
Ai mbetet i vendosur deri në fund, për të mos u larguar nga posti i kryetarit të PD, aq sa mbetet stoik, edhe për bunkerizimin e saj pa limite kohore.
Prej 2 javësh, kryetari PD-së Sali Berisha, po “shpjegon në detaje programin e asaj force politike”. Kur flet për pagat dhe pensionet, mbledh ca ekonomistë që askush nuk u ka thënë “puna e mbarë”. Kur flet për bujqësinë, fton ish-agronomë parcelash që askush nuk i njeh. Kur flet për rendin, burgjet dhe qetësinë, mbledh ish-policët e 2005-2013, ata që i nxori në pension reforma, me të cilët Berisha thuajse e shkatërroi strukturën ligjore të uniformave blu. Por më “çudibërëse”, mbetet kur Berisha flet për politikën e jashtme, dhe fton ca ish-diplomatë dhe ish-ambasadorë, që dikur kanë blerë dëftesa dhe diploma false me shumicë tek universitetet kioska.
Pra, Berisha nuk priti të niste mire fushata, por u “lëshua” mbi premtimet dhe angazhimet e tij “bombastike”, duke mos kursyer asgjë, madje edhe imagjinatën e shfrenuar për ti joshur shqiptarët për ca vota më shumë. Një tjetër gjë, që Berisha nuk po harron këtë fushatë, mbetet urdhri i tij suprem për mediat që sponsorizon. Ato media, duhet patjetër të ftojnë çdo natë, “analistë”, që “zbërthejnë fije-fije programin e PD-së, dhe bëjnë copash atë të PS”. Dhe me këto forma dhe metoda të vjetruara allaberishiste, kryetari PD-së, mendon se mund të vijë në pushtet me votat e shqiptarëve. Fushata sot është prezantim, dinjitet, seriozitet, duhet të ketë objektivitet dhe jo mashtrime, pasi është koha e zhvillimit të lartë të elektronikës
Nga shtëpia e tyre, shqiptarët sot të bëjnë “radiografinë dixhitale” të asaj që flet, premton dhe thua mbi veten dhe kundërshtarin. Ka ikur koha e fjalimeve pa sens, e frazave tonike dhe premtimeve bombastike. Bëhu vetvetja, dhe ke fituar “davanë”. Kjo ngjet vetëm me kreun e Partisë Socialiste Edi Rama. Nga 2013 deri sot, ç’ka ka thënë, e ka bërë, ç’ka ka premtuar e ka realizuar. Atëherë pse të mos besojnë sërish Ramën shqiptarët, por duhet të joshen nga butaforia politike e Berishës? Natyrisht, Edi Rama i përket një tjetër brezi dhe race tjetër politikanësh, dhe as krahasohet me Sali Berishën. Por ajo që konstatoj, është mënyra dhe vendosmëria absolute e Berishës, për të mos ndryshuar kurrë, dhe asgjë nga rrugëtimi i tij politik.
Kështu ka mbajtur dhe vazhdon ta mbajë ai edhe partinë, edhe “vegjëlinë” e saj, me dokrra dhe premtime boshe. Ai mbetet i vendosur deri në fund, për të mos u larguar nga posti i kryetarit të PD, aq sa mbetet stoik, edhe për bunkerizimin e saj pa limite kohore. Ajo parti pas 11 Majit, do të mbetet e braktisur, e rrënuar, e kyçur nga degët deri në selinë qendrore. Dhe pse? Sepse mbahet me pahir larg ndikimeve moderuese, që do ta rinovonin atë ashtu siç ndodh me çdo parti demokratike në Europë.
Berisha e ka “armë të fuqishme” butaforinë e tij politike, në fushata dhe jashtë tyre, edhe pse e di mirë që ajo nuk jep rezultate pozitive në kohë të tilla , aq më tepër kur përballë ke një kundërshtar si Edi Rama.
Lini një Përgjigje