Ndryshojnë sërish çmimet e karburanteve, rritet nafta dhe benzina...
Bordi i Transparencës ka vendosur sot çmimet e reja për tregtimin e karburanteve në vend.
Sipas vendimit, çmimi maksimal i shitjes me pakicë për gazoilin e standardit SSH EN 590 është përcaktuar në 191 lekë për litër, ndërsa çmimi i shitjes me shumicë nuk duhet të kalojë 179 lekë për litër.
Ndërkohë, për benzinën e standardit SSH EN, çmimi maksimal i shitjes me pakicë është vendosur në 176 lekë për litër, ndërsa ai me shumicë në 164 lekë për litër.
Bordi ka bërë të ditur se çmimet e reja kanë hyrë në fuqi sot, më 2 qershor, në orën 15:00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme, kur do të shqyrtohen dhe pasqyrohen ndryshimet e reja të tregut.
Autoritetet u kanë tërhequr vëmendjen operatorëve që ushtrojnë aktivitet në tregtimin me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës për zbatimin e detyrueshëm të këtij vendimi.
Në njoftim sqarohet se niveli i akcizës do të zbatohet sërish i plotë, në masën 100%, pasi çmimet aktuale mbeten nën pragjet e përcaktuara nga Akti Normativ i 3 prillit 2026, që parashikon lehtësim vetëm në rast se nafta kalon 220 lekë për litër dhe benzina 200 lekë për litër.
Qeveria riktheu Bordin e Transparencës në fund të marsit, me argumentin e stabilizimit të tregut të karburanteve dhe mbrojtjes së konsumatorëve nga luhatjet e forta të çmimeve si pasojë e konfliktit në Lindjen e Mesme.
Njoftimi i Bordit të Transparencës:
Bordi i Transparencës në datë 2 Qershor 2026, në mbledhjen e radhës vendosi:
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 191 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 179 lekë/litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 176 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 164 lekë/litër.
Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 2 ora 15.00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.
Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtij vendimi.
Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit sëbashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë janë angazhuar të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjes së parimeve të konkurrencës së ndershme në treg.
Lini një Përgjigje