TAGS-AT E JAVËS

Ekonomi25 Maj 2026, 15:53

30 lekë më shumë, operatorët paralajmërojnë rritje të biletës së urbaneve nga 1 qershori!

Shkruar nga Pamfleti
30 lekë më shumë, operatorët paralajmërojnë rritje
Foto ilustruese

Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas ka paralajmëruar se bileta e autobusit urban mund të shtrenjtohet me 30 lekë nga 1 qershori, për shkak të kostove që lidhen me vendosjen e detyrueshme të terminaleve POS/POI në autobusë.

Në një kërkesë drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, Kryeministrisë dhe Bashkisë së Tiranës, operatorët e transportit qytetas argumentojnë se skema aktuale e pagesave elektronike krijon një barrë financiare që, sipas tyre, nuk përballohet nga kompanitë pa reflektim në tarifën për qytetarët.

Aktualisht, bileta urbane kushton 40 lekë. Sipas shoqatës, vetëm tarifa fikse bankare për një pagesë me kartë arrin në 30 lekë për transaksion. Operatorët shtojnë se mbi këtë vlerë aplikohen edhe komisione shtesë deri në 3.2%, kostot e instalimit të pajisjeve, që arrijnë rreth 5 mijë lekë për terminal, si dhe tarifat mujore të mirëmbajtjes.

Shoqata argumenton se struktura aktuale e komisioneve krijon disproporcion mes vlerës së transaksionit dhe kostos së përpunimit të tij. Në praktikë, për një biletë me vlerë të ulët, tarifa fikse bankare zë një pjesë të konsiderueshme të çmimit final.

Operatorët kërkojnë sqarim nga institucionet nëse këto kosto do të subvencionohen ose nëse do të aplikohet një regjim i veçantë tarifor për transportin urban. Ata ngrenë gjithashtu shqetësime për aspektin operacional të përdorimit të pagesave elektronike në autobusë me fluks të lartë pasagjerësh, sidomos në oraret e pikut.

Sipas shoqatës, në mungesë të një mekanizmi mbështetës, formalizimi i pagesave mund të përkthehet në kërkesë për rritje të tarifës së biletës. Çështja lidhet drejtpërdrejt me balancën mes formalizimit fiskal, kostove të shërbimit dhe ndikimit mbi konsumatorin final.

shoqata kombëtare e transportit qytetas

Lini një Përgjigje