
Administrata Tatimore është detyruar të dalë me një sqarim publik, pasi nga kontrollet në dy ditët e fundit, isnpektorët e Bashkive në zona të ndryshme të vendit, i kërkonin shitësve ambulantë që të shoqëronin shitjen e produkteve me fatura, ose të kishin dokumentacion tatimor.
Rasti më flagrant u regjistrua në Sarandë, ku një nga kontrollorët, i kërkonte një zonje që shiste rigon, që në qese të shkruhej kush e kishte prodhuar rigonin dhe çdo shitje ta shoqëronte me faturë.
Por në njoftimin zyrtar, Tatimet bëjnë me dije se tregtarët ambulantë nuk kanë asnjë detyrim për të lëshuar faturë dhe për të mbajtur dokumentacion tatimor për mallrat.
“Administrata Tatimore informon opinionin publik dhe individët e regjistruar si “tregtarë ambulantë” se, bazuar në legjislacionin tatimor në fuqi, nuk kanë detyrim për të lëshuar faturë tatimore dhe as për të mbajtur dokumentacion tatimor për mallrat apo shërbimet që tregtojnë.
Ky përjashtim parashikohet në ligjin nr. 87/2019, “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, i ndryshuar, konkretisht në nenin 5, pika 1, gërma c). Gjithashtu, ligji nr. 9920, datë 19.05.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, në nenin 5, pika 1, gërma j), përcakton qartë statusin dhe kushtet e ushtrimit të aktivitetit të tregtarëve ambulantë”.
Në vijim, Tatimet sqarojnë edhe detyrimet që kanë tregtarët ambulantë.
“Të jetë mbi moshën 16 vjeç; Të jetë i vetëpunësuar dhe të mos punësojë persona të tjerë; Të tregtojë në hapësira publike me leje të lëshuar nga Bashkia përkatëse; Të jetë i regjistruar si ambulant pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore; Të paguajë: Kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore; Tarifën për zënien e hapësirës publike; Taksat bashkiake të aplikueshme”, thuhet në njoftim.
Lini një Përgjigje