Sejko tha se parashikohet rritje e punësimit dhe e pagave, duke pasqyruar një ecuri pozitive të tregut të punës dhe konsumin e familjeve.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në konferencën mbi vendimmarrjen e politikës monetare për tremujorin e katërt të vitit 2025, bëri të ditur se ekonomia shqiptare ka vijuar të rritet gjatë gjysmës së dytë të vitit.
Sejko tha se parashikohet rritje e punësimit dhe e pagave, duke pasqyruar një ecuri pozitive të tregut të punës dhe konsumin e familjeve.
Inflacioni i çmimeve të konsumit u mbajt në nivel mesatar prej 2.2% gjatë muajve tetor-nëntor, kryesisht për shkak të rënies së çmimeve të ushqimeve dhe stabilizimit të çmimit të qirasë.
Inflacioni bazë dhe ai i brendshëm mbeten të qëndrueshëm, ndërsa inflacioni i importuar ka shënuar vlera negative.
Guvernatori Sejko njoftoi se norma bazë e interesit mbetet e pandryshuar në 2.5%, ndërsa norma e interesit të depozitës njëditore ruhet në 1.5%, dhe norma e interesit të kredisë njëditore në 3.5%. Ai shtoi se kreditë me probleme qëndrojnë në nivelin 4.3%, duke treguar stabilitetin e sistemit bankar dhe cilësinë e portofolit të kredive.
Aktiviteti ekonomik është mbështetur nga rritja e konsumit, investimeve dhe eksporteve të shërbimeve, veçanërisht turizmit, ku shënohet rritje me rreth 22% në tremujorin e tretë.
Shkalla e papunësisë zbriti në 8.1%, ndërsa pagat në sektorin privat u rritën me 9.8%, duke përmirësuar fuqinë blerëse të familjeve pa gjeneruar presione inflacioniste.
Në raport me stabilitetin financiar, Banka e Shqipërisë ka ruajtur shëndetin e sistemit bankar përmes mbikëqyrjes së thelluar, politikave makroprudenciale dhe ndërhyrjeve të jashtëzakonshme.
Kredia për sektorin privat ka vijuar të rritet me ritme të larta, duke reflektuar zgjerimin e investimeve dhe qëndrueshmërinë e financimeve.
Banka ka bërë përparime të rëndësishme edhe në sistemet e pagesave, duke përfunduar modernizimin e infrastrukturave kritike dhe duke siguruar aderimin e Shqipërisë në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA), si dhe duke nisur projektin TIPS Clone për pagesa të menjëhershme.
Rezerva valutore e vendit vazhdon të rritet dhe aktualisht shënon 7.1 miliardë euro, ndërsa puna e Bankës ka përqendruar në administrimin efektiv të saj dhe diversifikimin e instrumenteve të investimit.
Parashikimet e Bankës së Shqipërisë mbeten pozitive: aktiviteti ekonomik pritet të rritet pranë potencialit afatmesëm, inflacioni do të kthehet në objektivin prej 3% gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026, dhe rritja e punësimit dhe pagave do të vijojë.
Kjo konferencë ishte e fundit për vitin 2025, dhe Guvernatori Sejko përmendi se Banka ka përmbushur me sukses objektivat e saj për stabilitetin e çmimeve, mbështetjen e stabilitetit financiar dhe zhvillimin e tregjeve financiare, duke kontribuar në forcimin e qëndrueshmërisë makroekonomike të vendit.
Lini një Përgjigje