TAGS-AT E JAVËS

Ekonomi 7 Janar 2026, 18:50

Ligji për investimet e huaja, Dhoma Amerikane kritike: Mund të krijojë pasiguri dhe dekurajim të investitorëve

Shkruar nga Pamfleti
Ligji për investimet e huaja, Dhoma Amerikane kritike: Mund të
Foto ilustruese

Dhoma Amerikane e Tregtisë (AmCham) ka reaguar ndaj draftit të qeverisë për krijimin e një mekanizmi “filtrimi” mbi Investimet e Huaja Direkte (IHD), duke e konsideruar si një nismë të nevojshme për mbrojtjen e sigurisë kombëtare dhe rendit publik, por me mangësi serioze që, në formën aktuale, mund të dekurajojnë investitorët e huaj dhe të krijojnë pasiguri juridike.

Sipas deklaratës zyrtare të AmCham, drafti i paraqitur nuk garanton stabilitetin ligjor dhe ekonomik të nevojshëm për të tërhequr investime cilësore. “Në formën aktuale, ai paraqet një sërë problematikash thelbësore, të cilat rrezikojnë të krijojnë pasiguri juridike, të cenojnë parimin e proporcionalitetit dhe të dekurajojnë investitorët e huaj seriozë”, thuhet në reagim.

AmCham nënvizon se procesi i shqyrtimit të investimeve është delikat dhe kërkon bazë të fortë ligjore, jo vetëm një akt nënligjor me vendim të Këshillit të Ministrave. Sipas saj, miratimi i një ligji të posaçëm për FDI Screening është i domosdoshëm, për të adresuar qartë sektorët e ndjeshëm, kriteret e vlerësimit të riskut, strukturat vendimmarrëse dhe garancitë procedurale.

Ndër shqetësimet kryesore të ngritura nga Dhoma Amerikane janë:

-Forma aktuale e draftit, që nuk siguron transparencë dhe përdor terminologji të paqartë, duke lënë hapësirë për interpretime subjektive;

-Afatet joproporcionale, si p.sh. 5 ditë për dorëzimin e dokumentacionit nga investitori, çka mund të çojë në anulimin e procedurës pa bazë reale;

-Mungesa e qartësisë në funksionimin e Komitetit Ndërministror, i cili përqendron shumë kompetenca pa rregulla të detajuara për vendimmarrjen apo konfliktet e interesit;

-Përdorimi i seancave dëgjimore me investitorin, që krijon perceptimin e një procesi penalizues dhe jo miqësor ndaj kapitalit të huaj;

-Mospërputhja e plotë me legjislacionin e BE-së, pavarësisht referencave në Rregulloren (BE) 2019/452.

AmCham thekson se objektivi i këtij mekanizmi duhet të jetë balancimi i sigurisë kombëtare me ruajtjen e një klime tërheqëse për investime, në përputhje me pritshmëritë e investitorëve ndërkombëtarë dhe me standardet e Bashkimit Evropian, në një moment kritik për procesin e negociatave të Shqipërisë.

Në përfundim, AmCham i bën thirrje qeverisë që të rishikojë plotësisht projektvendimin dhe të ndërtojë një kuadër ligjor gjithëpërfshirës, që respekton të drejtat e investitorëve dhe siguron një proces të drejtë, transparent dhe profesional.

Vërejtjet e AmCham

-Niveli normativ i aktit

Procesi i shqyrtimit të investimeve të huaja është kompleks, delikat dhe me ndikim të drejtpërdrejtë në të drejtat e investitorëve dhe në ekonominë kombëtare. Në këtë kontekst, AmCham vlerëson se miratimi i një rregulloreje me Vendim të Këshillit të Ministrave nuk përbën një bazë të mjaftueshme ligjore. Një mekanizëm i tillë kërkon një ligj të posaçëm, i cili të adresojë në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme të gjitha elementet e procesit të “screening”, duke reduktuar hapësirat për interpretime subjektive dhe qasje të paunifikuara.

-Pajtueshmëria me legjislacionin e Bashkimit Evropian dhe procesin e negociatave

Edhe pse drafti pasqyron në plan formal strukturën e Rregullores (BE) 2019/452, ai nuk reflekton plotësisht dimensionin interpretues dhe balancues të Recital-eve të saj, të cilat janë thelbësore për një zbatim proporcional, të arsyetuar dhe të parashikueshëm të mekanizmit. Një akt nënligjor i fragmentuar rrezikon të mos sigurojë një konvergjencë reale me standardet dhe praktikat më të mira evropiane, veçanërisht në kontekstin e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

-Qartësia, transparenca dhe siguria juridike

Në formën aktuale, projektvendimi paraqitet i paqartë në tërësinë e tij dhe nuk garanton transparencë të mjaftueshme në procesin e shqyrtimit të investimeve. Përdorimi i terminologjisë së përgjithshme dhe të paqartë, si p.sh. “vlerësim siç duhet”, krijon hapësirë për interpretime të ndryshme dhe potencialisht për trajtim subjektiv të kërkesave për investim. Kriteret e vlerësimit të riskut duhet të jenë të përcaktuara qartë, objektive dhe të parashikueshme, në mënyrë që investitori i huaj të ketë siguri juridike dhe të mund të vlerësojë në mënyrë të informuar rrezikun rregullator.

-Arkitektura institucionale e vendimmarrjes

Një risk i rëndësishëm lidhet me arkitekturën institucionale të vendimmarrjes. Drafti përqendron kompetenca shumë të gjera në një Komitet Ndërministror, pa parashikuar rregulla të detajuara për funksionimin e tij, përfshirë kuorumin, mënyrën e votimit dhe trajtimin e konflikteve të interesit. Kjo mungesë e rregullimit procedural krijon hapësirë për vendimmarrje diskrecionale dhe vështirëson mbrojtjen juridike të vendimeve.
Afatet procedurale dhe proporcionaliteti Afati 5-ditor për plotësimin e dokumentacionit nga investitori i huaj, me pasojë anulimin e procedurës në rast mosrespektimi, konsiderohet joproporcional. Po ashtu, parashikimi i miratimit automatik të investimit në mungesë të një vendimi brenda afatit e lidh rezultatin e procedurës me rrjedhën formale të afateve dhe jo me vlerësimin substancial të rrezikut, duke krijuar dobësi strukturore në mekanizëm.

-Qasja procedurale ndaj investitorit të huaj

Parashikimi i “thirrjes së investitorit të huaj në seancë dëgjimore” krijon perceptimin e një procedure hetimore ose ndëshkuese, e cila nuk është në përputhje me frymën nxitëse dhe mikpritëse që duhet të karakterizojë kuadrin ligjor për investimet e huaja.

-Nevoja për një qasje të re

Ligj i posaçëm për FDI Screening Në këtë kontekst, AmCham vlerëson se projektvendimi aktual duhet të ripunohet në tërësinë e tij dhe sugjeron hartimin e një ligji të posaçëm për shqyrtimin e investimeve të huaja, i cili të adresojë në mënyrë të qartë dhe koherente, ndër të tjera: fushat dhe sektorët subjekt të shqyrtimit; profilin dhe origjinën e investitorëve; pragjet e investimeve; kriteret e vlerësimit të riskut; strukturën institucionale; procedurat dhe garancitë procedurale; sanksionet; si dhe përputhshmërinë e plotë me legjislacionin e Bashkimit Evropian.

dhoma amerikane draft investime

Lini një Përgjigje