TAGS-AT E JAVËS

Forum12 Qershor 2025, 21:36

Berisha, një “Falcone”? Pse kërcet version antimafia i kreut të PD

Shkruar nga Ylli Pata

Berisha, një “Falcone”? Pse kërcet version antimafia i

Politika, kur e mbështet këtë betejë antimafia, është pozitive, ndërkohë që më e rëndësishme është mbështetja me vepra e agjencive dhe institucioneve që e luftojnë mafien.

Deklaratat e Sali Berishës, se narkosit shqiptarë kanë vrarë kandidatin kolumbian për president, Miguel Uribe Turbay, nuk duket se kanë prodhuar tituj në media ndërkombëtare, edhe pse ky ka qenë qëllimi.

Siç ka qenë qëllimi në një mbledhje të PPE në Bruksel, kur e cilësoi qeverinë e Edi Ramës një “narko-shtet”.

Ka shumë gjasa, që në ditët në vijim të kemi një avancim të kësaj retorike, qoftë nga Sali Berisha, apo edhe enturazhi i tij politiko-mediatik. Ndërkohë që panelet e darkës të flasin më shumë e të thërrasin në skenë kokainologët më të famshëm të sferës mediatiko-televizive.

Megjithatë, sipas gjasave, kjo retorikë nuk do të ngjisë, pikërisht sepse është kthyer në një refren politik që bëhet me fushata.

Krimi i organizuar, apo mafia si fenomen i rëndë i konkluzionit të krimit me struktura të shtetit e shoqërisë, është një debat ndërkombëtar tashmë. Trafiqet, pastrimi i parave të tyre, ri investimi dhe më pas ri daljet në investime, diskutohen vazhdimisht në të gjitha vendet europiane e jo vetëm. Por këtë e bëjnë në radhë të parë gazetarë të njohur investigativë, apo ekspertë që merren ditë përditë me mafien, si për shembull prokurorët antimafie apo Rberto Saviano, që e nis dhe e ngrys ditën vetën në dosjet e prokurorisë apo vendime gjykatash.

Politika, kur e mbështet këtë betejë antimafia, është pozitive, ndërkohë që më e rëndësishme është mbështetja me vepra e agjencive dhe institucioneve që e luftojnë mafien.

Nëse Sali Berisha sulmon kreun e SPAK Altin Dumani, duke i vënë si mbiemër, të një personazhi që prokuroria speciale ka arrestuar, vetëm dekurajon institucionin dhe inkurajon krimin.

Kur Sali Berisha, shantazhon kreun e SPAK, prokurorët e gjyqtarët specialë, natyrisht që kemi të bëjmë me një akt politik.

Akt politik, të cilin e lexojnë shumë mirë kancelaritë europiane dhe ato amerikane në Tiranë, e më gjerë. Nëse shikohet me kujdes, motivi i shpalljes së Berishës Non Grata, nga Britania e Madhe, motivi është i qartë për “lidhje me krimin organizuar”, pra me mafien. E kjo ka dalë në letrat e nxjerra prej gjykatës britanike, nga ankesa që bëri kreu i PD-së.

E qeveria britanike, e cila kur e mori këtë vendimi, drejtohej nga të djathtët konservatorë, nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka marrë një vendim politik, pasi materialin ja ka sjellë drejtësia e Mbretërisë së Bashkuar.

Siç natyrisht ka ndodhur edhe nga Departamenti i Shtetit, pr të cilën kanë folur disa herë zyrtarë të lartë të saj. Që kanë thënë se kanë marrë dosje dhe materiale nga institucione të rëndësishme amerikane, që janë shqyrtuar me kujdes e për një kohë të gjatë.

Me fjalë të tjera, kthimi i retorikës anti-narkos, si një fije bari pas zgjedhjeve, nuk do të ngjisë, përkundrazi, ajo është e lagur që në fillim.

A nëse opozita krijon një narracion të drejtë e të sinqertë antimafie, e atë e kthen në një betejë të plotë e të gjatë, është një mesele tjetër. Por që të jetë e besueshme, kjo nuk do të duhej të trajtohet as nga Berisha, e as nga njerëz që nuk e kanë besueshmërinë e integritetit dhe ndershmërisë intelektuale. Po sa për teorikë, mund të flasin sa duash këto 12 vjet, por do jetë thjeshte një sallatë e grirë…

Lini një Përgjigje