterale është sport europian edhe për shtete të tjera në BE. Veçse motivet shtetërore janë më konkrete dhe materiale. Për shembull, Sllovenia e pengoi për disa vite anëtarësimin e Kroacisë, sepse donte një marrëveshje të favorshme për kufirin detar në gjirin e Piranit. Ajo e hoqi veton kur ndërhyrja e Brukselit bëri që Kroacia të pranonte arbitrazhin ndërkombëtar. Po kështu, edhe Çekia në vitin 2014 kërcënoi me veto kundër statusit kandidat të Shqipërisë, nëse Tirana për çështjen CEZ nuk tërhiqej nga arbitrazhi ndërkombëtar dhe nuk pranonte kushtet kompanisë shtetërore çeke. Megjithëse në arbitrazh shanset e fitores ishin të larta, qeveria “Rama” e hëngri presionin dhe pranoi plotësisht marrëveshjen e diktuar nga Praga. Një vit më vonë Kontrolli i Lartë i Shtetit gjeti se kjo marrëveshje ishte e paligjshme, i kishte shkaktuar 479 milionë euro dëm shtetit dhe depozitoi kallëzim penal kundër ministrit të linjës.
Një aspekt bizar i kësaj marrëveshjeje ishte detyrimi i palës shqiptare, që në asnjë rast të mos ngrinte padi penale kundër personelit çek të “CEZ Albania’: as për korrupsion e as për tjetër gjë. Kjo lloj amnistie është jo vetëm amorale, por edhe dukshëm jokushtetuese. Por, para “kauzës europiane”, qeveria Rama nuk pyeti as për taksaparatë e as për Kushtetutën. Arsyet e vetos në rastet e mësipërme e në të tjera të ngjashme mund të jenë të drejta ose të padrejta, të arsyeshme ose të ekzagjëruara, parimore ose egoiste. Sido qofshin ato, përdorimi i vetos europiane për çështje që nuk kanë lidhje me procesin e integrimit e anëtarësimit në BE është i padrejtë, i ekzagjeruar dhe egoist. Prandaj z. Scholz e shumë si ai kanë të drejtë kur shprehen kundër “bilateralizimit”.
3-A është rasti “Beleri”, një çështje e mirëfilltë bilaterale shqiptaro-greke?
Po qe se i referohemi tipologjisë së motiveve të mësipërme Athina:
-Nuk po pretendon se Shqipëria po i përvetëson historinë (në fakt nëna e Aleksandrit të Madh të Maqedonisë ishte princeshë nga fisi i Molosëve, kushërinj me ilirët, por ne nuk e kemi pretenduar zyrtarisht si (gjysmë) shqiptar).
-Nuk po pretendon se jemi grekë e që shqipja është një dialekt i greqishtes (jetojmë në kohën e një dalldisjeje fejsbuku mbas pellazgjishtes edhe si çati e përbashkët, por fatmirësisht kjo ende nuk është bërë argument i diplomacisë).
-Nuk po pretendon që çështjen e kufirit detar me Shqipërinë ta bëjë parakusht në procesin e Bashkimit Europian (ky ka qenë një proces strikt bilateral që prej 15 vjetësh ka ecur mes marrëveshjesh, anulimeve të tyre, negociatave të pafrytshme dhe dakordimit për arbitrazh ndërkombëtar).
-Nuk po insiston që shteti ynë të paguajë dëmshpërblime për aksh kompani greke (nuk do të ishte çudi, por nuk është ky rasti).
Përtej këtyre rasteve tipike bilaterale, lipset të vërehet se Athina nuk po përdor veton e minoritetin grek, që teorikisht do të kishte bazë ligjore (kriteret e Kopenhagenit, të cilat duhen përmbushur nga shtetet kandidate për në BE, flasin shprehimisht për të drejtat e minoriteteve) ndërkohë që Budapesti sinjalizon se mund të votojë kundër çeljes së negociatave të anëtarësimit të Ukrainës në BE pikërisht për gjendjen e pakicës hungareze në Transkarpate.
Siç e kam argumentuar në shënime të mëparshme, Beleri është një rast i qartë i dhunimit të shtetit ligjor e të demokracisë, i të drejtave civile e politike; vetë Fredi Beleri është një i burgosur politik, i pari i burgosur politik në shekullin 21 në Shqipëri dhe prandaj një precedent i rrezikshëm (duke parë zhvillimet e muajit të fundit me trishtim duhet shënuar edhe se ai nuk është më i vetmi i burgosur politik). Lidhja e vetme formale e Belerit me Greqinë është shtetësia e dyfishtë shqiptare e greke e tij. Por edhe kundërshtari i Belerit në garën bashkiake po ashtu ishte.
4-REHABILITIMI I VETOS SI KAMBANË PËR KOMISIONIN
Duke ngritur çështjen “Beleri” në Bruksel, Athina nuk ka ngritur një çështje dypalëshe greko-shqiptare, por një çështje absolutisht të brendshme, të rëndë e të rëndësishme të shtetit shqiptar. Greqia është një shtet i vogël në BE, ku influenca shihet në përpjesëtim me madhësinë e çdo shteti anëtar. Vetoja greke, për shkak të përvojës së shkuar me Shkupin mund të shihet me dyshim në Bruksel si bariu që thirri pa vend “ujku, ujku!”. Por ndërhyrja e Greqisë duket se mbush vakumin e krijuar nga inercia, heshtja e symbyllja e Komisionit Europian. Pikërisht Komisioni, ky organ primar i Bashkimit Europian me detyrë funksionale të verifikojë kriteret e Kopehagenit në vendet kandidate si Shqipëria, heshti deri në nëntor për Belerin, ndërkohë që dënonte arrestime arbitrare në Azerbajxhan e gjetiu.
Raporti “Shqipëria 2023” i Komisionit, i publikuar këtë muaj, e paraqet shkurt e formalisht saktë çështjen “Beleri”, por çuditërisht jo kapitulli i demokracisë e i të drejtave themelore, por tek ai mbi raportet me fqinjët (për hir të së vërtetës lipset të themi se për herë të parë në këtë dekadë, raporti ka dy-tri paragrafë të ndrojtur që përshkruajnë dhunimin e të drejtave parlamentare të opozitës; ky është një zhvillim i mirëpritur edhe pse dhjetë vjet i vonuar. Por këto në shënim tjetër). Heshtja e Komisionit Europian mund të ketë disa arsye, por më e dukshmja është nevoja për të paraqitur si suçess story organet e drejtësisë post-reformë, ku Komisioni investo një kapital politik e financiar të konsiderueshëm; kuptohet me synime pozitive.
Ndonëse privatisht diplomatë të ndryshëm e pranojnë se reforma rezultoi shumë problematike burokratët e Komisionit, nuk ka si të kenë interes institucional dhe kurajë morale të pohojnë se drejtësia e re, por prodhon të burgosur politikë, gjë që drejtësia e vjetër, me gjithë mëkatet e dobësitë e veta, nuk e bëri që nga viti 2000. Për të plotësuar me nota pozitive kuadrin e BE-së, lipset të thuhet se Parlamenti Europian dhe parti kryesore të tij janë shprehur qartë e drejtë për çështjen “Beleri”. Po kështu mund të flitet edhe për heshtjen e dy organizatave europiane me fokus te të drejtat themelore dhe që kanë zyra në Tiranë: Këshilli i Europës dhe OSBE nuk janë shprehur dhe kjo ngre pikëpyetje e fton një debat mbi dobishmërinë e tyre. Po këtu, duhet shtuar se Kongresi i Autoriteteve Lokale (brenda KiE) ka denoncuar arrestimin në Himarë dhe ODIHR (brenda OSBE-së) e përmend rastin “Beleri” në raportin mbi zgjedhjet lokale të majit 2023.
Në këtë kontekst vlen të konsiderojmë se çfarë mund të ndodhte në skenarin hipotetik, ku qeveria greke nuk do të kishte interes për Fredi Belerin, nuk do të çante kokën nëse u arrestua ai dhe do të merrej me punët e veta. Barra për të denoncuar e luftuar precedentin e burgosjes politike do të mbetej kryesisht tek opozita, e cila aktualisht është si zjarrfikësi i vetmuar para zjarreve në çdo lagje të qytetit. BE e SHBA përveç frenimeve të mësipërme, janë të absorbuar nga krizat e konfliktet në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme. Si pasojë, Ballkanin e shohin më shumë në prizmin gjeopolitik dhe më pak në atë demokratik.
Prandaj më duket, edhe pse kam alergji ndaj vetove bilaterale, se ndërhyrja greke në Bruksel për çështjen “Beleri” mund të ketë pasoja pozitive, pasi mund të ngrejë qepallat burokratëve cinikë. Pra, për ta thënë me fjalët e Edi Ramës, “po qe se bëhet kaq e madhe kjo e Belerit, në dreq vaftë edhe kjo puna e Evropës!”. Dhe për ta mbyllur me një kontekstualizim joironik të një evolucioni: kryeministri, i cili në vitin 2014 për të marrë statusin kandidat nuk u tut nga humbja e qindra miliona eurove nga buxheti i shtetit dhe nga shkelja e Kushtetutës, dhjetë vjet më vonë thotë në dreq vaftë anëtarësimi në BE, po qe se nuk ndaj dot tokat e bregdetit me njerëzit e mi.
Lini një Përgjigje