Ziraat pritet të licencohet si banka e 12-të në vend, duke u bërë institucioni i dytë bankar me kapital turk që operon në Shqipëri

Tregut bankar shqiptar do t’i shtohet një bankë e re. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka dhënë miratimin paraprak për licencimin e Ziraat Bank, për të ushtruar veprimtari bankare dhe financiare në territorin e Shqipërisë.
Ziraat është një bankë tregtare me seli në Turqi, e themeluar në vitin 1863. Ajo ka licencë bankare të vlefshme dhe vepron nën mbikëqyrjen e Agjencisë së Rregullimit dhe Mbikëqyrjes Bankare të Turqisë. Aktualisht operon në 22 shtete, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Bullgarinë, Greqinë, Kosovën dhe Qipron Veriore.
Sipas të dhënave publike, Ziraat menaxhon rreth 166.75 miliardë dollarë në aktive. Në tregun turk, ajo ka një peshë të lartë në kreditë për strehim dhe në transaksionet e tregtisë së jashtme.
Pas përmbushjes së të gjitha kushteve të parashikuara në ligjin “Për bankat në Republikën e Shqipërisë” dhe aktet nënligjore përkatëse, brenda një periudhe 12-mujore nga miratimi paraprak, banka do të pajiset me licencën përfundimtare për të nisur aktivitetin në vend.
Ziraat do të bëhet banka e dytë me kapital turk që operon në Shqipëri, pas Bankës Kombëtare Tregtare.
Me hyrjen e Ziraat Bank, Turqia forcon pozicionin e saj në tregun bankar shqiptar përmes dy institucioneve me kapital tërësisht turk: Banka Kombëtare Tregtare, aktualisht banka më e madhe në vend, dhe tani Ziraat, banka më e vjetër dhe më e madhe shtetërore e Turqisë.
Kjo prani e dyfishtë i jep Turqisë një pjesë të rëndësishme të tregut bankar në Shqipëri, me ndikim të drejtpërdrejtë në sektorin e kredidhënies, depozitave dhe financimeve të biznesit. Ndërhyrja përmes institucioneve bankare përkon me strategjinë rajonale të investimeve të drejtuara nga shteti turk, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor. /Pamfleti
Kur do te filloj Zirat Banka ne Shqiperi dhe ne cilin qytet