TAGS-AT E JAVËS

Forum13 Shkurt 2025, 21:53

Amerika e Trump po na braktis, si duhet të mësojë ta mbrojë veten Evropa

Shkruar nga Anders Fogh Rasmussen
Amerika e Trump po na braktis, si duhet të mësojë ta mbrojë
Donald Trump /

Donald Trump njeh dhe respekton vetëm forcën. Unë shpresoj që administrata e re amerikane të mos i japë fund një rendi ndërkombëtar, i cili ka krijuar më shumë siguri dhe më shumë zhvillim për më shumë njerëz se sa çdo rend tjetër në historinë e njerëzimit...

Javët e para të administratës së dytë të Donald Trump kanë qenë të vështira, madje të dhimbshme. I kam kushtuar shumë kohë nga jeta ime mbrojtjes së një rendi ndërkombëtar të bazuar në rregulla të udhëhequr nga SHBA-ja, dhe jam i shqetësuar që ai po merr fund.

Bota ka nevojë për një polic, dhe që nga Lufta e Dytë Botërore, SHBA-të e kanë përmbushur këtë rol. Por çfarë ndodh nëse polici nuk e ushtron më autoritetin e tij mbi gangsterët gjeopolitikë, apo sillet në mënyrë abuzive ndaj ithtarëve më të palëkundur të sundimit të tij në botë?

Nuk e kisha imagjinuar asnjëherë, se do të dëgjoja nga goja e një presidenti amerikan të shpallte synimet e tij për të “zgjeruar territorin tonë”, siç bëri Donald Trump në fjalimin e tij inaugurues.

Ai vazhdon të thotë se Kanadaja duhet të bëhet shteti i 51-të i SHBA-së, dhe ka refuzuar të përjashtojë përdorimin e forcës ushtarake për të siguruar kontrollin e Amerikës mbi Kanalin e Panamasë dhe territorin autonom danez të Grenlandës.

Vladimir Putin dhe Xi Jinping, po e vëzhgojnë më vëmendje sjelljen e Trump. Nëse SHBA-ja do të aneksojë Grenlandën, me justifikimin e garantimit të sigurisë së Amerikës, Xi do të pretendojë se mund ta pushtojë Tajvanin për hir të sigurisë së Kinës.

Në këto kushte, edhe argumentet absurde të Vladimir Putini për pushtimin e Ukrainës si një mënyrë për ruajtjen e sigurisë së Rusisë, do të legjitimoheshin nga Trump. Kur isha fëmijë e admiroja presidentin amerikan John F.Kennedy, i cili tha se Amerika “do të paguante çdo çmim, do të mbante çdo barrë . . . për të siguruar mbijetesën dhe suksesin e lirisë”.

Si një politikan i ri, iu gëzova fjalimit vjetor të Ronald Reagan në 1985-ën, në të cilin ai tha ndër të tjera se “misioni i Amerikës është të ushqejë dhe mbrojë lirinë dhe demokracinë”. Si kryeministër i Danimarkës, kam punuar me presidentin George W.Bush sepse besoja se siguria e Danimarkës, garantohej më së miri nga një aleancë e ngushtë me SHBA-në.

Por pas kërcënimeve të Trump kundër disa prej aleatëve më të afërt të Amerikës - përfshirë vendim tim - jam detyruar t’i rishikoj pikëpamjet e mia. Sot, ne evropianët duhet të jemi të përgatitur të mbrohemi nga ata që rrinë në pritë jashtë kufijve tanë. Evropa duhet të zhvillojë një mbrojtje më të fortë dhe më efektive për të frenuar Rusinë dhe çdo komb tjetër. NATO është ende një gur themeli i mbrojtjes evropiane. Por duke qenë se Donald Trump ka ngritur dyshime mbi gatishmërinë e Amerikës

për të përmbushur detyrimet e saj në aleancë, dhe madje ka kërcënuar dy aleatë, Kanadanë dhe Danimarkën, unë nuk shoh asnjë alternativë tjetër veçse të sigurohemi se mund të qëndrojmë të pavarur në çdo situatë.

Ne duhet të ndërtojmë një koalicion të vendeve evropiane, që janë të përgatitura të ofrojnë një mbrojtje të fuqishme evropiane. Ne duhet ta forcojmë dimensionin e sigurisë së Bashkimit Evropian, të kalojmë nga votimi unanim në atë të shumicës së thjeshtë, për t’i parandaluar anëtarët pro-rusë që të vendosin veton kundër masave të rëndësishme të sigurisë.

Po ashtu, duhet të nënshkruajmë sa më shpejt të jetë e mundur një marrëveshje sigurie midis Bashkimit Evropian dhe Britanisë për të mbrojtur veten dhe infrastrukturën tonë të përbashkët më të rëndësishme. Historia na tregon se luftërat tregtare prodhojnë vetëm humbës.

Konsumatorët paguajnë më shumë, kompanitë vendase jo efikase mbrohen padrejtësisht nga konkurrenca, dhe rezultati është më pak rritje ekonomike, një produktivitet më i ulët dhe më pak zhvillim për të gjithë.

Por nëse Donald Trump na sfidon me një luftë tarifash, ne evropianët duhet të kundërpërgjigjemi në mënyrë agresive. Përgjigja e Evropës duhet të jetë hakmarrja dollar-për-dollar, duk pasur në fokus industritë dhe bizneset amerikane, ku dëmi do të jetë më i madh.

Donald Trump njeh dhe respekton vetëm forcën. Unë shpresoj që administrata e re amerikane të mos i japë fund një rendi ndërkombëtar, i cili ka krijuar më shumë siguri dhe më shumë zhvillim për më shumë njerëz se sa çdo rend tjetër në historinë e njerëzimit. Por shpresa nuk është strategji. Evropa duhet të përgatitet, në të kundërt do të vuajë pasojat./Pamfleti nga “Wall Street Journal”

Shënim: Anders Fogh Rasmussen, ka qenë Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s në vitet 2009-2014 dhe kryeministër i Danimarkës në vitet 2001-2009.

donald trump evropa braktisja

Lini një Përgjigje