TAGS-AT E JAVËS

Editorial 6 Maj 2023, 10:20

Rreziku i madh i 14 majit në tre bashki të rëndësishme

Shkruar nga Pamfleti
Rreziku i madh i 14 majit në tre bashki të rëndësishme
Votimi elektronik

Ka shumë gjasa që në këto tre bashki të krijohet një precedent bllokimi serioz që edhe mund ta kompromentojë procesin.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur votim dhe numërim elektronik në tre bashki të rëndësishme të vendit, ku është edhe beteja më e madhe politike.

Bëhet fjalë për Elbasanin, Vorën dhe Kamzën, për të cilat Ilirjan Celibashi ka vendosur që të votojnë dhe numërojnë votat në mënyrë elektronike.

Ky proces në këto tre bashki, ku luhet realisht një garë e fortë, ka gjasa të kthehet në ‘nyjen gordjane’ të 14 majit. Kjo sepse nuk ka pasur fare nga KQZ një fushatë shpjegimi për komunitetin lidhur me votën eletronike.

Në Shqipëri, deri tani ka pasur vetëm regjistrim elektronik, pra kur votuesi ka mbërritur në Qendrën e Votimit, ka bojatisur gishtin. Por deri më sot, ka marrë fletën e votimit, e ka shkuar në dhomën e fshehtë e ka shënuar kandidatin apo partinë që do.

Votimi me makineri bëhet për herë të parë, e ka një vështirësi sidomos për moshat e mëdha, që nuk kanë shumë njohje me teknologjinë.  

Si do ndodhë me një të moshuar që nuk di të veprojë në një makineri që nuk e ka përdorur ndonjë herë?

Sipas gjasave, në këto tre bashki mund të ketë probleme sistemi që në fillim, por edhe nëse nuk do të ketë, votimi nuk ka gjasa që të jetë një proces i kollajtë, sidomos kur nuk është bërë asnjë fushatë për t’ua shpjeguar atë.

Nuk bëhet fjalë numërimi elektronik pasi ky është një proces normal, por votimi, pra shprehja e preferencës për kandidatin e partinë në një makineri në Kamëz, Elbasan, e Vorë, që konsiderohen si zona ku do të ketë garë të fortë, ka shumë gjasa që të ketë jo probleme, por bllokime të gjata,

KQZ duhej që për këtë eksperiment të gjente bashki me numër më të vogël zgjedhësish, ku të mos kishte pasur një diferencë të pritshme e të kontestueshme. Zgjedhja e Elbasanit, si një bashki e madhe, ku një pjesë e madhe e saj është rurale krijon një mundësi ngecjeje.

Çfarë do të ndodhë nëse votuesit nuk do të familjarizohen me makinerinë, kur askush nuk i ka treguar si votohet?

Ka shumë gjasa që në këto tre bashki të krijohet një precedent bllokimi serioz që edhe mund ta kompromentojë procesin.

Deri tani opozita nuk e ka kontestuar këtë, por pritet që kjo të ndodhë pas numërimit. Ngaqë ka gjasa që njerëzit të kenë probleme të mëdha që në procesin e votimit. Sepse askush nuk ua ka mësuar se si do të votojnë në makineri.

KQZ deri tani ka bërë eksperimente për mediat por jo në terren. Partitë kryesore nuk e kanë kontestuar, pasi pritet që ta bëjnë më 14 maj. Por nëse ndodh kjo atëherë votimi në këto tre bashki prish legjitimitetin e 14 majit. E gjasat që procesi të deligjitimohet janë jo vetëm në Elbasan, Vorë dhe Kamëz. / Pamfleti

votimi elektronik zgjedhjet vendore rreziku i procesit elbasani kamza vora

Lini një Përgjigje

Editorial