TAGS-AT E JAVËS

Ekonomi 9 Dhjetor 2025, 13:22

Debati te Ekonomia/ Braçe: Edhe burgjet do jepen me konçension? Qeveria justifikohet me direktivën e BE

Shkruar nga Pamfleti
Debati te Ekonomia/ Braçe: Edhe burgjet do jepen me konçension?
Mbledhja e Komisionit të Ekonomisë, ku Erion Braçe shprehu kontestime

Në komisionin e Ekonomisë është diskutuar projektligji për “Koncesionet dhe partneritetin publik privat", i cili parashikon kufizime të reja për lidhjen e kontratave.

Në projektligjin e propozuar, detyrohen institucionet të bëjnë publike çmimin e ofertës, listën e çmimeve, katalogun, informacionin lidhur me kriteret e përzgjedhjes së ofertës, dokumentet publike.

Në draft thuhet se për çdo koncesion duhet të jetë bërë paraprakisht studimi i fizibilitetit i miratuar edhe nga Ministria e Financave, pasi të jenë analizuar të gjitha kostot-përfitimet dhe implikimet me rrezik për buxhetin e shtetit.

Gjatë diskutimit në Komision, deputeti socialist Erion Braçe, u ndal në nenin 4 të projektligjit, ku ndër të tjera renditen edhe burgjet si një opsion që mund të jepen me konçension.

“Po lexoj në nenin 4 që është edhe sistemi i burgjeve. Ky është një shërbim publik, me rëndësi kombëtare. Ka të bëjë me sigurinë kombëtare dhe askush nuk mund të çojë nëpër mend që të jepin burgjet me konçension. Po kështu godina të administratës publike që jepen me konçension, atëherë çfarë i mbetet më shtetit, nëse edhe një godinë të një institucioni publik e ndërton një privat? Ca i ngelet më shtetit nëse të gjitha i ndërton një privat. Ky neni 4 është i përafruar apo është i ngjashëm me ndonjë ligj të BE”, tha Braçe.

Por Emiliano Gjika, drejtor i ATRAKO, duke iu përgjigjur shqetësimeve të deputetit socialist tha se kjo është direktiva e BE-së.

“Ky nen është copy paste e direktivës së BE-së”, u shpreh Gjika.  

Gjithashtu tha ai “në projektligjin e ri kemi hequr nga lista e koncesioneve pikën që ka qenë për kontratat simbolike me 1 euro”.

Sipas Qeverisë, projektligji vendos rregulla të qarta për planifikimin, dhënien, administrimin dhe mbikëqyrjen e kontratave të koncesionit, duke u mbështetur në parimet e transparencës, mosdiskriminimit, proporcionalitetit dhe sigurisë juridike.

“Projektligji synon unifikimin e procedurave konkurruese; forcimin e kontrollit ex-ante dhe ex-post nga Ministria e Financave; garantimin e rregullave transparente për zbatimin dhe monitorimin e kontratave; menaxhimin e risqeve dhe ndarjen e tyre ndërmjet palëve; harmonizimin me standardet e BE-së; rritjen e rolit mbikëqyrës të Ministrisë së Financave, APP dhe ATRAKO si dhe promovimin e vlerës më të mirë për paranë dhe mbrojtjen e interesit publik”, tha Blerta Rama zv.ministre e Ekonomisë.

Sipas saj, projektligji mbështet prioritetet e qeverisë për rritje ekonomike duke mobilizuar kapital privat në fusha si infrastruktura, energjia, mjedisi, turizmi, shëndetësia dhe arsimi.

“Ai është pjesë e Planit të Përgjithshëm Analitik të Projektakteve për vitin 2025, Programit Kombëtar të Integrimit Evropian dhe strategjisë së menaxhimit të financave publike, duke kontribuar në konsolidimin fiskal dhe përmirësimin e klimës së biznesit”, deklaroi ajo.

 

 

burgje koncension brace

Lini një Përgjigje