
Ish-presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, ka folur pasi dha dëshminë e tij në Gjykatën e Posaçme, ku u paraqit rreth orës 11:00 në kuadër të procesit gjyqësor për dosjen "Partizani".
Në deklarimet para trupit gjykues, Topi u ndal te firma që hodhi mbi planin e përhapjes së pronave të ushtrisë, duke sqaruar se bëhej fjalë për një procedurë me karakter teknik, e cila kishte përfunduar të gjitha hallkat institucionale përpara se të mbërrinte në Presidencë.
"Procesi i planit të përhapjes ishte një proces teknik. Përgatitja bëhej nga Shtabi i Përgjithshëm në Ministrinë e Mbrojtjes. Gjithë procesi asistohej nga ekspertë të NATO-s. Ishte proces që te Presidenti vinte vetëm për t'u mbyllur juridikisht", deklaroi ish-presidenti.
Gjatë seancës, Topi iu përgjigj edhe pyetjeve të të pandehurit Jamarbër Malltezi, i cili e pyeti nëse kishte pasur ndonjë presion nga ai ose nga ish-kryeministri Sali Berisha për këtë çështje.
Përgjigjja e ish-presidentit ishte e prerë. "Kurrë, kurrë, kurrë. Nuk ka dalë asnjëherë kjo histori. Asnjëherë", tha ai.
Sipas Topit, i vetmi shqetësim që i ishte paraqitur në lidhje me ish-kompleksin "Partizani" kishte ardhur nga ish-kreu i Komandës Mbështetëse, me të cilin kishte zhvilluar një takim, ndërsa sqarimet për çështjen ishin dhënë nga këshilltarët e Presidencës.
Nga ana tjetër, Jamarbër Malltezi pretendoi në sallën e gjyqit se ushtarakët e kishin keqinformuar ish-presidentin.
Procesi për dosjen "Partizani" do të vijojë më 14 shtator, kur pritet të dëshmojnë edhe ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, si dhe Paro Laçi.
Lini një Përgjigje