TAGS-AT E JAVËS

Editorial 1 Maj 2023, 10:52

Narcizmi i një Kryeministri

Shkruar nga Dritan Goxhaj
Narcizmi i një Kryeministri
Edi Rama

Ajo që më çudit më shumë është se askush nga opozita, ose çdo kush tjetër, i angazhuar politikisht, jo në stanin  e këtij të marri, nuk reagon për një deklaratë të tillë.

Nocioni i një raporti midis pushtetit dhe çmendurisë nuk është diçka e re në historinë njerëzore. Historia është e mbushur plot me legjenda dhe ndodhi ku sundimtarë e pushtetarë janë çmendur si rezultat i tejkalimit të vetvetes.  Dhe kjo dalje nga vetvetja te sundimtarët dhe pushtetarët shfaqet në formën e  një megalomanie.

Por Shoqata Amerikane e Psikiatrisë e ka  klasifikuar konceptin e megalomanisë (mendjemadhësisë) si “çrregullim narcizëm të personalitetit”.

Deri para disa kohësh koncepti i megalomanisë shihej vetëm si arrogancë, por në 20 vitet e fundit egoizmi u pa si narcizmi  u përkufizua edhe në aspektin psikologjik. Dhe gjithashtu është konsideruar edhe si një problem social dhe kulturor.

Psiko- analiza e sotme e ka identifikuar narcizmin në ato që quhen ”7 mëkatet e mëdha”

1. Paturpësia

2. Mendjemadhësi në të menduar

3. Arrogancë në të vepruar

4. Përbuzje ndaj të tjerëve

5. E drejtë e veçantë mbi të tjerët

6. Shfrytëzim

7. Mos-kufizim për veprime egoiste

Të shtata këto mëkate identifikuese që përcaktojnë një të sëmurë psikik që vuan nga narcizmi gjenden në një person të vetëm. Atë e përcakton lehtë vetëm duke lexuar një deklaratë të këtij individi të bërë para 3 ditësh.

Dhe ky individ fatkeqësisht ka qëlluar që të jetë edhe kryeministër dhe akoma më keq ka qëlluar kryeministër i Shqipërisë.

Para tre ditësh ai deklaroi  ”Ato bashki që do i fitojë opozita nuk do i financojmë”.

Vetëm në këtë fjali mund të shohësh të 7 mëkatet e përcaktuara nga psikologjia e sotme.

Në këtë deklarim duket qartë mëkati i parë paturpësia, e cila qëndron në mos përfilljen e kushtetutës ku kryeministri është kreu i qeverisë për të gjithë shtetasit pavarësisht bindjes së tyre politike.

Një vetë- deklarim i tillë tregon mëkatin e dytë, mendjemadhësi në të menduar.

Deklarimi tregon qartësisht mëkatin e tretë, një arrogancë në të vepruar sepse dhënia e financës është veprim ashtu si edhe mos- dhënia.

Kjo deklaratë tregon mëkatin e katërt përbuzjen ndaj të tjerëve të cilët nuk i përkasin bindjes së tij politike.

Me deklarimin se nuk do t’i financojë tregon mëkatin e peste, të drejtën e veçantë mbi të tjerët.

Kjo deklaratë përmban në vetvete edhe mëkatin e gjashtë, shfrytëzimin, shfrytëzon detyrën dhe postin për egon e tij.

Gjithashtu në këtë deklaratë shihet qartë edhe mëkati i shtatë, mos-kufizimi për veprime të tilla egoiste.

Dhe e gjithë kjo jo vetëm tregon që kryeministri është një njeri i sëmurë psikik me një patologji të rëndë, por mbi të gjitha tregon se ky urren këdo që nuk i përket bindjes së tij politike. D.m.th i ndan shqiptarët sipas oreksit të tij të sëmurë.

Një deklaratë e tillë është thjesht një nxitje për një përplasje civile mbi baza politike.

Një deklaratë e tillë është gjithësisht një shkelje e kushtetutës të cilën vërtet duhet të jesh i sëmurë për ta përdhosur në këtë mënyrë dhe për të ofenduar çdo shtetas shqiptar që nuk i përket stanit të tij.

Dhe kjo nxitje drejt një përplasjeje civile nesër nëse me të vërtetë kjo deklaratë e çmendur do të gjente zbatim sjell ndarje të Shqipërisë.

Po kujt i shërben përplasja civile tashti në Shqipëri.

Normalisht Serbisë dhe më shumë Greqisë.

Serbisë për të arritur qëllimet e saja kundrejt Kosovës në një rrëmujë të tillë.

Ndërsa Greqisë për të arritur ambiciet e saj territoriale ndaj Shqipërisë, duke filluar me detin, në një katrahurë të tillë civile.

Pra qartësisht ky kryeministër, në dhe me çmendurinë e tij është vënë në shërbim të interesave antishqiptare.

Thënë shkurt në rast se e implementon këtë deklaratë në realitet, atëherë ai është vetëm një hasëm i Shqipërisë.

Dhe për hasmin poeti Ali Podrimja shkruan:

Tokë më nda nuk kam

Hasmi në p*dh t’samës

Me vdekë duhet mësue

Qençe nuk jetohet më...

P.s: Ajo që më çudit më shumë është se askush nga opozita, ose çdo kush tjetër, i angazhuar politikisht, jo në stanin  e këtij të marri, nuk reagon për një deklaratë të tillë.

Po më mbushet mendja se narcizmi duhet të jetë edhe sëmundje ngjitëse./Pamfleti

narcizmi edi rama deklarata 7 mëkatet e mëdha

Lini një Përgjigje