Investitorët presin të shohin nëse bisedimet SHBA-Kinë do të ndihmojnë për një zgjidhje të luftës në Iran…
Çmimet e naftës u rritën lehtë sot, ndërsa tregjet u përqendruan te takimi me rëndësi të lartë mes presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit kinez Xi Jinping në Pekin.
Investitorët presin të shohin nëse bisedimet do të sjellin ndonjë rezultat pozitiv për zgjidhjen e luftës në Iran. Trump pritet t’i kërkojë Kinës të bindë Teheranin të arrijë një marrëveshje me Uashingtonin për t’i dhënë fund konfliktit. Megjithatë, analistët dyshojnë se Xi do të ushtrojë presion të fortë ndaj Iranit, partner strategjik afatgjatë i Kinës.
Kontratat e së ardhmes për naftën Brent u rritën me 45 centë, ose 0.43%, në 106.08 dollarë për fuçi. Nafta amerikane West Texas Intermediate u rrit me 41 centë, ose 0.41%, në 101.43 dollarë për fuçi.
Të dyja kontratat kryesore ranë dje, pasi investitorët u shqetësuan për rritje të mundshme të normave të interesit në SHBA, ndërsa çmimet më të larta të karburanteve shtojnë presionet inflacioniste. Brent humbi më shumë se 2 dollarë për fuçi, ndërsa WTI ra me më shumë se 1 dollar.
Në nisje të samitit dyditor, Xi i tha Trump se bisedimet tregtare po shënonin përparim, por paralajmëroi se mosmarrëveshjet për Tajvanin mund t’i çojnë marrëdhëniet në një drejtim të rrezikshëm, sipas agjencisë kineze Xinhua.
“Çmimet e naftës janë në pritje,” thanë analistët e ING në një shënim, duke shtuar se tregu mund të ketë pritshmëri të tepruara nga bisedimet SHBA-Kinë për luftën në Iran.
Ngushtica e Hormuzit, një korridor kyç për energjinë, mbetet kryesisht e mbyllur që prej shpërthimit të luftës në fund të shkurtit.
“Mungesa e përparimit domethënës për rihapjen e ngushticës mund t’i lërë SHBA-së pak alternativa përveç veprimit të ri ushtarak,” tha analisti i IG, Tony Sycamore.
Ndërkohë, Irani duket se ka forcuar kontrollin mbi ngushticën, duke arritur marrëveshje me Irakun dhe Pakistanin për transportin e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm nga rajoni.
Një supertanker kinez me dy milionë fuçi naftë bruto irakiane kaloi përmes ngushticës të mërkurën, pasi kishte mbetur i bllokuar në Gjirin Persik për më shumë se dy muaj. Ai ishte vetëm tankeri i tretë i naftës që doli nga ngushtica që prej nisjes së luftës.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë tha të mërkurën se furnizimi global me naftë do të jetë më i ulët se kërkesa totale këtë vit, pasi lufta ka goditur rëndë prodhimin në Lindjen e Mesme dhe po shteron rezervat me ritëm të pazakontë. Parashikimi i mëparshëm i agjencisë priste tepricë furnizimi.
Lini një Përgjigje