
Zbardhet akti normativ i miratuar nga qeveria, për ndryshime në buxhetin e vitit 2025. Vendimi përfshin rishpërndarjen e fondeve të mbetura, blerje strategjike jashtë vendit, si dhe injektim financiar për pushtetin vendor, pensionistët dhe shtresat në nevojë.
-Fonde të papërdorura për pensionistët
Të gjitha fondet që nuk janë shpenzuar nga buxheti aktual do të transferohen në një llogari të posaçme në Bankën e Shqipërisë, që do të përdoret për mbështetjen e pensionistëve. Ky vendim synon të shmangë djegien e fondeve dhe të përkthehet në mbështetje sociale.
-2.2 miliardë lekë për shtresat në nevojë
Ministria e Çështjeve Sociale përfiton një fond shtesë për të ndihmuar familjet në vështirësi ekonomike, në një moment të ndjeshëm të vitit.
-Blihet godina e ambasadës në Londër – 5.2 milionë euro
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka marrë miratimin për të blerë godinën e selisë diplomatike shqiptare në Londër, një prej investimeve më të mëdha në diplomacinë shqiptare vitet e fundit.
-636 milionë lekë për Bashkinë Tiranë si kompensim për SPAK-un
Bashkia e Tiranës përfiton një fond kompensimi për godinën e Ujësjellës-Kanalizime Tiranë, e cila ka kaluar në përdorim të Ministrisë së Drejtësisë për nevojat e SPAK.
-1.2 miliardë lekë për borxhet e bashkive
Qeveria injekton fonde për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura të bashkive, me një formulë ndarjeje: 60% bazuar në stokun e borxhit dhe 40% në popullsi. Buxheti vendor për 2025 arrin në 90.9 miliardë lekë.
-800 milionë lekë për sportin
Ndahen fonde për FSHF-në, KOKSH-in dhe evente ndërkombëtare sportive, përfshirë “UEFA U-17” dhe “Cupra FIP Tour Platinum”.
-Shëndetësia: 12.6 miliardë për rimbursim ilaçesh
Fondi i ilaçeve dhe sigurimeve shëndetësore pëson rritje, duke arritur në 64.8 miliardë lekë në total, një prej buxheteve më të larta të këtij sektori.
Lini një Përgjigje