Si specie, ne njerëzit dukemi krejtësisht të paaftë të mësojmë nga gabimet tona, e lëre më pastaj nga gabimet e të tjerëve.
Uinston Çërçill sapo kishte mbërritur në Nju Jork. Ishte data 6 tetor 1929. Duke udhëtuar bashkë me disa anëtarë të familjes së tij, burrështetasi britanik u vendos në Hotel Plaza, sinonim i pasurisë dhe famës dhe sigurisht jo i lirë. Por kjo nuk përbënte shqetësim për të.
Sepse kostoja e qëndrimit, së bashku me purot dhe uiskin e tij, mbulohej nga miku i tij i vjetër, financieri Bernard Barush.
Pas 8 javësh udhëtimesh nëpër Amerikën e Veriut, dhe pas kontakteve me miqtë e tij biznesmenë, nuk është çudi që Çërçilli u “prek nga ethet e bursës”, shkruan gazetari Edrju Sorkin në librin e tij të ri mahnitës, “1929: Historia e panjohur e rënies më të madhe të vlerës në historinë e Uoll Stritit.
Rrëfimi i tij, bazohet në përshkrimin e kushteve në SHBA në javët që i paraprinë Krizës së Uoll Strit në tetor 1929. Dita e parë e panikut të vërtetë, 24 tetori, e njohur si E Enjtja e Zezë, erdhi vetëm disa javë pas vizitës së Çërçillit. Një rekord prej 12.9 milionë aksionesh u tregtuan në bursë atë ditë, duke shënuar fillimin e krizës.
Në vetëm dy ditë, u zhdukën 30 nga 80 miliardë dollarë që vlente gjithsej tregu i aksioneve. Publikimi i këtij libri, duket se ka ardhur në kohën e duhur: shumë analistë po bëjnë paralele midis vitit 1929 dhe periudhës aktuale.
“Ekonomia e viteve 1920, lulëzoi në një kohë që Amerika e mori nga një pandemi vdekjeprurëse, gripi i vitit 1918”- shkroi muajin e kaluar në gazetën New York Times, Uilliam A.Bërdhistëll, ish-drejtor i Menaxhimit të Investimeve në Komisionin e Letrave me Vlerë dhe Bursave të SHBA-së.
“Aksionet e kompanive të makinave dhe telefonave celularë, janë investimet teknologjike me rritjen më të lartë të kohës së tyre. Dy prej tyre janë Tesla dhe Apple”- shton ai. Dhe kini parasysh entuziazmin e madh që rrethon Inteligjencën Artificiale.
Majkëll Bëri, i bërë i famshëm nga “The Big Short” për fitimin e parave gjatë krizës financiare të vitit 2008, “njoftoi se po shiste aksionet e tij në Nvidia dhe Palantir dhe paralajmëroi për një flluskë të Inteligjencës Artificiale, përpara se të mbyllte papritur kompaninë e tij të investimeve, Scion Asset Management”, raportoi britanikja The Guardian javën e kaluar.
Xhemi Dimon, kryetar dhe drejtor ekzekutiv i bankës gjigante të Uoll Strit, JPMorgan Chase, ka parashikuar së fundmi një korrigjim serioz të tregut në 6 muajt deri në 2 vitet e ardhshme. Ndërkohë, ata në krye vazhdojnë të mbushin arkat e tyre dhe të vazhdojnë të sillen sikur nuk ka ndonjë gjë që s’shkon.
Nga zhvillimi drejt varfërisë
Në tetor 1929, “Çërçilli shihte një mundësi të mirë për të fituar para në Kanada dhe Shtetet e Bashkuara, me sa duket kudo”, shkruan Sorkin. Këtë e vërteton një kabllogram që ai i dërgoi gruas së tij. Ai shkruante ndër të tjera: “Këtu ka bursë në çdo hotel të madh. Ti shkon dhe ulesh atje dhe sheh shifrat që shënohen në tabela çdo disa minuta”.
Spekulimet në tregun e aksioneve, kishin depërtuar në jetën e përditshme. Financat nuk ishin më një pronë e ruajtur me fanatizëm vetëm për bankierë dhe ndërmjetës. Ato ishin bërë thuajse një argëtim kombëtar.
Zhurma e pajisjes së regjistrimeve në bursë, ndihej në të gjitha hollet dhe restorantet e hoteleve.
Krediti i lehtë, i shpejtë dhe në dukje i pafund ishte i disponueshëm për këdo me një të rënë të stilolapsit. Blerja dhe shitja e aksioneve ishte bërë pothuajse rutinë, ndërsa amerikanët e zakonshëm e pranonin idenë se ngjitja marramendëse e tregut do të vazhdonte përgjithmonë; se kohërat e mira të viteve të zhurmshme 1920, do t’i linin vendin viteve 1930 po aq të bagata.
Por brenda disa javësh nga vizita e Çërçillit, fantazia kolektive e asaj që tani do ta karakterizonim si një eufori të paarsyeshme, do të shembej si një shtëpi prej letrash. Bota e ndritshme dhe e gjallë, që e dashuronte aq shumë, do t’i linte vendin viteve të papunësisë masive, radhëve të gjata të bukës dhe lagjeve të varfra.
Çërçill, një njeri i palodhur në treg, humbi një shumë jo të vogël parash. Por i lindur në pasuri dhe privilegje, ai arriti t’i mbijetonte stuhisë që pasoi. Por shumë amerikanë të zakonshëm, të cilët në thelb ishin mashtruar duke besuar se bumi mund të vazhdonte vetëm, nuk ishin dhe aq me fat.
Pjesë të mëdha të popullsisë mbetën plotësisht të varfra. Amerika u shndërrua nga një komb i dehur nga ëndrra e prosperitetit të përhershëm, në një komb që përballej me makthin e krizës më të rëndë ekonomike në histori, pasojat e së cilës u ndjenë në të gjithë globin.
Është e pamundur të merresh me rindërtimin e mundimshëm që bën Sorkin me ato javë të ethshme, pa menduar për kohët e sotme.
Si ndodhi kolapsi i tregut të aksioneve?
Viti 1929 solli mosmarrëveshjet të mëdha midis ndërmjetësve dhe politikë-bërësve, përpjekje frenetike për ta mbajtur në një gjendje të qetë “anijen ekonomike”, si dhe gabimet që ndihmuan në rënien e të gjithë sistemit financiar.
“Gradualisht dhe pastaj papritmas”, kështu e përshkroi shkrimtari i njohur Ernest Heminguej procesin e falimentimit.
Kjo frazë mund të ripërdoret lehtësisht për t’iu referuar ngjarjeve të vitit 1929. Çmimet e aksioneve ishin rritur në nivele marramendëse nga spekulimet e pakontrolluara, malet me para të huazuara, dhe praktikat e fshehta bankare që i inkurajonin njerëzit të shpenzonin më shumë se ç’duhej përmes marrjes së kredive.
Pasi besimi u lëkund, u kërkuan kreditë me diferencë (kredi që i lejojnë investitorët të blejnë aksione me para të huazuara, duke përdorur vetë aksionet si kolateral), duke i përshpejtuar më tej shitjet dhe duke shkaktuar një spirale të fortë rënëse, e cila nuk mund të ndalej.
Ajo që u shfaq, ishte një pamje që ndihet çuditërisht e njohur: një elitë financiare dhe politike e bindur se Rezerva Federale po tregohej shumë e kujdesshme, shumë ndërhyrëse dhe shumë e gatshme që t’ua prishte festën. Rezerva Federale, luan një rol vendimtar në rrëfimin e Sorkin, ashtu siç luan edhe sot.
Në vitin 1929, udhëheqësit e saj u gjendën të zënë midis presioneve konkurruese: nga njëra anë, financuesit që i nxisnin ata të lehtësonin kontrollet mbi kreditë dhe të vazhdonin spekulimet; nga ana tjetër, shenjat në rritje se tregu ishte mbinxehur në mënyrë të rrezikshme.
Sorkin i referohet paralajmërimit të dhënë më 2 shtator 1929 nga ekonomisti Roxher Babson, i cili argumentoi se disa tregues kyç sugjeronin se ekonomia amerikane po fillonte të binte, edhe pse çmimet e aksioneve arritën nivele të reja.
Ai theksoi se shifrat e prodhimit dhe të transportit të mallrave, kishin filluar të binin dhe numri i aksioneve në rënie po rritej ngadalë, një shenjë kjo e sigurt se forca e dukshme e tregut po maskonte një brishtësinë gjithnjë e më të madhe. Me sa duket, ky tension nuk është zgjidhur kurrë vërtet.
Duke lexuar këtë, mendova menjëherë për presionin që po ushtron aktualisht Donald Trump mbi Rezervën Federale. Ai i ka kërkuar vazhdimisht Rezervës Federale të ulë normat e interesit, e ka akuzuar udhëheqjen e saj për pengim të qëllimshëm të rritjes ekonomike dhe ka shprehur dëshirën për ta vënë sistemin nën kontrollin e tij më të drejtpërdrejtë.
Dhe ishte e vështirë të mos e vihej re simbolika, kur vetëm pak orë para se miliona amerikanëve në nevojë t’u hiqeshin ndihmat ushqimore, Trump organizoi një festë Halloëeeni me temë nga “Great Getsby” në rezidencën e tij në Mar-a-Lago. Ishte një homazh për epokën e teprimit, iluzionit dhe manisë spekulative që solli katastrofën e tetorit 1929.
Në vitin 2009, Sorkin botoi librin “Too Big to Fail” (Shumë i madh për të dështuar), një libër i ndërtuar mbi dëshmi të drejtpërdrejta nga figura kyçe brenda institucioneve të mëdha bankare dhe autoriteteve rregullatore në zemër të krizës financiare të vitit 2008.
Sipas fjalëve të vetë Sorkin, ai studim ishte “kronikë e një dështimi, që e gjunjëzoi botën dhe ngriti pyetje rreth vetë natyrës së kapitalizmit”.
Stuhia e re është pranë
Ashtu si financuesit e vitit 1929, baronët dhe mbështetësit e teknologjisë së sotme këmbëngulin sot se bumi i Inteligjencës Artificiale, përfaqëson një hap përpara që ndodh një herë në jetë: një inovacion kaq i rëndësishëm dhe transformues, sa që ai duhet të klasifikohet (përsëri) si shumë i madh për të dështuar.
Këta mashtrues dhe mbështetësit e tyre, janë gjithmonë gati dhe të shpejtë për të qetësuar masat. Mos u shqetësoni, po thonë ata. Dhe mos bëni shumë pyetje. Kjo është ajo që ne e quajmë një stuhi në zhvillim e sipër. E gjithë kjo më sjell ndërmend shprehjen e vjetër të Marksit për historinë që përsëritet: më fillim si tragjedi, pastaj si një farsë.
Megjithatë, kur ndalem ta mendoj pak më thellë, nuk më duket shumë e saktë, duke pasur parasysh se sa shpesh përsëriten këto cikle. Në vend të kësaj, epigrafi i vitit 1929 duket shumë më afër qëllimit: Qenia njerëzore e zakonshme, nuk jeton mjaftueshëm gjatë për të nxjerrë ndonjë përfitim të konsiderueshëm nga përvoja e vet.
Dhe me sa duket askush nuk mund të përfitojë as nga përvojat e të tjerëve. Duke qenë njëkohësisht baba dhe mësues, e di që nuk mund t’u mësojmë asgjë fëmijëve tanë. Nuk mund t'u transmetojmë atyre as njohuritë tona për jetën dhe as matematikën. Secili duhet ta mësojë mësimin e vet nga e para.
Këto fjalë i përkasin Albert Ajnshtajnit, të marra nga një intervistë që ai dha për ”The Saturday Evening Post”.
Ajnshtajni po fliste për prindërimin dhe matematikën, dhe jo për tregjet financiare. Megjithatë, intervista u botua më 26 tetor 1929, vetëm dy ditë pas të Enjtes së Zezë.
Sot fjalët e tij mbartin një atmosferë të pagabueshme profecie. Ai ka të drejtë. Si specie, ne njerëzit dukemi krejtësisht të paaftë të mësojmë nga gabimet tona, e lëre më pastaj nga gabimet e të tjerëve. Dhe është e vështirë të shmangim ndjesinë, se kjo mund të na kujtohet sërish së shpejti./ Përshtati "Pamfleti", marrë nga "The Conversation”
Lini një Përgjigje