
Nuk e di nëse e kuptoi mileti atë që kuptova unë dhe nëse u shqetësua ashtu si unë, kur çoj nëpër mend se çfarë mund të ndodhë nëse ju nuk jeni më aty për ta udhëhequr këtë punë.
I nderuar z. Kryeministër!
Unë që po ju shkruaj jam një njeri i pashkollë, dmth, që nuk kupton shumë nga ligjet, vizionet, procedurat dhe ato llafet e mëdha që i përdorni zotëria juaj kur dilni në televizor.
Edhe kur folët për Zvërnecin, për të qenë i sinqertë, unë kuptova vetëm atë që ju ishit pro investimit dhe se ata të tjerët, që ngrinin me demek shqetësime për natyrën, ligjin e pronësinë, ia fusnin kot. Nejse! Jua thashë që në fillim se, për një katundar të thjeshtë si unë, është e vështirë të orientohet në këto debate, por unë jam me ju gjithmonë, se më pëlqen shumë Rilindja që na keni premtuar që në fillim dhe mezi pres të rilind edhe një herë tjetër.
Por, kur ju dëgjova këtë herë, nuk e di pse m’u krijua përshtypja se çështja nuk qenkësh vetëm Zvërneci, as investimi apo dokumentet që duhen për atë punë, por diçka tjetër më e madhe. Nuk e di nëse e kuptoi mileti atë që kuptova unë dhe nëse u shqetësua ashtu si unë, kur çoj nëpër mend se çfarë mund të ndodhë nëse ju nuk jeni më aty për ta udhëhequr këtë punë.
Po Trumpit, ëëë... si do t’i vejë halli po ikët ju? A e keni menduar mirë këtë?
Lëre pastaj atë që, po të ikni ju, kush do të na shpjegojë çfarë është “Liga e Kampionëve e turizmit”? Kush do të na tregojë “ku mbaron vizioni dhe ku fillon realiteti”? Kush do të na bindë se “e ardhmja është gjithmonë më e ndritshme se e tashmja”?
Z. Kryeministër!
Njerëzit si unë (që ju siguroj se nuk jemi pak) nuk i kuptojmë shumë këto gjëra. Prandaj kemi nevojë që dikush të na i sqarojë. Po kush, veç jush, mund t’i thotë gjërat kaq qartë, me ndershmëri e emocion?
Vdekjen e dija, por një gjë si dorëheqja nuk ma merrte mendja kurrë se do ta dëgjoja nga goja juaj, o Edi!
Si ta nxori goja atë fjalë?! Si mund të mbylleshit në Surrel?!
Kush do t’i mbante mbi shpinë gjithë këto projekte madhështore, këto investime historike, këto rrugë drejt së ardhmes?! Kush tjetër, veç jush?!
Aman, o Edi, mos na e bëj atë hata!/Pamfleti
Lini një Përgjigje