TAGS-AT E JAVËS

Editorial26 Shtator 2025, 09:37

“Rastësia” e fatit të Veliajt me kryebashkiakun e Stambollit

Shkruar nga Pamfleti
“Rastësia” e fatit të Veliajt me kryebashkiakun e
Veliaj dhe Imamoglu /

Imamoglu në Ankara dhe Veliaj në Tiranë, dy miq të afërt, përfundojnë në burg si kërcënim për pushtetin e Erdoganit dhe Ramës, ndërsa autokratët pastrojnë terrenin nga trashëgimtarët politikë...

Ekrem İmamoglu është kryetari i bashkisë së Stambollit dhe njëkohësisht lider i opozitës turke, me profil proeuropian dhe sekular. Para zgjedhjeve presidenciale, presidenti Erdogan e arrestoi rivalin e tij me akuza për korrupsion, duke i çuar tabore policie në shtëpi. U pa qartë se bëhej fjalë për një arrestim politik, gjë që u denoncua ndërkombëtarisht.

Çfarë lidhje ka kjo me Erion Veliajn?

Kryebashkiaku i Stambollit ishte mik i afërt i ish-kryebashkiakut të Tiranës, me të cilin kishte marrëdhënie politike të forta. Më 30 janar 2024, Veliaj priti në zyrën e tij Imamoglun. Takimi ishte demonstrativ: dy figura të reja politike, dy udhëheqës të rinj në horizont.

Vetëm dy javë më pas, më 15 shkurt 2024, në Tiranë erdhi Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken. Ai i dha ultimatumin Ramës për t’u tërhequr nga pushteti. Personi i vetëm tjetër që Blinken takoi, përveç Ramës, ishte Erion Veliaj, tek Piramida, së bashku me Alex Soros. Menjëherë pas këtij takimi, në SPAK mbërriti denoncimi i Nesti Angonit. Hetimi ndaj Veliajt u hap zyrtarisht. Një vit më pas, më 10 shkurt 2025, Veliaj u arrestua në zyrën e tij. Vetëm një muaj më vonë, më 19 mars 2025, ndodhi arrestimi i Imamoglut në Stamboll.

Ngjashmëria e ngjarjeve nuk mund të injorohet. Në Shqipëri, Veliaj u godit menjëherë nga mediat pranë Erdoganit dhe aleatët e tyre lokalë, duke e etiketuar përmes një fushate denigrimi. Para bashkisë nisën protesta të vogla, të cilat dukeshin qartë se ushqeheshin nga grupe brenda vetë mazhorancës.

Nga selia e PS-së u hodhën në qarkullim emra për pasuesin e tij, duke u lidhur me klane pranë “sulltanit” të Tiranës.

Kjo përplasje nuk mund të kuptohet pa marrë parasysh kontekstin ndërkombëtar. Administrata Biden kishte marrëdhënie të tensionuara me Erdoganin. Mario Draghi e quajti publikisht “diktator”. Ndërkohë, Trump e mbante afër, një nga të rrallët që takohej me të shpesh.

Në këtë terren, lidhja Veliaj–Imamoglu u lexua si sinjal politik pro-perëndimor, i mbështetur nga qarqe pranë Soros.

Plani i kundërt u shfaq shpejt: fushata e mediave pro-Erdogan kundër Veliajt, puçi i Ramës brenda PS-së, prishjet e ndërtimeve në Tiranë për ta lënë fajtor “Lalin”. Veliaj u etiketua si përgjegjës për kryeqytetin e mbushur me ndërtime pa leje, të cilat tani Rama thotë se po i “pastron” vetë.

Ngjashmëria me Ankaranë është e frikshme: Imamoglu dhe Veliaj, të dy u goditën si rrezik për pushtetin e liderëve të tyre autokratë. Në Shqipëri, Rama jo vetëm që e izoloi Veliajn, por me egërsi spastroi gjithë strukturat e tij politike, duke mos lejuar trashëgimi.

Veliaj pritet të nisë betejën e hapur kur të dorëzojë shkresën në Gjykatën Kushtetuese kundër shkarkimit. Beteja që pritet të sjellë përplasje dhe surpriza të forta, në një skenar ku hija e Imamoglut në Stamboll dhe e Veliajt në Tiranë duken si dy faqe të së njëjtës histori./Pamfleti

veliaj ekrem imamoglu kryebashkiaku i stambollit

1 Komente

  1. A
    Aruba

    Detaj: Imamoglu nuk eshte hajdut, e duan turqit, veliaj eshte hajdut I gerditshem, nuk e do kush, pervec 2 veteve. Por, mostra veliaj ka ne dore sekrete te Bablokut, dhe nuk gjendet aq 'ngushte' sa te mos e marre me vete vellain e madh... ARUBA erdh ne Tirane....

    Lini një Përgjigje

    Editorial