TAGS-AT E JAVËS

Forum25 Qershor 2025, 10:33

“Bloomberg”: NATO më afër se kurrë shpërbërjes!

Shkruar nga Hal Brands

“Bloomberg”: NATO më afër se kurrë

Aleanca ka qenë që në fillim një “fole grerëzash”, me sherre të bujshme, kërcënime dhe pastaj prapësime. Por presidenti aktual i SHBA-së, është më pak toleranti në raport me atë që kërkon nga vendet e tjera të NATO-s...    

Pse aleanca më e madhe ushtarake e botës zhytet kaq shpesh në kriza? Rizgjedhja president e Trumpit nëntorin e vitit të kaluar dhe fjalimi enkas fyes i zëvendëspresidentit J.D.Vance në Mynih në shkurt të këtij viti, e futën NATO-n në një ankth të madh.

Por kjo nuk është hera e parë që aleanca ka qenë pranë shpërbërjes. NATO e rindërtoi Evropën dhe botën në dekadat pas themelimit të saj në vitin 1949, duke sjellë paqe dhe siguri në një kontinent që kishte shkaktuar vazhdimisht luftëra globale. Megjithatë, që nga fillimi, ajo ka qenë një koalicion i diskutueshëm, dhe anëtarët e saj janë grindur me njëri-tjetrin.

Trump duket ndonjëherë shumë armiqësor ndaj NATO-s. Por edhe udhëheqësit e mëparshëm të SHBA-së, kanë kërcënuar se do të largoheshin nga aleanca, apo se prisnin me padurim ditën kur Evropa do të kujdesej për veten. Historia e NATO-s, është një kombinim i çuditshëm arritjesh epike që ndryshojnë historinë, por edhe krizash ekzistenciale.

Ankthi transatlantik është rritur shumë, teksa Trump ndodhet në Hagë për samitin e NATO-s. Ai gati u tërhoq nga NATO në mandatin e tij të parë; teksa në të dytin ka ngritur pyetje serioze në lidhje me mbijetesën e saj. Megjithatë kriza aktuale nuk është vetëm vepër e Trump.

Dhe nëse presidenca e tij ka një shans real për ta shkatërruar aleancën, ironikisht ajo mund ta ripërtërijë atë. Për dekada të tëra, ana tjetër e krizës ka qenë qëndrueshmëria. NATO-s do t’i duhet sot çdo grimcë e saj, për t’u përballur me sfidën e saj aktuale, dhe për të shmangur një shpërbërje që mund të jetë katastrofike për Evropën, Amerikën dhe botën në përgjithësi.

NATO është vërtet aleanca më e suksesshme në histori. Por rrugës, ajo është testuar, vazhdimisht dhe shumë fort. Dokumenti themeltar i aleancës, Traktati i Atlantikut të Veriut, u nënshkrua më 4 prill 1949. Përplasjet e brendshme - mbi strategjinë ushtarake, tregtinë dhe thuajse çdo gjë tjetër - filluan menjëherë pas kësaj.

NATO ishte në prag të ndarjes gjatë debatit të ashpër mbi riarmatimin e Gjermanisë Perëndimore në vitet 1950, apo mosmarrëveshjeve të ashpra rreth Irakut në vitin 2003. Kriza e Suezit e vitit 1956 - kur Uashingtoni refuzoi të mbështeste një përpjekje franko-britanike për të pushtuar Kanalin - e çoi sërish aleancën në prag të shpërbërjes.

Luftërat financiare dhe monetare të viteve 1960-1970, debatet mbi garën e armatimeve dhe kontrollin e armëve në vitet 1980, e tronditën NATO-n në thelbin e saj. Franca u largua nga komanda ushtarake e NATO-s në vitin 1966, dhe këmbënguli që të gjitha trupat amerikane të largoheshin nga territori i saj.

“A përfshin kjo edhe amerikanët e vdekur për çlirimin e Francës?”- pyeti me sarkazëm Sekretari amerikan Shtetit Dean Rusk. Ndërsa presidenti Eisenhower pyeti se kur Evropa Perëndimore mund të merrte disa masa, që Amerika të mund të “rrinte qetë dhe të relaksohej disi”.

Gjatë përplasjeve brenda aleancës në vitet 1950-1960, zyrtarët amerikanë kërcënuan edhe pse indirekt, se do t’i tërhiqnin trupat. Disa gjëra nuk ndryshojnë kurrë: Në vitin 2011, Sekretari i Mbrojtjes Robert Gates paralajmëroi se evropianët që nuk paguajnë për mbrojtjen mund të mbeten vetëm një ditë.

Trump është më i vrazhdë dhe më i ashpër në lidhje me këto çështje. Por nuk është i pari që vë e në dyshim nëse NATO është një marrëveshje e mirë për SHBA-në. Atëherë, pse aleanca është kaq e trazuar, dhe pse ka mbijetuar gjithsesi deri më sot? Origjina e fragmentarizmit të NATO-s mund të gjendet edhe në statutin e saj.

Organizata përfshin një oqean dhe dy kontinente; shtrihet nga Arktiku në Mesdhe. Anëtarët e saj - fillimisht 12, sot 32 - kanë interesa, histori, gjeografi dhe nivele pushteti shumë të ndryshme. NATO ka në gjirin e saj një superfuqi dhe mikroshtete, shoqëri të begata dhe relativisht të varfra, vende me siguri të jashtëzakonshme dhe shtete që janë pushtuar vazhdimisht.

Në fillimet e saj, ajo përfshinte si diktatura ashtu edhe demokraci. Anëtarët e saj përfshinin perandori koloniale në rënie, si dhe udhëheqës që e quanin veten kundërshtarë të kolonializmit, pavarësisht se ndërtuan vetë një perandori kryesisht informale.

Dhe nëse shtojmë edhe përplasjet e pashmangshme të personaliteteve - midis presidentit francez Charles de Gaulle dhe atij amerikan Lyndon Johnson, midis Trump dhe kancelares gjermane Merkel dhe dysheve të tjera toksike - s’është çudi që grindjet e brendshme janë kaq të shpeshta.

Ato burojnë edhe nga ambicia e tepruar e NATO-s. Që nga fillimi, aleanca kërkoi nga SHBA-ja të mbronte vende mijëra kilometra larg kufijve të saj. Kjo kërkonte vendosje masive të trupave jashtë shtetit, të mbështetura nga kërcënimet e armëve bërthamore.

Shtetet e Bashkuara ndërtuan një kompleks fuqie dhe angazhimi për të mbrojtur Evropën Perëndimore. Por aleatët evropianë nuk u bindën kurrë plotësisht, se një superfuqi e largët do të rrezikonte një vetëvrasje kombëtare për t’i mbrojtur ata. Edhe udhëheqësit amerikanë, nuk u bindën kurrë, se aleatët po mbanin pjesën e tyre të barrës.

Pavarësisht këtyre, NATO vazhdoi të mbetej në këmbë sepse kishte gjithmonë armiq - Bashkimin Sovjetik, radikalët islamikë, Rusinë e Vladimir Putinit - mjaftueshëm të dëmshëm sa për t’i mbajtur të bashkuar anëtarët e saj. Vlerat demokratike të ndara nga shumica e këtyre shteteve, siguruan kohezion ideologjik dhe një angazhim të përbashkët për të krijuar një botë ku liberalizmi mund të lulëzonte.

NATO mbijetoi, edhe sepse nxiti lidhje të thella dhe të institucionalizuara midis ushtrive, qeverive dhe shoqërive. Dhe me kalimin e kohës, jetëgjatësia e NATO-s e rriti qëndrueshmërinë e saj: Sa më gjatë ekzistonte, aq më pak mund ta imagjinonin jetën pa të anëtarët e saj. Superfuqia e vërtetë e NATO-s, është aftësia e saj për të lulëzuar në rrethana që ndryshojnë, një aftësi që ajo duhet ta përdorë në mesin e krizës aktuale. Aktualisht, aleanca po vihet në provë nga 4 kriza konvergjente që e kanë origjinën shumë më thellë se sa efektet shkatërruese të Trumpit. Së pari, nga një krizë sigurie, e krijuar nga agresioni serial i Rusisë në Lindje. Që nga viti 2022, NATO ka reaguar duke mbështetur luftën e Ukrainës për mbijetesë. Aleanca u zgjerua me Finlandën dhe Suedinë, dhe anëtarët e saj rritën shpenzimet për mbrojtjen. Por shefat evropianë të mbrojtjes kanë frikë se nëse Moska fiton në Ukrainë, mund ta testojë NATO-n ushtarakisht, ndoshta në shtetet baltike që janë gjysmë të rrethuara nga fuqia ruse.

Edhe nëse nuk e bën këtë, NATO do të përballet me një kundërshtar të zemëruar dhe hiper-militarizuar, që po zhvillon tashmë luftë hibride - subversion, sabotime, ndërhyrje politike - nga njëri skaj i kontinentit në tjetrin.

Së dyti, nga një krizë përgatitjeje. Pas Luftës së Ftohtë, NATO u bë më ambicioze gjeografikisht. Ajo ndërhyri “jashtë zonës” së saj, në zona lokale nga Ballkani në Afganistan. Por u bë më pak e aftë ushtarakisht, falë një paqeje çerekshekullore. Deri në mesin e viteve 2010, trupat gjermane stërviteshin me shkopinj fshese në vend të armëve.

Së treti, nga një krizë e zhvendosjes së prioriteteve. Evropa ishte prioriteti kryesor i Uashingtonit në Luftën e Ftohtë, pasi në garën sovjetiko-amerikane, ishte rajoni vendimtar ekonomikisht dhe ushtarakisht. Por që atëherë, qendra e gravitetit ekonomik të botës është zhvendosur në Lindje. Dhe zona kryesore e rrezikut ushtarak nuk është Hendeku Fulda, por Ngushtica e Tajvanit.

Së fundmi është kriza e besueshmërisë. Evropianët e kanë pyetur gjithnjë veten nëse SHBA-të do të jenë aty kur të ketë rëndësi. E si mund të mos shtohen këto frikëra në epokën e Trump? Trump nuk është i vetmi që e ka vënë në pikëpyetje vlerën e NATO-s.  Por Evropa nuk është përballur kurrë me një president amerikan, që kërcënoi të pushtonte me dhunë territorin e aleatëve, apo që tha me gëzim se do t’i braktiste aleatët nëse sulmoheshin.

Mosmarrëveshjet ekonomike janë normale, por asnjë president amerikan nuk e ka rrezikuar kaq pa arsye zhvillimin global, apo të jetë dukur kaq i lumtur në shoqërinë e autokratëve agresivë sesa miqtë e vjetër demokratë.

Për disa skeptikë të NATO-s, largimi i SHBA-së nuk do të ishte dhe aq i keq: Ata shpresojnë se kjo mund ta detyrojë Evropën të veprojë së bashku, dhe të bëhet një partnere e barabartë në mbrojtje të botës demokratike. Në realitet, një Evropë që nuk gëzon më mbrojtjen e SHBA-së, nuk do të ishte aq akomoduese ndaj interesave të SHBA-së, në çështje të ndryshme, që nga dominimi i dollarit e deri tek siguria e Paqësorit Perëndimor.

Dhe arsyeja pse zyrtarët amerikanë nuk u larguan kurrë nga aleanca, është se kjo mund të ishte katastrofike për të gjithë palët e përfshira. Baza industriale e mbrojtjes evropiane, është e dobët dhe e copëtuar. Kontinenti nuk mund t’i zëvendësojë shpejt strukturat komanduese të NATO-s të udhëhequra nga amerikanët.

As francezët apo britanikët nuk mund të marrin përsipër përgjegjësitë bërthamore të Amerikës: Atyre u mungojnë arsenalet e mëdha dhe dinamike, vendosjet e mëdha të trupave dhe aftësitë e kufizimit të dëmeve, që zakonisht kërkohen për funksionimin e mekanizmit të parandalimit.

Ata në Uashington që mbështesin idenë e përqendrimi tek Azia, mund të mendojnë se dobësia evropiane s’ka rëndësi, për sa kohë që SHBA-ja është e fortë në Paqësorin Perëndimor. Por duhet ta mendojnë sërish. Sepse Evropa dhe Britania përbëjnë rreth 20 për qind të PBB-së globale.

Dhe nuk mund të besohet se pakësimi i ndikimit në kontinent, do ta bëjë Amerikën më konkurruese, ekonomikisht dhe teknologjikisht, kundër Pekinit. Nëse SHBA-ja i kthen shpinën Evropës, mund ta ketë vështirë të mbetet një fuqi globale e suksesshme.

Evropa përfaqëson ende pikën hyrëse të Amerikës në Euroazinë Perëndimore, superkontinentin ku ndodhin kaq shumë veprime, dhe është pika nistore për Afrikën dhe Lindjen e Mesme, ku Trump tani është përfshirë në llojin e luftës që u zotua të shmangte.

Pa Evropën, Amerika rrezikon të mbetet e bllokuar në Hemisferën Perëndimore - të paktën nga njëra anë - dhe e përjashtuar nga lufta për pjesë të gjera të botës. A ka mbaruar më në fund ekzistenca e gjatë e NATO-s? Apo mund të rinovohet edhe një herë? Përgjigja ka pasoja të mëdha globale, dhe do të varet shumë nga lidershipi i Donald Trump.

Është e lehtë të imagjinohet një skenar, në të cilin Trump e shkatërron aleancën, sepse ne mund të jemi duke e përjetuar tashmë atë. Por fakti është se aleanca po bashkohet, edhe pse me ngurrim dhe shumë rezerva, rreth një rritje të madhe të shpenzimeve ushtarake (3.5 për qind e PBB-së në mbrojtje, 1.5 për qind në infrastrukturë dhe investime të tjera në lidhje me të).

Këto shpenzime, do ta ndihmojnë NATO-n të përshtatet me një epokë në të cilën forca e saj duhet të përqendrohet në mbrojtjen e kufijve të saj më të prekshëm. Shtetet evropiane do të mbajnë më shumë nga kjo barrë, edhe pse Uashingtoni e përforcon mbrojtjen evropiane me aftësitë e tij unike - fuqi ajrore dominuese, transport dhe logjistikë, komandë dhe kontroll, dhe një pengesë të fuqishme bërthamore - së bashku me një prani të mjaftueshme në vijën e frontit, për të treguar se do të jetë në çdo luftë që nga fillimi.

Rezultati i këtij skenari, do të ishte një Evropë më e fortë, megjithëse disi e dëmtuar, që e forcon botën e lirë, duke ruajtur njëkohësisht lidhjen jetike transatlantike. Nëse Trump mund ta realizojë këtë skenar, kjo është e pasigurt./Përgatiti në shqip: Pamfleti

Shënim: Hal Brands, profesor në Shkollën e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare të Universitetit Johns Hopkins.

nato afër shpërbërjes

Lini një Përgjigje