Buxheti i vitit 2024 la 420 milionë euro të pashpenzuara, të rikthyera më pas për borxhe, gjoba dhe detyrime të qeverisë
Institucionet qendrore dhe lokale nuk shpenzojnë qëllimisht një pjesë të buxhetit vjetor, pavarësisht nevojave të mëdha ekonomike dhe sociale. Vetëm gjatë vitit 2024 u rikthyen në buxhet 420 milionë euro të pashpenzuara. Sipas burimeve nga Ministria e Financave, kjo praktikë kryhet me urdhër politik për të krijuar një fond gri që përdoret për shlyerje borxhesh, detyrimesh dhe gjobash ndërkombëtare.
Kur institucionet qendrore, lokale dhe entet publike nuk i përdorin të gjitha fondet buxhetore brenda vitit, thuhet se fondet u dogjën, por në të vërtetë qeveria i rikthen në buxhet dhe i përdor për të zgjidhur çështje të tjera.
Sipas informacionit nga Ministria e Financave, fondet që mbeten pa u shpenzuar brenda vitit përdoren për të paguar borxhet ndaj Bankës Botërore, BERZH, bankave private në Shqipëri dhe për gjoba e detyrime ndaj kompanive që kryejnë punë publike me financimet e tyre.
Shqipëria vijon të ketë nivel të lartë varfërie, ndonëse qeveria dhe INSTAT deklarojnë rritje ekonomike dhe rritje konsumi. Kategori të gjera të popullsisë kanë nevojë të menjëhershme për mbështetje financiare, kryesisht pagat, pensionet, të papunët dhe të sëmurët. Megjithatë edhe fondet buxhetore që planifikohen çdo vit nuk shpenzohen të gjitha, duke lënë shërbime dhe investime të rëndësishme të paplotësuara.
Gjatë vitit 2024 buxhetit të shtetit i mbetën 420 milionë euro të pashpenzuara dhe të rikthyera në buxhet, sepse programi i investimeve qendrore dhe lokale nuk u realizua. Nga kjo shumë, 110 milionë euro kishin të bënin me mosrealizimin e rritjes së pagave dhe pagesave sociale, 50 milionë euro me mosrealizimin e shpenzimeve korrente, ndërsa 260 milionë euro lidhen me mosrealizimin e investimeve në infrastrukturë, arsim, shëndetësi, ujësjellës dhe siguri publike.
Qeveria përdori 85 milionë euro për shlyerjen e kredive të huaja, 220 milionë euro për bonusin e fundvitit 2024 dhe bonusin e pranverës 2025 për pensionistët dhe 115 milionë euro për pagimin e borxheve ndaj kompanive private, gjobave të arbitrazheve dhe detyrimeve ndaj Gjykatës së Strasburgut.
Sipas Ministrisë së Financave, fonde të pashpenzuara ka edhe gjatë vitit 2025 dhe rreth 60 milionë euro pritet të përdoren për shlyerjen e pjesës së borxhit të brendshëm dhe të huaj. Kjo shumë mund të rritet. Këto fonde nuk mbeten të pashpenzuara për shkak të mungesës së projekteve apo mungesës së nevojave, sepse nevojat infrastrukturore, sociale dhe ekonomike janë të shumta.
Burimet e Ministrisë së Financave pohojnë se kjo praktikë kryhet me urdhër të kryeministrit Edi Rama, sipas të cilit ministritë, agjencitë, drejtoritë dhe bashkitë duhet të lënë pa shpenzuar 15 deri në 25 për qind të buxhetit vjetor. Qëllimi është krijimi i një fondi gri me emërtimin “i parealizuar brenda vitit”, i cili shërben për pagesat e borxheve ndaj bankave, shlyerjen e detyrimeve ndaj bizneseve dhe pagimin e gjobave ndërkombëtare./Pamfleti
Lini një Përgjigje