Siguria e ardhshme e Ukrainës varet në fije të perit. Vendimet e Evropës gjatë viteve në vijim do të ndikojnë shumë jo vetëm mbi fatin e Ukrainës, por edhe në trajektoren më të gjerë të sigurisë dhe autonomisë evropiane...
Lufta e vazhdueshme në Ukrainë, që tani ka sapo i ka tejkaluar 3 vitet, vazhdon të ndikojë shumë mbi peizazhin strategjik të Evropës. Qëndrimi i palëkundur i presidentit amerikan Donald Trump kundër anëtarësimit të Ukrainës në NATO, nënvizon praninë e një shqetësimi më të gjerë brenda politikës konservatore amerikane nga një përballje e drejtpërdrejtë me Rusinë.
Unë jam në parim dakord me këtë pozicion, pasi përshkallëzimi i konfliktit në Ukrainë mund të nxisë një luftë bërthamore. Në kushtet kur anëtarësimi në NATO është jashtë diskutimit, dhe ndërsa Shtetet e Bashkuara po ngurrojnë të japin garanci sigurie jo zyrtare të ngjashme me atë të Tajvan, lind natyrshëm pyetja: a mund të bëjë këtë Evropa në mënyrë të pavarur, duke e transformuar Ukrainën në “Tajvanin” e saj?
Edhe pse kjo ideja mund të tingëllojë e largët, dhe jo si një koncept që mund të vlejë edhe për Ukrainën, e kam dëgjuar shpesh kohët e fundit në qarqet evropiane të sigurisë. Prandaj meriton të shqyrtohet. Evropa gjendet aktualisht me një udhëkryq strategjik kritik.
Ndërsa shumë vende evropiane po ofrojnë publikisht mbështetje të fuqishme për Ukrainën, midis tyre ka shumë ngurrim në lidhje me përmasat dhe natyrën e kësaj mbështetjeje, sidomos nëse duhet të veprojnë pra ndihmën e SHBA-së.
Historikisht, strukturat evropiane të mbrojtjes kanë vepruar kryesisht nën ombrellën e sigurisë amerikane të ofruar nga NATO, duke i kufizuar nismat e pavarura. Por konflikti i zgjatur në Ukrainë, e ka bërë më urgjent aftësimin e Evropës për të arritur autonominë e saj strategjike.
Tajvani mund të ofrojë ndoshta një model orientues, mbi atë që mund të jetë një angazhim evropian për sigurinë e Ukrainës të mbetur jashtë NATO-s, por me kufizime të qarta për atë që mund të jetë ose jo e mundur.
Pavarësisht mungesës së detyrimeve formale të traktatit të aleancës, të cilat garantojnë ndërhyrjen ushtarake automatike, Tajvani përfiton ndjeshëm nga paqartësia strategjike e SHBA-së, e shoqëruar jo zyrtarisht nga angazhimet e fuqishme në mbrojtje dhe ekonomi.
Modeli i mundshëm i Evropës, mund të përfshijë një paqartësi të ngjashme. Pra ofrimin e ndihmës ushtarake, bashkëpunimin e gjerë në fushën e shërbimeve sekrete, mbështetjen ekonomike dhe programet rigoroze të trajnimit, pa detyrimin zyrtar të mbrojtjes kolektive.
Një qasje e tillë, mund të shërbejë si një pengesë e fuqishme kundër agresionit rus, ndërsa mbetet e kujdesshme për të shmangur nxitjen e përplasjes së drejtpërdrejtë me Moskës. Megjithatë, situata e Tajvanit është në thelb e ndryshme nga ajo e Ukrainës.
Tajvani është pjesë e një lufte civile ende të papërfunduar, e cila buron nga ndarjet e brendshme politike të Kinës që nga viti 1949. Pretendimet e Kinës ndaj Tajvanit, janë të rrënjosura thellë tek ndjenjat nacionaliste dhe narrativat historike të ribashkimit.
Ndërkohë konflikti i Ukrainës buron nga agresioni i jashtëm, dhe veçanërisht pushtimi dhe aneksimi i territoreve nga Rusia, duke e bërë konfliktin më shumë ndërkombëtar sesa të brendshëm apo civil. Megjithatë, përkthimi i kësaj ideje në një politikë konkrete, do të shoqërohej me sfida të rëndësishme.
Evropës, të cilës i mungojnë aftësitë e projeksionit të fuqisë ushtarake të Amerikës dhe fuqia diplomatike kohezive, do të kishte nevojë për reforma dhe investime thelbësore strukturore për të garantuar në mënyrë të pavarur sigurinë e Ukrainës.
Për më tepër, nuk ka një unitet evropian në lidhje me politikat e mbrojtjes dhe përmasat e përplasjes me Rusinë. Vende si Polonia dhe Baltiku janë shumë mbështetëse ndaj Ukrainës, ndërsa vende si Gjermania dhe Franca, tregojnë shpesh kujdes më të madh për shkak të lidhjeve ekonomike, varësive energjetike, si dhe situatës së brendshme politike.
Që të ketë sukses një garanci e tillë sigurie, Evropa duhet të mbajë një qëndrim të unifikuar dhe të besueshëm parandalues. Kjo ka të ngjarë të kërkojë rritje të shpenzimeve ushtarake, një koordinim të konsiderueshëm midis kombeve evropiane dhe aftësi të zgjeruara në inteligjencë, luftën kibernetike dhe forcat e vendosjes së shpejtë.
Pa këto elemente, një angazhim evropian për sigurinë e Ukrainës, rrezikon të jetë me shumë simbolik dhe jo efektiv, gjë që mund të inkurajojë më tej dhe jo pengojë agresionin rus. Kritikët do të nënvizonin rreziqet serioze të adoptimit të një qasjeje të paqartë mbi sigurinë, si ajo e SHBA-së ndaj Tajvanit.
Dhe kjo paqartësi mund të inkurajojë pa dashje llogaritjet e gabuara nga Rusia, duke i nxitur strategët e Kremlinit të testojnë kufijtë e vendosmërisë së Evropës. Pa angazhime të qarta, Moska mund të vërë bast se Evropa do të shmangte në fund përshkallëzimin, duke minuar kështu vetë frenimin që synon të vendosë garancitë.
Të dhënat historike të përziera të Evropës për unitetin dhe veprimin vendimtar në konfliktet ndërkombëtare, i thellojnë më tej këto rreziqe. Për më tepër, pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, garancive të paqarta të Evropës mund t’u mungojnë besueshmëria.
Rusia mund t’i interpretojë garancitë e Evropës si një retorikë boshe, dhe jo si një pengesë të vërtetë. Besueshmëria e parandalimit varet nga vullneti dhe aftësia e perceptuar për t’u kundërpërgjigjur me vendosmëri, që të dy faktorë që Evropa duhet t’i shfaqë bindshëm nëse synon të ketë sukses me një qasje të tillë.
Megjithatë, përkrahësit e kësaj qasje argumentojnë se një nismë e udhëhequr nga evropianët mund të sjellë përfitime të konsiderueshme. Ajo mund të nxisë autonominë strategjike, duke e forcuar kapacitetin e Evropës për t’i menaxhuar konfliktet rajonale në mënyrë të pavarur.
Një nismë e tillë, do të përforconte edhe ndikimin gjeopolitik të kontinentit, duke ndryshuar me gjasë dinamikën e fuqisë në Evropën Lindore dhe duke e detyruar Rusinë të rishqyrtojë veprimet agresive. Për më tepër, garancitë e sigurisë për Ukrainën nga Evropa, mund të çojnë në uljen e tensioneve duke i ofruar Kievit aftësitë e nevojshme mbrojtëse dhe stabilitetin ekonomik, pa provokuar një përplasje të drejtpërdrejtë NATO-Rusi.
Transformimi i Ukrainës sipas këtij versioni, është i realizueshëm por kompleks. Ajo kërkon nivele të paprecedenta të bashkëpunimit evropian, investime të mëdha ushtarake dhe manovra diplomatike të kujdesshme për të krijuar një parandalim të besueshëm, pa shkaktuar një përshkallëzim të pamenaxhueshëm.
Ndërsa Evropa po diskuton mbi këtë skenar, siguria e ardhshme e Ukrainës varet në fije të perit. Vendimet e Evropës gjatë viteve të ardhshme do të ndikojnë shumë jo vetëm mbi fatin e Ukrainës, por edhe në trajektoren më të gjerë të sigurisë dhe autonomisë evropiane.
Modeli i Tajvanit paraqet një model intrigues. Por realitetet unike gjeopolitike të Evropës, kërkojnë përshtatje të kujdesshme për t’u siguruar që angazhimet të jenë të besueshme, të qëndrueshme dhe vërtet efektive./Pamfleti nga “19 Forty Five”
Shënim: Harry J.Kazianis, kryeredaktor i 19 FortyFive, ekspert i njohur mbi çështjet e sigurisë kombëtare dhe sfidat e përgjithshme të politikës së jashtme të SHBA-së.
Lini një Përgjigje