TAGS-AT E JAVËS

Forum22 Shtator 2025, 21:10

Diktaturat nuk janë të përjetshme!

Shkruar nga Spartak Ngjela

Diktaturat nuk janë të përjetshme!

Gjithkush duhet ta dijë se në një vend ku qoftë edhe një individ nuk është i lirë, askush nuk mund të jetë i lirë...

Një jetë e vështirë që ka kaluar nga dija e lartë në krijim; nga krijimi në një persekutim politik i një diktariri apo një diktature; nga persekutimi politik në një liri ku ti sërish krijon e shkruan në letërsi apo filozofi, prandaj, në të vërtetë, kjo jetë të ka mësuar normalisht se: Diktaturat nuk janë të përjetshme; Krijimet letrare me vlerë ndërkombëtare janë me afat shekujsh; Lufta ideore kundër një diktature ta jep qartasi në mendimin tënd për lirinë.

Gjithkush duhet ta dijë se në një vend ku qoftë edhe një individ nuk është i lirë, askush nuk mund të jetë i lirë, sepse: kush ia ka hequr lirinë këtij individi, një kundërshtar i tij personal apo shteti?

Ja kjo është pyetja.

Nëse lirinë ia ka hequr shteti, në atë shtet askush nuk mund të jetë i lirë sepse kuptohet që pushteti politik drejton edhe gjykatën.

Po rrëzimi i një diktarure me revolucion, është progres? Jo, deri tani nuk ka qenë progres, sepse lideri apo liderët e revolucionit fitues janë kthyer në diktatorë.

Po shoqëria?

Shoqëria në një diktarurë nuk duhet marrë shumë parasysh, sepse diktatorët ideologjik të Shekullit të XX kanë pasur mbështetje të gjerë popullore.

Po përballë historish të tilla, kush e ka drejtuar shoqërinë?

Marrëzia e diktatorit ideologjik, e bashkuar, me çoroditjen mendore të shoqërisë që e përkrah atë diktator me histeri - është vetë procesi politik që i ka drejtuar diktaturat ideologjike në shekullin e xx.

Po në shoqëri të tilla, kur populli në shumicë çohet me eufori për diktarurën; kush është fajtori historik: diktatori apo shoqëria që adhuron diktatorin dhe diktaturëne tij?

Janë të dyja palët në unison; por kur është rrëzuar diktatori e gjithë shoqëria ka bërë festë. Po në këtë feste, është përfshirë edhe populli i cili tani e urren diktaturën dhe diktatorin e rrëzuar? Po, në këtë festë është përfshirë i gjithë populli adhurues i diktatorit dhe diktaturës.

Po çfarë ka treguar kjo në histori?

Kjo tregon se shoqëria njerëzore ende nuk është ndarë nga absurditeti shtetëror, sepse shpesh e ka adhuruar atë.
Po si shpjegohet që turmat i duan aq shumë diktatorët?

Kjo ende nuk dihet sakt si arsye; por historia e thellë na ka thënë se, te këto shoqëri çdo individ i iluminuar në brendësinë e tij është një tiran, dhe prandaj shekulli i XX ishte aq shumë i vështirë me liderët revolucionare, në të gjithë botën: nga Stalini te Hitleri; nga Hitleti te Mao Ce Duni: nga ky i fundit te shumë tiranë në Azi e në Afrikë.

Po tani ku jemi; sepse nuk jemi më në Shekullin e XX?

Tani jemi në disa lloje diktaturash që duan një shpjegim teorik dhe faktik më të thellë; por ky shpjegim po pritet të vijë; dhe do të vijë.

Atëherë?

Duhet pritur koha e artë. Po cila do të quhej koha e artë e një shoqërie njerëzore? Ende nuk kemi një arsyetim të provuar shkencërisht për këtë. Domethënë ne si shoqëri njerëzore do të jemi ngaherë të kërcënuar nga absurditeti që mund të na drejtojë në shoqëri dhe në shtet.

Po absurditeti çfarë është nëse do të mund ta shprehim teorikisht?

Absurditeti është mungesa e harmonisë që krijon disonancë në gjykim e cila në të vërtete krijon një gjendje jashtë logjikës normale.

1 Komente

  1. T
    Toni Kaushi

    Je As Zoti Avokat i Popullit, po je me te vertete.

    Lini një Përgjigje