
Sulmet ndaj SME-ve: Si po goditen shtyllat e ekonomisë dhe pse kjo është një rrezik për të gjithë
Në Shqipëri, qytetarët shpesh janë dëshmitarë të një sërë aksionesh agresive të ndërmarra nga institucionet shtetërore ndaj bizneseve të vogla dhe të mesme (SME). Fushata më e fundit, që përfshin territoret dhe produktet e biznesit të vogël, ngre një pyetje të rëndësishme: A është kjo një taktikë për të goditur segmentin më jetik të ekonomisë kombëtare?
SME – Shtylla Kurrizore e Ekonomisë
Në Bashkimin Europian, SME-të përbëjnë 99.8% të numrit të bizneseve dhe kontribuojnë me mbi 65% në punësimin në sektorin privat, si dhe afro 56% të prodhimit të brendshëm bruto (EU Commission, 2023). Ato janë motorët kryesorë të punësimit, inovacionit dhe shpërndarjes së pasurisë. Edhe në Shqipëri, roli i SME-ve është po aq jetik: 98.1% e bizneseve janë SME (mikro, të vogla dhe të mesme). SME-të kontribuojnë në rreth 72% të punësimit dhe 60% të vlerës së prodhimit të brendshëm bruto (INSTAT).
Goditja ndaj SME-ve është më shumë se një problem ekonomik – është një sulm ndaj shtresës së mesme të shoqërisë, ndaj njerëzve që me mund dhe përkushtim kanë ndërtuar diçka të tyren, shpesh pa mbështetje institucionale.
Pse i godet Shteti SME-të?
Ka disa arsye të mundshme:
* Sepse është më e lehtë. Një biznes i vogël nuk ka juristë të shtrenjtë, as lidhje politike për të bllokuar aksionet tatimore, ligjet e reja dhe kërcënimet e tjera. Kështu, është më e thjeshtë të shembësh një dyqan familjar se sa një kompleks të ndërtuar nga një oligark.
*Për të ulur numrin e SME-ve dhe për të favorizuar të mëdhenjtë. Kjo është një taktikë e njohur: goditen konkurentët e vogël për t’i hapur rrugë grupeve të mëdha me interesa të lidhura me qeverinë.
*Për të zhvendosur vëmendjen. Kur papunësia shtohet dhe të rinjtë largohen çdo ditë nga vendi, operacionet e zhurmshme mediatike ndaj bizneseve të vogla largojnë vëmendjen publike nga problemet reale.
Ku Duhet ta ketë vëmendjen Shteti?
Ndërkohë që shteti merret me dëmtimin e SME-ve, ai duhet të fokusohet në disa drejtime kyçe:
*Formalizimi përmes incentivave, jo ndëshkimeve. Edukimi fiskal dhe mbështetja teknike janë më efikase se kontrollet dhe gjobat.
*Lehtësimi i barrës fiskale. Taksat e larta dhe burokracia janë arsye kryesore për mosformalizim dhe mbylljen e bizneseve.
*Zhvillimi i infrastrukturës dhe aksesit në financim. SME-të kanë nevojë për kushte që i ndihmojnë të rriten, jo për barriera që i shtyjnë të falimentojnë.
*Përfshirja në hartimin e politikave. Politikat për tregun nuk mund të hartohen vetëm mbi kërkesat e oligarkëve. *Duhet të dëgjohet dhe zëri i biznesit të vogël.
Kur shembet një SME, nuk shembet vetëm një objekt: rrënohet një ëndërr, një burim jetese, një kontribues i ndershëm në ekonomi. Zhvillimi urban duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe në funksion të të gjithë qytetarëve – jo një instrument për të shkatërruar atë pak dinjitet që ka mbetur te biznesi i vogël shqiptar.
Shteti që godet SME-të në vend që t’i mbështesë është një shtet që ka humbur rrugën./Pamfleti
Lini një Përgjigje