
Kryeministri Edi Rama ka gënjyer “sy për sy” pensionistë dhe familjet në nevojë. Në janar qeveria miratoi një paketë mbështetje për shumë individë dhe Rama premtoi në atë kohë se një skemë e ngjashme do të ndiqej dhe në muajin prill. Dukej qartë që ishte skemë për të blerë votat në mënyrë ligjore para zgjedhjeve, por megjithatë qeveria duket se është tërhequr.
“Të gjithë pensionistët po marrin këto ditë sipas premtimit bonusin e Pakos së Madhe dhe urojmë ta kenë sa më të mbarë e me shëndet të plotë, vitin që sapo ka nisur. Me marrjen e këstit të parë të taksës së jashtëzakonshme mbi eksportuesit e energjisë në muajin prill, do të programojmë një tjetër bonus për pensionistët, që barra e inflacioni i luftës për ta të vazhdojë të jetë sa më pak e ndjeshme”, deklaronte Rama në Facebook.
Por duket se e gjitha ka qenë sa për të larë gojën. Sot është pyetur ministrja e Financave mbi këtë premtim dhe ajo ka mohuar që të kenë nisur diskutimet për të ndihmuar pensionistët.
"Sa u përket pensioneve kemi në politikë të konsoliduar për indeksimin e pensioneve në bazë të inflacionit. Gjatë vitit të kaluar u indeksuan dy herë. Për momentin nuk kemi përcaktuar një politikë të dhënies së shpërblimit të menjëhershëm në prill”, tha Ibrahimaj.
Si duket kaosi në PD e ka bindur Ramën se nuk i duhet të blejë vota dhe ka lënë thatë pensionistët.
Lini një Përgjigje