
Autoriteti i Konkurencës ka nisur disa javë më parë një hetim, i cili është drejt fundit, lidhur me tregun e telefonisë celulare në Shqipëri, ndërsa abonentët e One Albania, po përballen me situatën e rritjes së tarifave.
Ata janë njoftuar nga kompania përmes mesazheve për rritjen e çmimeve të shërbimeve, duke filluar nga data 1 maj 2026. Sipas një mesazhi standard të dërguar abonentëve, tarifat do të rriten deri në 2.2%, bazuar në indeksin e çmimeve të konsumit të publikuar nga INSTAT.
Edhe pse One Albania nuk premton asnjë rritje të cilësisë së shërbimit për të justifikuar rritjen e tarifave, abonentët po përballen me faktin e kryer, ndërsa duket se në lojë ka hyrë Autoriteti i Konkurencës.
Denar Biba, kreu i këtij Autoriteti, në emisionin ‘Kjo Javë” në News24, duke folur për situatën mbi tregun e telefonisë celulare, u shpreh se ky treg në Shqipëri nuk është monopol, por ka karakteristika të një tregu me konkurrencë të kufizuar.
“Në botë ka mijëra tregje dhe shumica kanë konkurrencë. Një treg pa konkurrencë është vetëm ai monopolistik, por në Shqipëri nuk kemi tregje të tilla. Megjithatë, ka tregje duopol, si ai i telefonisë celulare, që për shkak të strukturës së tyre krijojnë problematika,” u shpreh ai.
Biba bëri me dije se Autoriteti i Konkurrencës ka nisur një hetim për këtë treg dhe se ai është drejt përfundimit edhe pse nuk zbuloi detaje. Sipas tij, në javët në vijim priten zhvillime konkrete.
“Hetimi është në fazën përfundimtare dhe është çështje javësh që të dalim me një vendim. Mund të them se diçka e mirë do të ndodhë në tregun e telefonisë celulare”, deklaroi Biba. Duket se vendimi i Autoritetit të Konkurencës do të jetë në mbrojtje të konsumatorëve, edhe pse duhet pritur qëndrimi përfundimtar që me siguri do të jepet para datës 1 maj, afatit që One Albania ka paracaktuar në mënyrë të njëanshme për rritjen e tarifave.
Keta qener abuzojne me cmimet sipas interesave te tyre ne mes te kontrates.Si i behet nese ne shkeputemi ne mes kontrates ,a nuk do jemi subjekt padish neper gjykata?Shteti te nderhyje ne mbrojtje te konsumatorit qe edhe pa kete hall mjaft i jane shtuar telashet.