Eksperti parashikon që një nga sfidat më të mëdha të katër viteve të ardhshme është ulja e kostove të jetesës.
Eksperti i ekonomisë Enea Janko është i mendimit se vota e 11 Majit tregoi se qytetarët kanë votuar për stabilitetin dhe jo për ndryshimin, kanë votuar për interesat e tyre afatshkurtra më shumë se sa për programin politik-ekonomik afatgjatë.
Gjatë një interviste në E-ZONE, Janko analizoi se vota ideologjike është zbehur.
“Votuesi është i orientuar drej interesave afashkurtra, më shumë se sa programeve të partive. Vota ndikohet më shumë nga premtimet e kandidatëve. Për shembull një premtim për leje legalizimi, për një punësim në administratë për veten apo familjarët, për një bonues më shumë tek pensioni. Askush nuk merret me premtimet madhore për rritje page apo pensionesh. Ndaj në këtë këndvështrim në këto zgjedhje domino votuesi ekonomik”, -tha Janko
Sfidat që e presin ekonominë në vitet e ardhshme janë të shumta. Sipas tij, rritja e cilësisë së jetesës, rritja e të ardhurave përballë një kostos së lartë të jetesës është sfida më e madhe.
Por eksperti shikon që një nga sfidat më të mëdha të katër viteve të ardhshme është ulja e kostove të jetesës.
“Kostot e jetesës janë rritur ndjeshëm. Këtu flas për shumicën e shqiptare dhe jo për një përqind të popullsisë. Unë jetoj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mund t’ju them pa frikë se çmimet e ushqimeve në Shqipëri janë më të larta se në New York. Është e pamunduar që me këtë standard jetese, ku çdo gjë është bërë e papërballueshme, asnjë emigrant nuk kthehet. Përkundrazi, të rinjtë do të emigrojnë se nuk ja dalin jetesës”, -tha Janko.
Lini një Përgjigje